Andej-Këtej

Kur jetohet me filtër në fytyrë- Nga Nezir Kraki

Para disa ditësh nga Kina e madhe doli një lajm i vogël por i çuditshëm. Një video blogere (Vlogere) e re kineze zhgënjeu qindra mijëra ndjekësit e saj kur papritmas, në komunikim “live”, ‘filteri i fytyrës’ që ajo përdorte pësoi defekt. Pa një pa dy, kinezja e re dhe e bukur 20-vjeçare u shndërrua në një grua 55-vjeçare me pamje krejt tjetër. Ndjekësit e saj, sidomos meshkuj që edhe e financonin blogun me video dhe chat, u alarmuan dhe filluan ta çndjekin (fjalë e re) “bukuroshen e plakur” duke i bllokuar edhe donacionet që i kishin bërë.

Lajmi e çuditi Kinën mbarë, por opinioni, megjithatë, tregoi mirëkuptim ndaj “viktimës”. Në fakt, fajtori kryesor këtu ishte inteligjenca artificiale, dmth aftësia e rreme robotike. Dhe tash, kur bota gjendet në ciklin artificial të dijes, të mendimit, të dukjes, të sjelljes, domethënë të krejt jetës, edhe ajo kinezja i ishte përshtatur rendit. Krejt normal.

Sidoqoftë, në një moment edhe artificialitetit i vjen fundi se robotin e algoritmet e tij njeriu i ka lindur. D.m.th. njeriu i gabueshëm. Morali i kësaj vakie që po e ndaj me ju është se sipërfaqësorja dhe mitomania janë bërë sot mënyra jetese gjithkund. Çdo gjë e jetojmë me filtër sepse realja shpesh na trishton derisa e thjeshta na inferiorizon. Filtrohen foto, video, sy, vetulla, trup, muskuj, flokë .... për të gjitha këto mendon roboti. 

Nejse...krejt kjo mund të kuptohet dhe pranohet si një modë globale e mitomanisë kolektive të normalizuar tashmë. Një ditë edhe kjo modë do demodohet. Por janë ca filtra që duhet të bien urgjentisht sidomos tek ne shqiptarët. Cili është filtri më i madh dhe më i rrejshëm i këtyre 20 viteve tek ne? Ai që është përdorur nga politika, natyrisht. Filtrin me të cilin bandat na dhunojnë prej vitesh nuk e ka ideuar asnjë robot. Ai është filtër artizanal i krijuar dhe imponuar nga vetë bandat. Populli (sikurse ndjekësit e kinezes) sheh dyftyrësi në çdo ekran dhe secili duhet ta kuptojë që “idolin” e ka të rremë, FAKE. Që ajo, e cila shihet e dëgjohet s’është e vërteta. Mos u habisni nga filtrimi, shikojini fytyrat e vërteta të atyre që ndiqni. Mos ia besoni fatin një fytyre me filtër.