Bota Shqiptare

Naim Frashëri nderohet në Teheran  

Simpoziumi me temë “Analizimi i mendimeve të Naim Frashërit”, që u mbajt nga 5 deri më 6 mars të këtij viti në Teheran mblodhi bashkë  studiues nga  Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Irani. Mes tyre ishte ish-presidenti i Shqipërisë Rexhep Meidani, në cilësinë e profesorit të shquar dhe akademikut.

Në fjalën e tij Z. Meidani është shprehur se “do të ishte shumë mirë të kishim një përfaqësues edhe nga shqiptarët nga Mali i Zi, për të bërë atë kuartetin e fuqishëm të kombit shqiptar, që pavarësisht ndarjes së padrejtë është së bashku për të kujtuar një nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare, të zërit të fuqishëm të poezisë dhe të letërsisë shqiptare por njëkohësisht edhe një nga shpirtrat e Lëvizjes për Rilindjen Kombëtare”.

 “Unë personalisht besoj që kontakti njerëzor, kontaktet nëpërmjet veprimtarive të tilla si konferenca e sotme mbi Naim Frashërin, vetëm i shërbejnë bashkekzistencës së popujve, paqes midis popujve dhe në mënyrë direkte ose indirekte edhe bashkëpunimit në fusha të tjera përfshirë edhe atë ekonomik dhe në këtë kuptim duhet t’i shikojmë mundësitë për bashkëpunim”, tha ish Presidenti i Shqipërisë Rexhep Meidani në Teheran.

Naim Frashëri (25 mars 1846 – 20 tetor 1900) është një ndër patriotët më të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për pavarësi nga Perandoria Otomane. Ai konsiderohet gjërësisht si poet kombëtar i Shqipërisë dhe mbi të gjitha fryma e Rilindjes Shqiptare ka gjetur frymën e saj në veprat e poetit. Naimi Frashëri mori mësimë private në gjuhën persisht nga bektashinj vendas dhe tregoi interes për Bektashizmin dhe poezinë persiane. Ai është autor i 22 veprave.

Meidani ka nënvizuar gjithashtu para auditorit të Teheranit që Naim Frashëri “ka qenë mjeshtër i kësaj gjuhe, i kësaj gjuhe të bukur. Me vëllimin e lirikave të titulluara “Ëndrrat”, por njëkohësisht edhe një libër tjetër për gramatikën. Flitet për një gramatikë moderne, para se të përdorej në gjuhën perse. Ai është për shqiptarët si Hafezi, Saadiu, Kajami dhe Molana për iranianët. Në shekullin e 19-të, gjuha dhe kultura persiane ishin gjërësisht të përhapura ndërmjet shqiptarëve. Poezia e Naim Frashërit dhe pikpamjet e tij mund të luajnë një rol instruktues që studentët dhe intelektualët të mund të përqëndrohen mbi diplomacinë kulturore”.

Edhe pjesëmarrësit e tjerë vlerësuan lart figurën e rilindasit të shquar.