Bota Shqiptare

Diaspora shqiptare në ekspozitë 

Nga: Dorian Koçi

Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve në Shkup çelën ekspozitën “Unë jam shqiptar”, ku përfshihen materiale fotografike mbi diasporën shqiptare. Kjo ekspozitë organizohet në kuadër të festimeve të 140-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit dhe të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, si ngjarjet më madhore të kombit shqiptar.

Ekspozita hapet në mënyrë kronologjike me fotografinë e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skëndërbeut, si përfaqësues i epokës që shënoi valët e para të mëdha të emigrimit shqiptar. Vijojnë arbëreshët e parë me ngulimet e tyre në Italinë e Jugut. Diaspora Shqiptare dha kontribute të shquara në lëvizjet kombëtare në shtetet ku u vendos. Arvanitasit u dalluan si luftëtarë të guximshëm të Revolucionit Grek të vitit 1821 dhe nxorën nga gjiri i tyre figura të tilla si; Bubulina, Teodor Kolokotroni, Andrea Miauli, Odise Andruco etj. Në Itali Garibaldi i quan Arbëreshët heronj të lëvizjes çlirimtare italiane dhe për bashkimin e vendit.

Gjatë pushtimit osman, sidomos në Rilindjen Kombëtare kolonitë shqiptare mbajtën lidhje të vazhdueshme me atdheun dhe dhanë kontribute të shquara në lëvizjen kombëtare dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Rilindësit e mëdhenj që nga Naum Veqilharxhi, Jeronim De Rada, princesa rumune me origjinë shqiptare Elena Gjika ose Dora D’Istria, Andon Zako Çajupi, Thimi Mitko, Fan Stilian Noli, Faik Konica ishin personalitete të shquara të diasporës në hartimin e programit të Lëvizjes Kombëtare shqiptare, në zhvillimin e arsimit dhe të kulturës, në krijimin e shoqërive patriotike etj. Kolonitë shqiptare vazhduan veprimtarinë e tyre edhe pas krijimit të shtetit shqiptar. Ato e mbështetën atë hap pas hapi në rrugën e gjatë të konsolidimit të tij, të afirmimit në botën ndërkombëtare për demokratizimin dhe lidhjet e tij me popujt e tjerë etj.

Emigranti i parë i identifikuar në SHBA është moment i rëndësishëm në ekspozitë, duke vijuar më fotografi të shoqërive të para patriotike në Sofje, Bukuresht, Kajro, Stamboll e Vjenë. Diaspora shqiptare pasqyrohet nëpëmjet fotografive të protagonistëve të saj, fotografi të themeluesve të shoqërive patriotike, si të Fan S. Nolit, Faik Konicës, Mit’hat Frashërit.

Emigracioni i punës në Shqipëri arriti kulmin në fund të shek. XIX dhe fillimit të shek. XX, të shkaktuar nga proceset e industrializimit dhe urbanizimit të shpejtë në shumë vende evropiane dhe në Amerikën e Veriut. Gjatë gjithë kësaj periudhe, një numër i madh i shqiptarëve emigruan për arsye politike dhe ekonomike, si: Gjon Mili, Stavro Skëndi, Xhon Belushi e Sten Dragoti.

Një figurë e rëndësishme për popullin shqiptar dhe mbarë njërëzimin është ajo e Shën Terezës së Kalkutës, ose Gonxhe Bojaxhiut shqiptare. Muzeu Historik Kombëtar, si institucion i kujtesës kombëtare dhe përçues i vlerave të trashëgimisë kulturore në rajon e më gjerë ka organizuar veprimtari të shumta për nder të Shën Terezës, duke vënë në dukje vlerat humane dhe mesazhet që ajo i ka dhënë njerëzimit.

Ekspozitat që janë organizuar çdo vit në muajin shtator janë pritur me interes të veçantë nga vizitorët vendas dhe ata të huaj. Por edhe këndi i Shën Terezës në katin e dytë të Muzeut Historik Kombëtar, me objekte dhe sende personale të shenjtores me origjinë shqiptare paraqet një interes të veçantë.

Në mars të vitit 1991, pas rënies së diktaturës dhe zgjedhjeve të para demokratike, vetëm pak ditë, më shumë se 24,000 shqiptarë lundruan drejt brigjeve të Italisë. Kjo ngjarje konsiderohej si një krizë kombëtare për Italinë dhe Shqipërinë. Këto ngjarje pasqyrohen me fotografi nga momentet e refugjatëve në Ambasadën Gjermane si dhe largimi i tyre nëpërmjet portit të Durrësit duke përdorur anijen “Vlora”. Mijëra e mijëra qytetarë u larguan duke lënë pas adheun e tyre, tokën, shtëpinë dhe të afërmit.

Në të gjitha periudhat veprimtaria ekonomike e emigrantëve shqiptarë mbeti një faktor i rëndësishëm ekoomik në buxhetin e familjeve të tyre dhe më pas të shtetit shqiptar. Diaspora e re bën përpjekje të mëdha për t’u integruar me sukses në jetën ekonomike, politike dhe kulturore të vendeve pritëse, ndikon në zhvillimet e Shqipërisë dhe shërben si urë lidhëse ndërmjet vendit amë dhe vendeve pritëse.

Pjesa tjetër e ekspozitës, por jo më pak e rëndësishme, prezantohet nëpërmjet fotografive nga personalitetet e suksesshme shqiptarë në vendet e emigrimit të tyre. Diaspora Shqiptare në shumë raste e pasuruar me elementë të rinj dhe të shkolluar në perëndim dha ndihmesë në pluralizmin e ideve dhe të gjithë opinionit publik.