Bota Shqiptare

Përcaktimi i Patriotizmit sipas Ernest Koliqit

“Atdhedashunia e vërtetë qendron në ushtrim të përditshëm të vetive me të zgjedhuna njerezore e kombtare, sidomos në mërgim. Je atdhetar? Mos i a nxij fytyrën Shqipnis.

Nderi i atdheut ruhet me sjellje t'urta, dhe të përditëshme. Çdo marrëdhënje me të huej sherben me i a forcue e shtue namin e mirë Shqipnis. I hueji mbi Shqipnin din pak ose aspak. Po dijti pak, zakonisht i shikon Shqiptarët si njerëz primitive, d.m.th. barbarë.
Kanë ba propagandë të madhe anmiqt e kombit tue na përshkrue si njerëz të paaftë me u vetqeverisë. Çdo vepër jo e mire vërteton akuzat e kundërshtarve. Kur sillesh me urti e me nder në vendin ku punon, paraqitesh njerezisht ndër të huej me të cilët ke marrëdhanje, me autoritete të shtetit qi të dha strehim? Ke krye nji vepër patriotike më të madhe se me qitë pushkë për çështje shpesh të keqkuptueme nderi a prestizhi. Të rregullohemi në mënyrë qi, kudo në botë na hodhi murrani i fatkeqsive kombtare ose vetiake, I hueji të mendojë e të thotë: " Burra të mirë këta Shqiptarët. I a marrët të keqen kush flet keq për ta ".

(Marrë nga "Shejzat", mars 1971)

Përzgjodhi: Albana Lifschin