Andej-Këtej

Solstici i dimrit dhe Krishtlindja

Nga: Klodi Stralla

21 dhjetori njihet si data e Solsticit të dimrit apo data kur nata është më e gjata dhe dita më e shkurta e vitit. Kjo datë astronomike, që njihej që nga kohët antike e pagane, u përdor edhe nga besimi kristian për ta lidhur atë me datën e lindjes të Krishtit. Lidhja ka një histori që po ua sjell më poshtë.

Në shek.III-të pas Krishtit, Perandoria Romake ishte në apogjeun e vet. Ajo ishte zgjeruar aq shumë sa deti Mesdhe kosiderohej prej tyre si “Mare nostrum” (deti ynë) dhe në përbërje të saj ishin dhjetra e dhjetra popuj, gjuhë dhe zakone të ndryshme. Ushtria e saj (zemra e perandorisë) ishte veçanërisht heterogjene, në sajë të mercenarizmit.

Sistemi politeist, besimi në shumë perëndi, nuk ish në gjendje të mbante të bashkuar shpirtërisht këtë mozaik të paparë popujsh të Botës antike. I shtytur nga nevoja të tilla praktike perandori Aurelian (270-275) e deklaroi “Diellin” - Sol Invictus (Dielli i pamposhtur), si kultin kryesor të Perandorisë dhe ditën e 25 dhjetorit, që përkonte edhe me Solsticin e dimrit, si datë të festimit të tij. Këtij kulti iu dedikua edhe një Tempull në qendër të Romës, në fushën e Marsit, ku ai do të festohej me ceromoni shtetërore. U krijua edhe një kolegj priftërinjsh (Pontif-ësh). 
Kulti i Diellit ishte pagan, siç ishte e gjithë bota romake, por njëherazi shënoi edhe fillimet e Monoteizmit, sepse Dielli ishte një, i vetëm, i zjarrtë dhe i plotfuqishëm.

Vite më vonë Perandori Kostandin (306-337), me origjinë ilire, ai që njohu Krisherimin si Fe zyrtare të Perandorisë (325 pas Krishtit) e përdori këtë datë popullore (25 dhjetorin) si datë të lindjes të Krishtit dhe që nga ajo kohë dhe deri sot ajo simbolizon ditën e lindjes të tij – Krishtlindjen.