Andej-Këtej

Fqinjërime mes futbollit dhe luftës

Nga: Çapajev Gjokutaj

Botërorit “Rusi 2018” po i vjen fundi. Llogaritjet paraprake thonë se rreth 5 milionë turistë, prej të cilëve 2.9 milionë të huaj, janë sulur valë-valë në stadiumet ruse të Moskës, Shën Petërburgut, Soçit, Kaliningradit, Rostovit, Vollgogradit e qytetesh të tjera. Eshtë një “pushtim” i embël e i gëzuar, i lan rrugët dhe sheshet ruse jo me gjak, por me birrë.

1.

Në fakt futbolli ka shumë gjëra që të kujtojnë luftën. Eshtë ndeshje ballë për ballë e dhemb për dhemb.

Të dyja palët luftojnë për territor, sa më shumë inkursione të ketë në territorin e kundërshtarit, aq më të mëdha bëhen gjasat e golit, dmth të fitores.

Ashtu si ushtritë, edhe skuadra është e ndarë në reparte. Japin e marrin me njeri-tjetrin, shkojnë në përforcim e tërhiqen, sipas strategjive dhe taktikave që përpunon kryegjenerali, dmth trainieri.

Ky të kujton kryekomandantët e luftrave paramoderne që qendronin jashtë fushës së betejës. I rrethuar nga një varg ndihmësish, dmth shtabi, trainieri vëzhgon ecurinë e perballjeve, jep porosi për taktikat që duhen ndjekur, fut në fushbetejë forca të freskëta dhe tërheq të dëmtuarit e të lodhurit.

2.

Që futbolli ngjan me luftën, s’ka ndonjë gjë për t’u çuditur. Të gjitha sportet, veçanërisht ato të forcës, njeri më shumë e tjetri më pak, të sjellin ndër mend duelet dhe luftën.

Çudia vjen e rritet kur vë re se shoqëria ka një prirje të fuqishme për t’i bërë sa më të dukshme dhe sa më emocionuese ngjajshmëritë futboll - luftë. Për t’ia arritur kësaj përdoren mjete të larmishme dhe tejet efikase.

Mes tyre vendin e parë e zë ligjërimi. Një pjesë e mirë e leksikut që pëdoret për të përshkruar dhe transmentuar ndeshjet e futbollit, është marrë hua nga leksiku i luftës. Pothuajse të gjitha këto huazime janë kalime metaforike të realizuara mbi bazën e krahasimit “futbolli si lufta”.

Prej këndej kanë ardhur: sulm, mbrojtje, dyluftim, mësyn majtas, reparti i mesfushës etj. Nga përdorimi i shumtë këto metafora kanë humbur ngarkesën emocionale dhe janë kthyer në katakreza a metafora të shuara, që ruajnë vetëm funksione denotative, emërtuese.

Por krahasimi “futbolli si lufta” vazhdon të ushqejë edhe kalime më të freskëta që, herë më shumë e herë më pak, bashkë me funksionin denotativ kryejnë edhe funksione konotative. Kujtojmë psh: gjuajtje bombë, sulm rrufe, ndërmerr një inkursion në prapavijat e kundërshtarit, përparësi në sulmet ajrore etj.

Pavarësisht në se kemi të bëjmë me metafora të shuara apo aktive, përdorimi i shpeshtë i tyre në ligjërimet për futbollin dëshmon se kanë ekzistuar dhe vazhdojnë të ekzistojnë arsye të forta, që lidhjet genuine mes këtij sporti dhe luftës të nxirren sa më në pah, të bëhen sa më të perceptueshme dhe, mundësisht edhe më emocionuese për spektatorët.

3.

Tifozeria dhe stadiumi janë mjete të tjera efikase për të theksuar edhe më tepër lidhjet futboll - luftë.

Vështirë të thuash se futbollistët e shohin ndeshjen si betejë ushtarake. Harxhojnë mijëra orë për të mësuar teknikat e përdorimit të topit, të pasimit, gjuajtjes, driblimit etj. I njohin këto veprime në hollësi, i quajnë me emra teknikë, ndaj nuk kanë nevojë për metafora e krahasime që t’i perceptojnë.

Do të ishte afërsisht njësoj sikur konstruktori ta përfytyronte avionin si shpend. Perceptimi teknik synon thelbin e gjesë dhe jo ngjajshmëritë e jashtme me gjëra të tjera.

