Aktualitet

Pëllumb Kulla - Ditë e bukur, e trishtë, në Tiranë…

Trafik i çmëndur. Shi dhe dëborë. Ftohtë, acar. Luftë e egër politike.

Uri e papërmbajtur pasurimi. Mashtrime…

***

Dje isha në zyrat e Vizion Plus-it, për një bisedë pune me artistin e dashur të komedisë Agron Llakaj. Nxitoja drejt një takimi tjetër dhe Gonia, këtë radhë në cilësinë e drejtorit, porositi një makinë të Vizion-it për mua. i thanë se pas jo më shumë se pesë minutave, automjeti do të ishte përpara shkallëve të ndërtesës në rrugën Dom Bosko.

U ndava me Llakajn, i cili po niste një mbledhje me artistët e tij dhe dola tek shkallët që më thanë.

Kaluan aty më shumë se pesë minuta dhe unë nisa të shqetësohem. Asnjë makinë me mbishkrimet Vizion Plus nuk po qëndronte përpara shkallëve. Aty kishin zënë vend dy taksi, të cilat po i shihja si zgjidhje të nevojshme për të mos humbur takimin që më priste.

Vendosa për këtë lloj zgjidhjeje, por taksisti i parë më tha se ishte i zënë. Atëherë iu ktheva taksistit të dytë, që aty pranë meje po shuante një bisht cigareje me majën e këpucës.

“Po ju? A jeni i lirë ju, apo prisni ndonjë pasagjer?”

“Nuk pres asnjeri,” ma ktheu ai. “Po ju vetë, m’u duk se dikë prisnit.”

“Nuk pres më,” i thashë pa hequr sytë nga rruga. “Më premtuan një makinë të Vizion-it, por mesa duket…”

Edhe taksisti nisi të vështrojë nga makinat që na kalonin para syve. “Duke ardhur do të jetë,” arsyetoi ai. “Ka një trafik të ndyrë sot.”

“Nuk e pres më.” Vendosa.

Ai buzëqeshi me nervozizmin tim dhe u mundua të më bindëte të prisja edhe dy-tri minuta.

“Do të më paguash kot mua, kur dikush po të bën nder duke ta dhënë mjetin në urdhërat e tua,” rrahu të më bindëte më tej.

E pashë që po vinte buzën në gaz.

“Po ti,” i thashë jo pa gaz në buzë edhe unë, “do që të punosh, apo ke vendosur të qash hallet e mia?!”

Taksisti qeshi dhe u bind të më fuste në taksinë e tij. Zumë vend. Ai u kujdes që dera nga ana ime të mbyllej më mirë. Ndezi motorin por gjithnjë pa ia ndarë sytë pasqyrës që tregonte rrugën prapa tij.

“Prit,” më tha befas. “Më duket se ajo, …që të kanë thënë…”

Zbriti me ngut dhe pas disa sekondash qe siguruar dhe u kthye.

“Erdhi makina që kanë nisur për ty!” më tha dhe fiku motorin e taksisë së tij.

E vështrova në sy dhe pata frikë se ata të mitë do të më ishin njomur.

“Si të quajnë?” e pyeta.

“Petrit,” m’u përgjigj me zërin e tij të butë.

Ia shtrëngova dorën fort.

“Faleminderit, Petrit! Qoftë ky një vit i mbarë për ty.” Dhe dola nga taksia.

***

Shokët që po më prisnin ishin të gjithë të një mendje se ky episod ishte edhe i thjeshtë, edhe i rrallë, edhe i bukur, edhe i trishtë…

Dhe unë që nga Tirana sjell për Petritin këtë tregim që është edhe i thjeshtë, edhe i rrallë, edhe i bukur, edhe i trishtë…

Dhe unë ulem e shkruaj në këtë ditë Janari. Ditë që sot është edhe ajo: edhe e thjeshtë, edhe e rrallë, edhe e bukur, edhe e trishtë….

10 Janar 2019

Tagged under Pellumb Kulla