Bota Shqiptare

Organizata ‘Germin’ i kërkon Majkos të mos shpallë Këshillin Koordinativ të Diasporës

Disa ditë më parë organizata e njohur për diasporën shqiptare “Germin” i ka dërguar një letër Ministrit të Shtetit për Diasporën Pandeli Majko, duke e bërë me dije lidhur me disa shqetësime në prag të Samitit të Dytë. Në letër gjithashtu shtjellohen disa rekomandime për ministrin bazuar edhe në Memorandumin e Mirëkuptimit, të nënshkruar vitin e kaluar midis “Germin” dhe Ministrit të Shtetit për Diasporën.

Diaspora jo më si mysafire në samite qeverie

Sipas "Germin", organizimi i Samitit të Dytë të Diasporës dhe miratimi i Strategjisë Kombëtare për Diasporën nuk i përfshiu pjesëtarët e Diasporës, gjë që përbën një shqetësim themelor. Prandaj Germin rekomandon që Diaspora të përfshihet si partnere në organizimin e ngjarjeve që kanë të bëjnë me të, tani dhe në të ardhmen, dhe mos të jenë vetëm mysafirë, pasi roli i qeverisë në shekullin XXI duhet të jetë lehtësimi i bashkëpunimeve e jo vetëm zbatimi i projekteve.

Për këtë, "Germin" propozon që të ngrihet një grup pune prej 10-15 anëtarësh gjatë apo menjëherë pas Samitit për të udhëhequr vazhdimësinë. Ky grup punues duhet të ketë përbërje të barabartë në mes të përfaqësuesve të Qeverisë, Diasporës dhe gjithashtu të përfshijë përfaqësues të Qeverive të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi të angazhuar në çështjet e diasporës. Zbatimi dhe rishikimi i Strategjisë Kombëtare për Diasporën dhe Planit të Veprimit të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me këtë grup punues.  

Çdo organizim/Samit i ardhshëm të udhëhiqet nga Diaspora me mbështetje të Qeverisë së Shqipërisë, Kosovës dhe vendeve të tjera që marrin pjesë në këto organizime, për të siguruar një Samit të vërtetë Pan-Shqiptar;

Sa i përket çështjes së Këshillit Koordinativ të Diasporës, Germin rekomandon që të vihet në pritje krijimi i Këshillit për Diasporën në mënyrë që procesi dhe nominimet e anëtarëve të ri-shqyrtohen nga grupi punues i lartëpërmendur. Është me rëndësi të krijohet një Këshill global pan-shqiptar për Diasporën, i përbërë nga të gjitha shtetet ku ka shqiptarë (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Lugina e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit)-thekson Germin.

Në letër nënvizohet dhe shqetësimi i përfaqësuesve të diasporës së organizuar lidhur me buxhetin që Qeveria e Shqipërisë ka alokuar për organizimin e Samitit të Dytë. Sipas Germin një buxhet aq i madh, prej 67 milionë lekësh (mbi €500,000), për një ngjarje tre-ditore eshte i tepërt kur ka nevojë për përpjekje tjera dhe shfrytëzim më të mirë të parave të taksapaguesve.

Së fundi, si një organizatë që i kushton rëndësi të veçantë teknologjisë, “Germin” i tërheq vëmëndjen Ministrit Majko lidhur me përdorimin e mediave sociale jo vetëm për promovimet qeveritare por t’i përdorë ato për të ndërtuar e vazhduar dialog serioz me Diasporën shqiptare.

Kjo letër i është dërguar Ministrit Majko rreth dy javë më parë, firmosuar prej dy drejtuesve të lartë të organizatës “Germin” Znj. Liza Gashi dhe z. Mark Kosmo, të cilëve nuk iu është kthyer një përgjigje.

Prandaj në epokën shqiptare të mosdialogut na mbetet të presim ditën e nesërme në çeljen e Samitit, i cili ironikisht hapet me sloganin “E gjithë vëmendja për diasporën” të marrim informacion nëse janë marrë në konsideratë këto rekomandime apo jo.

 

27 shkurt 2019