Me tifozët e tifozeritë puna ndryshon. Vijnë në stadium që të provojnë sa më shumë emocione. Rruga më e mirë për ta arritur këtë është të ikin sadokudo nga vetja dhe nga përditshmëria.

Duke zgjedhur skuadrën për të cilën do të bësh tifo, ke zgjedhur njëkohësisht edhe tifozerinë ku do të bësh pjesë, bashkësinë të cilës do t’i përkasësh. Stadiumi si hapsirë publike lehtëson lidhjet e shpejta me të tjerët, ngjall ndjesinë e përkatësisë me grupin, gjeneron një identitet kolektiv, të mbush mendjen se je pjesë e një bashkësie të madhe dhe kështu të bën të ndihesh më i fuqishëm e më i zoti.

Bluzat uniforme, bojatisja e fytyrës, sloganet e këngët që këndohen korazi me sa të ha fyti, uljet e ngritjet e harmonizuara me të tjerët si të ishin koreografi e një riti të lashtë - të gjitha këto shërbejnë sadokudo për të krijuar ndjesinë e një bashkësie parake, më pranë primitives dhe instikteve. Kjo atmosferë trashendence nga e sotmja tek parakja, nga grupi tek turma e sjell atmosferën e agresivitetit, të luftës dhe shfryrjes nga fusha në shkallët e stadiumit.

Por stadiumi asociohet me spektaklet e dhunshme e të përgjakura edhe në një rrafsh tjetër, kësaj here logjik dhe intelektual. Historikisht dihet se stadiumet e sotme janë pasaardhës të amfiteatrove romake, ngrehinave që grumbullonin qytetarët për të parë dyluftime gladiatorësh, ndeshje me kafshë të egra, ekzekutime publike etj.

Siç argumentonte Garret Fagan tek “The lure of the arena”, spektatorët e sotëm përjetojnë thuajse të njëjtat shtysa psikologjike me spektatorët e gladiatorëve romakë, pavarësisht ndryshimeve në kohë dhe në vlera.

4.

Lidhjet futboll - luftë janë të dukshme e të qarta. E diskutueshme mbetet në se këto lidhje dhe ngjajshmëri i zbusin apo i ndezin instiktet agresive.

Që nga antikiteti grek e deri në ditët tona, kanë mbijetuar dy qendrime të kundërta. Aristoteli ishte i pikëpamjes se funksioni i një spektakli të dhimbshëm e të dhunshëm është katarsisi, spastrimi shpirtëror, shkarkimi i prirjeve agresive të shikuesve nëpërmjet përjetimit simbolik të dhunës.

Platoni kishte qasje tjetër. Sipas tij, e vërteta e spektaklit është më e fuqishme dhe më ndikuese se e vërteta reale.

Njeriu, shtonte filozofi, merr tiparet e asaj që sheh, në se sheh veprime të dhunshme, agresiv e i dhunshëm do të bëhet.

Praktikat e psikoterapisë bashkëkohore duket se i japin të drejtë Aristotelit. Përjetimi i dhunës në rrafsh simbolik e virtual i shërben njeriut të shkarkojë dhe të reduktojë agresivitetin, të jetë më i qetë dhe më paqësor.

Gjithsesi edhe sot e kësaj dite vazhdojnë diskutimet në se lodrat armë apo spektaklet e dhunshme rrisin fëmijë paqësorë apo shtojnë radhët e kriminelëve të së nesërmes.

Prirja për të nxjerrë sa më në pah lidhjet mes futbollit dhe luftës duket se i ka rrënjët pikërisht tek funksioni katarsik a spastrues i spektaklit. Por, shtojnë studjuesit, kjo prirje mbetet konstruktive sa kohë që kufizohet brenda stadiumit dhe nuk përzihet me dukuri të tjera.

Kur tifozeria vazhdon demonstrimet në rrugë a në sheshe, rrezikon të kthehet në turmë huliganësh, që të sjellin në mend barbarët e dikurshëm.

Problemi bëhet më i rëndë e më i rrezikshëm kur kufijtë që ndajnë tifozeritë nuk kanë të bëjnë vetëm me skuadrat, por vijnë e përzihen me ndasi etnike, fetare, politike etj. Në raste të tilla lufta futbollistike nuk është më spektakël katarsik, por benzinë që i shtohet zjarrit të urrejtjes. Dhe rrugët e lara në birrë, mund të shndërrohen në rrugë të lara me gjak.

Tagged under Çapajev Gjokutaj