Aktualitet

Prishtinë-Protestë kundër ideve të presidentit të Kosovës për ‘korrigjim kufijsh’

Me moton “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu”, mijëra vetë morën pjesë në një protestë në Prishtinë me organizimin e lëvizjes Vetëvendosje, për të kundërshtuar idetë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për "korrigjimin e kufijve" si rrugë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se protesta ka të bëjë me shqetësimin dhe brengat për Kosovën.

“Jo kompromis të dhimbshëm për Serbinë por për Kosovën. E nëse kufijtë korrigjohen me dhimbje për neve atëherë ky nuk është korrigjim por gabim shtesë. Edhe korrigjim edhe dhimbje nuk ka. Duket që presidenti po mundohet që t’i mbajë dy kunguj në një sqetull, mirëpo kjo do të thotë se ai e ka edhe një kungull të tretë që e mban mbi qafë”, tha zoti Kurti.

Ai deklaroi se me veprimet e fundit të presidentit, shteti i Kosovës është vënë në pikëpyetje.

“Përmes Thaçit po na teston Vuçiçi andaj le t’iu përgjigjemi të dyve, as Kosova nuk ndahet, as Kosova Lindore nuk ndahet, pavarësinë nuk e negociojmë, Serbisë borxh, nuk i kemi, dhimbje e kompromise tjera nuk pranojmë”, tha zoti Kurti.

Sipas tij, presidenti Thaçi duke thënë se Kosova i ka kufijtë e gabuar dhe nevojitet një korrigjim, i mundësoi presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç "që të vijë në veri të Kosovës për të promovuar jo vetëm ndarjen e Kosovës, por edhe politikën e Sllobodan Millosheviçit".

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç gjatë verës kërkuan mbështetje ndërkombëtare për një marrëveshje normalizimi ndërmjet të dyja vendeve, përfshirë edhe mundësinë e korrigjimit të kufijve.

Idetë e tilla nxitën reagime të partive politike opozitare por edhe të koalicionit qeverisës në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke përshëndetur protestën e sotme, shkroi në rrjetet sociale se "këto ditë në Amerikë kam përçuar porosinë e popullit të Kosovës se kufijtë e Kosovës janë ata të 17 shkurtit të vitit 2008 dhe se e ardhmja e Kosovës nuk do të ndërtohet duke cenuar sovranitetin e saj me kompromise territoriale".

Përfundimin e qetë të protestës e përgëzoi edhe e ngarkuara me punë në ambasadën amerikane në Prishtinë Colleen Hyland.

Idetë për prekje kufijsh kanë shkaktuar edhe ndarje në qëndrimet e komunitetit ndërkombëtarë midis atyre që do të pranonin një marrëveshje të tillë dhe atyre që druajnë se prekja e kufijve, mund të ripërtërijë armiqësitë në rajonin e Ballkanit Perëndimor./VOA

 

Tagged under Albin Kurti Vetvendosja