Andej-Këtej

Mania për t’u dukur

Nga: Ndue Ukaj

Është shumë e çuditshme performanca e shqiptarëve në raste specifike, sidomos kur ka festa kombëtare dhe fetare, dhe kjo më së miri vërehet në rrjetet sociale.

Facebook-u vërshohet nga urime pafund, ku hasim fjalë të zgjedhura, dhe të mbushura me plot dashuri, respekt, solidaritet, mirëkuptim për njëri-tjetrin, ndërkohë që, ne e dimë mirë se e vërteta është krejt ndryshe.

Sa herë ka të tilla momente, unë habitem dhe zihem me vetveten. Pyes, si është e mundur, shqiptarët që shquhen për mosmarrëveshje, mosdurim, mosrespekt dhe mosdashuri për njëri- tjetrin, përnjëherë t’i ulin flamujt e ndarjes dhe të bëhen të kuptueshëm, të durueshëm, të respektueshëm, solidarë dhe të dashur me njëri-tjetrin?

Dhe, në këso raste, në ndihmë më vjen i dituri Umberto Eco, i cili, duke i hetuar krizat e njeriut bashkëkohor, shkroi: “Sot, mania për t’u dukur (dhe dëshira për t’u bërë i njohur me çdo çmim, edhe me çmimin e asaj që dikur quhej damka e turpit) vjen nga humbja e ndjenjës së turpit apo turpin e hamë me bukë, pasiqë vlerë mbizotëruese në shoqëri është të dukurit, qoftë edhe me koston e turpërimit."

Pa pikën e dyshimit, shoqëria jonë, ka nevojë jetike të injektohet me më shumë mirëkuptim, dashuri dhe respekt për njëri-tjetrin. Mbi të gjitha, ajo ka nevojë t’i ulë flamujt e ndarjes dhe t’i ngrejë lart ata të bashkimit, ama, njerëz, kjo nuk duhet të bëhet vetëm në raste të shënuara, kur ka festa kombëtare dhe fetare. Sepse, kështu kallëzojmë vetëm hipokrizi dhe asgjë më shumë.