Andej-Këtej

Imigrantët ilegalë në USA dhe Shqipëria - Nga Parid Turdiu

Dje, në shtetin e Misisipit, Policia e Imigracionit ICE arrestoi 700 imigrantë ilegalë (të denoncuar nga agjentë që ICE kishte rekrutuar në dyqanet hispanike të ushqimeve).

Ata jane në USA prej shumë vjetesh, ku kane lindur femijë që bëhen automatikisht shtetas amerikanë.

Krijohet dramë, se policia arreston prindët dhe fëmijët fillojnë të qajnë, mblidhen njerëz, vjen shtypi, vijnë aktivistë dhe politikanë, secili me axhendën e vet.

Ndërkohë, ata njerëz kanë kryer vepër penale, duke kapercyer ilegalisht kufirin e nje vendi të huaj. Ndërkohë, kanë 15 vjet në USA, mënyra e jetesës së tyre është këtu.

"Nqs dikush vjen në shtëpinë tënde, do ti që të paktën t'i bjerë ziles?"- pyes unë.

Qeveritë e shkuara kanë mbyllur një sy për motive të dobëta: për votat e hispanikëve, për të kënaqur korporatat duke ulur rrogat e fuqisë punëtore, për krah pune në ndërtim, bujqësi, restorante, për shërbyes e kopshtarë në shtepitë e pasanikëve.

Kjo temë i ngjan çështjes së zaptimeve të tokave në Shqipëri. Qeveritë e kanë mbyllur një sy, për rryshfete e blerje votash. Tani, po t'i heqësh ilegalët, bëjnë zhurmë dhe e kthejnë në problem social.

Çështja e 12 milion «rezidentëve» ilegalë është një plagë për USA, sepse krijohet një subklasë njerëzish që fshihen, shfrytëzohen, nuk kanë të drejta të plota, nuk përfitojnë nga sherbimet sociale, nuk kanë shërbim shëndetsor e pension, nuk udhëtojnë dot jashtë USA, nuk dalin dot nga varfëria. Në shumë raste shkelin ligjin, nuk paguajnë taksa.

Njëlloj si rasti i pronave ilegale në Shqiperi, që nuk mund të shiten apo të përdoren si kolateral për hua.

Në USA propozohen tre rrugë:

  1. Të kapen dhe të deportohen.
  2. Të paguajnë gjobë dhe të legalizohen.
  3. Të amnistohen (të legalizohen pa gjobë).

Zbatimi i plotë i ligjit kërkon rrugën e parë.

Për arsye humanitare (Krishti: "Mëshira para drejtësisë") une preferoj të dytën, ndonëse nuk më pëlqen fare që ligji të mos respektohet. Por gjoba duhet të jete e konsiderueshme, që të tjerët të mendohen para se të kalojnë kufirin.

Rruga e tretë eshte humane ndaj ilegalëve, por e padrejtë ndaj legalëve. Për më tepër e perjetëson problemin.

Ronald Reagan bëri amnisti, i legalizoi të gjithë. Shpejt u mbush me 12 milion të tjerë. Po të jetë ashtu, pse ta mbajmë kot kufirin, më mirë e heqim fare.

P.S. Në Shqipëri, pse ta mbajmë kot pronen private? Më mirë e heqim fare dhe biem rehat. Ta vendosë komiteti i partisë se kush jeton ku.