Bota Shqiptare

Pjesëmarrje e ulët nga Kanadaja në Samitin e Dytë të Diasporës

Nesër çelet Samiti i Dytë i Diasporës, organizuar nga qeveria shqiptare. Bazuar në zërat e buxhetit të hartuar për zhvillimin e këtij samiti, të publikuar në faqen e Ministrit të shtetit të Diasporës, harxhet janë parashikuar për 800 pjesëmarrës. Nuk dihet sa do të jetë numri i shqiptarëve që do të mbushin sallat luksoze të dekoruara enkas për këtë samit, apo sa prej tyre do të shkelin nëpër rrugët zbukuruar me flamuj, por ajo që dimë me siguri, është se nga diaspora shqiptaro-kanadeze numri i pjesëmarrësve do të jetë shumë i ulët. Gjithashtu burime nga Ministria e Punëve të Jashtme, bëjnë më dije se përfaqësuesit e diplomacisë shqiptare në botë nuk do të marrin pjesë në samit.

Burimet e FlasShqip kanë konfirmuar pjesëmarrjen e Julian Dyrmishi, Lulzim Rrafshi, Besa Mulaku, Rukije Kondaj, Ramazan Këllezi, nga provinca e Ontarios. Ndërkohë nga provincat e tjera si: Nova Scotia, Alberta, Saskatchewan dhe British Kolumbia, marrim informacionin se nuk do të marrë pjesë asnjë nga personat e ftuar direkt nga Ministri ose të ftuar me ftesën e përgjithshme të kryeministrit. Ndërkohë nuk ka konfirmim ende nga provinca e Quebec-ut për pjesëmarrjen e ndonjë kryetari ose anëtari shoqate.

Kjo indiferencë nuk tregon mungesën e dëshirës për të marrë pjesë në një organizim mbarëkombëtar, por mosbesimin në qëllimin dhe rezultatet e këtyre organizimeve, të cilat që në krye të herës në Samitin e Parë treguan se nuk ndryshonin nga mbledhjet e partive dhe qokat militanteske. Ashtu siç treguan edhe gjatë fazës përgatitore të Samitit të Dytë mungesën e vullnetit të qeverisë shqiptare për dialog me aktorët e interesuar direkt në këtë temë-shqiptarët e diasporës. 

Edhe këtë vit, nisur nga axhenda, janë premisat që Samiti i Dytë, të tregojë se është samit qokash kur të shpallë ndonjë ish-anëtar/e partie si anëtarë këshilli ose “Ambasador nderi”, sigurisht që tek-tuk mes 15 titujve do gjejnë ndonjë të moçëm a “të parrezikshëm”, për t’i dhënë medalje të merituar…

@FlasShqip