Aktualitet

Maestro Bujar Llapaj ka një mesazh për tenorin Saimir Pirgu

Maestro Bujar Llapaj ka një mesazh për tenorin Saimir Pirgu, i cili është shprehur se do t’i duhen 200 mijë shfaqje për të rregulluar dëmin e një gome të djegur në Shqipëri.

 I dashur dhe i nderuar Saimir Pirgu,

Ne si shqiptarë krenohemi me ty kur të shohim në skenat prestigjioze anë e mbanë globit. Ti je qytetar i botës dhe me artin që bën i përket botës perëndimore dhe nuk ka pse të të vijë turp për një gomë të djegur, se sipas kësaj llogjike artistët francezë, apo vetë Dudameli do ishin mbuluar me perçe tanimë.

Meqë shkove në Tiranë, përveç takimit me kryeministrin dhe autoritetet e tjera shtetërore në mes shkëqimit dhe vezullimit, a more mundimin të biesh në kontakt me pjesën tjetër të Shqipërisë jashtë atij Samiti?

A pyete se pse ata shqiptarë "barbarë", "shpellarë" (cilësime të Kryeministrit për qytetarët e vet) janë të revoltuar? A shkove tek sheshi i Teatrit Kombëtar kur prej më shumë se 13 muaj, ditë e natë, artistë me renome botërore, intelektualë të spikatur, qytetarë të përgjegjshëm, rrinë roje në mbrojtje të një Monumenti të Historisë të Shqipërisë: Teatrit Kombëtar! Dhe jo vetëm, por edhe të Demokracisë, Lirisë, Kushtetutës nga një ligj tejet korruptiv (e vërtetuar) i kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Veliaj?
Prandaj unë thashë dje që "Shqiponja e Artë" e Edi Ramës është shqiponjë Grabitqare, dhe për fat të keq, sipas meje, përfituesi dhe viktima e parë ishe ti i nderuar Saimir. 
😢
Uroj të kesh jetë të gjatë dhe të arrish t’i bësh 200 mijë shfaqje, edhe dy milion, por jo me merakun dhe brengën për të rregulluar imazhin e një gome të djegur, por me shpresën dhe besimin se e mira vjen duke luftuar të keqen të mbartur në shpirtrat e zinj. Ky është edhe morali që shpaloset edhe në shumë opera, apo jo?
Të uroj vetëm të mira ngado që të shkosh!

Miqësisht,
Bujar Llapaj