Bota Shqiptare

Shqiptarët në kohën e lirë para viteve ‘90

Si e kalonin shqiptarët kohën e lirë para viteve ‘90? Çfarë bënin të dielën e bekuar e të lënë pushim edhe nga Zoti? Nuk kishin larmi programesh televizive, apo disa kanale televizive por sajonin antena përmes telave të bakrit të kapnin italianin apo jugosllavin. Kishin teatro e kinema. Kur kishte shfaqje, biletat shiteshin shumë shpejt, e njëjta gjë edhe me kinemanë. Gratë dhe burrat visheshin me rroba të mira dhe mezi prisnin të ndiqnin filmin e ri. Ishte arritje e madhe nëse filmi do kishte ndonjë skenë (me pullë të kuqe i thënshin) në atë kohë, por të paktën do ishte një temë e mirë diskutimi për të nesërmen. Filmat dhe teatrot ishin një dritare e vërtetë për modën, mënyrën e jetesës, komunikimin, marrëdhëniet. Ishin leksione mbi jetën. Po tjetër çfarë bënin? Burrat kishin sportin. Edhe gratë e ndiqnin, sidomos volejbollin. Më të vjetrit mblidheshin në lulishte e luanin domino, shah, letra (me kujdes). Kishte që lexonin libra. Në atë kohë njerëzit dukej se lexonin më shumë. Dëgjonin radio Tiranën. Gratë gatuanin edhe për sezonet e tjera, bënin reçelra, turshi, pastërma, trahana, bonbone. Thurnin triko me shtiza, qëndisnin çarçafë, rrugica, punonin me grep perde, çentro për mobiljet, qepnin rroba, jorganë. Kishte nga këto aktivitete që i bënin edhe në grup komshijesh duke pirë edhe nga një kafe turke. Nuk kishin telenovela për të diskutuar, por ama shkëmbenin modele rrobash në letër kalk. Dhe kush kishte vajza, mund t’ia kishte nisur pajën që herët. Familjet rrinin më shumë kohë së bashku, praktikonin piknikun dhe vizitat tek të afërmit. Nuk kishin makina private, por kishin biçikleta, dhe nëse nuk kishin biçikleta, të ecurit ishte i zakonshëm dhe qetësues në rrugët pa ndotje dhe të gjelbëruara. Ndonjëherë mund të shkonin në restorant e të pinin ndonjë birrë, shijen e së cilës nuk e gjejnë sot askund, ndodhte edhe të vallëzonin. Fëmijët u rrinin urtë çuditërisht edhe pse nuk mbanin celularë në duar. Kështu tregojnë sot ata që kanë jetuar mes dy periudhave.

 

 

 ©Flasshqip.ca