Bota Shqiptare

Rama shpërndan ftesa, Majko gëzon

Edhe 35 ditë e ndajnë diasporën shqiptare nga Samiti i dytë që mbahet për hir të saj. Ftesa publike paraprake, ende jonominale e firmosur prej kryeministrit Rama është shpërndarë përmes adresave elektronike si dhe publikuar në faqen e ministrisë (http://samiti.diaspora.gov.al/ftesa-e-kryeministrit/. Ndërkohë ministri i shtetit për Diasporën gëzon për ngjarjen e madhe që po afron. Ai (domethënë grupet e punës që ka ngritur) njoftojnë të interesuarit të regjistrohen online për pjesëmarrjen, http://samiti.diaspora.gov.al/regjistrohu-ne-samit-2 madje edhe të vendosin kontakte me panelistët në Samit nëse do duan të jenë aktivë. Vetëm sigurohuni për politikat e privatësisë së të dhënave personale kur të regjistroheni.  

Kështu pra, programi i Samitit më në fund është bërë publik (http://samiti.diaspora.gov.al/programi-i-samitit/. Aty mund të gjenden temat e diskutimit.

Pjesëmarrësit do të kenë dy ditë të ngarkuara për shqisat. Do dëgjojnë fjalimin me Odise e Itakë nga Kryeministri, me vuajtje, lot e empati falso nga Ministri. Më pas do shohin panaire e ekspozita por edhe salla mbrëmjeje gala të përgatitura enkas me buxhetin 600 milionësh të akorduar për këtë ngjarje.

E sigurt është që disa prej atyre që kanë marrë pjesë në Samitin e parë do të jenë sërish të ftuar, madje mund edhe të marrin ndonjë medalje për zellin e treguar në trokitje duarsh dhe tundje aprovuese koke për çdo deklamim nga pushtetarët e vendit të origjinës. Do të hanë drekën e rastit e do buzëqeshin para objektivëve të aparateve, do vrapojnë t’i shpërndajnë në rrjete sociale e me kaq “Bac u kry”. Disa pjesëmarrësve do t’u vazhdojë entuziasmi i aktivitetit për mjaft ditë rresht, kjo do duket qartësisht në postimet e tyre patetike atdhetare dhe më pas do t’u kthehen punëve të përditshme ose edhe qejfeve. Punë për ta!

Kjo është pjesa e parashikueshme, ndërsa ajo që nuk është e parashikueshme mbetet për t’u parë nga afër fizikisht por edhe virtualisht. Si për shembull reagimet e pjesëmarrësve, kritikat e diskutimet konstruktive me panelistët apo surprizat me anëtarët e Këshillit Koordinativ të Diasporës. A do të ketë zgjedhur vallë qeveria shqiptare njerëzit me integritet e të pakontrollueshëm apo do të ketë listuar fitues ata që janë lehtësisht të menaxhueshëm vetëm me një shkelje syri?? Domethënë (ish)ushtarët e bindur të vijës së partisë??

Jemi në pritje.

E kemi thënë që do të ishte e udhës ligjërisht dhe moralisht që anëtarët e përzgjedhur të ishin shpallur që në 18 dhjetor, Ditën Kombëtare të Diasporës. Por meqënëse atëherë nuk ndodhi, duhet të shpallen të paktën 1 muaj para mbledhjes së Samitit.

Jo për gjë, por nisur nga koha e secilit dhe çmimi i fluturimeve me Tiranën, qeveria shqiptare duhet të marrë në konsideratë edhe anën teknike të çështjes, krahas zbatimit të ligjit.

©FlasShqip