Aktualitet

Diaspora Peticion Qeverisë Shqiptare

25 anëtarë të Diasporës Shqiptare, kryesuar prej Mark Kosmos nga Bostoni kanë marrë nismën e hartimit dhe shpërndarjes së një peticioni drejtuar kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Objekte të këtij peticioni janë vërejtjet mbi Samitin e Dytë të Diasporës, i mbajtur nga data 28 shkurt deri më 2 mars 2019 në Tiranë; punën e qeverisë në angazhimin e diasporës shqiptare, si dhe në fund jepen rekomandimet për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet me Diasporën.

Ky peticion erdhi si pasojë e shpërfilljes së qeverisë shqiptare ndaj kërkesave për bashkëpunim të Diasporës. 

Kushdo që ka interes mund të firmosë peticionin në https://www.change.org/p/koha-për-veprim-nga-komuniteti-globale-shqiptare

Në brendësi të peticionit është edhe një link i cili paraqet 5 rekomandimet e mëposhtme, që Diaspora i parashtron qeverisë shqiptare për të ardhmen.

  1. Ministri i Shtetit për Diasporën t’u përgjigjet me shkrim letrave dhe kërkesave të dërguara nëpërmjet postës elektronike nga përfaqësues të ndryshëm të diasporës, dhe mos t’i injorojë përgjithësisht ato siç ka bërë deri tani.
  2. Çdo Samit i ardhshëm i diasporës duhet të jetë mbarëshqiptar dhe duhet të organizohet nga Bashkësia Shqiptare Globale me mbështetjen e qeverive të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë Veriore dhe Malit të Zi.
  3. Një grup pune prej 15-20 personash, të zgjedhet nga organizatat udhëheqëse të diasporës së bashku me Ministrinë e Shtetit për Diasporën, Agjensinë Kombëtare të Diasporës dhe Ministrinë për Diasporën në Kosovë.
  • Ky grup pune të përbëhet nga udhëheqës dhe ekspertë të diasporës për të punuar së bashku me institucionet qeveritare sipas kushteve të paracaktuara për të garantuar përfshirjen e mendimeve të diasporës në politikat e qeverisë.
  • Ky grup pune duhet të ketë një përbërje të barabartë midis përfaqësuesve të qeverisë dhe diasporës dhe të përfshijë përfaqësues të qeverive të Kosovës, Maqedonisë Veriore dhe Malit të Zi të angazhuar në çështjet e diasporës.
  • Çështjet kryesore që rekomandojmë të trajtohen, përfshijnë: (i) Të drejtën e votimit për diasporën; (ii) Zhvillimin e rrjeteve të ndryshme profesionale për të lidhur diasporën shqiptare me Shqipërinë, Kosovën dhe vendet e tjera në rajon; (iii) Zhvillimin e një politike të qartë për nxitjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë.
  1. Deri më sot, qeveria shqiptare nuk është përpjekur zyrtarisht të marrë mendimin e diasporës rreth zbatimit apo rishikimit të Strategjisë Kombëtare për Diasporën dhe Planin e Veprimit. Ne rekomandojmë që konsultimet me grupin e punës dhe mbledhjet me diasporën të bëhen pjesë e pandashme e zbatimit dhe strategjisë.  Në të ardhmen ne duhet të kemi vetëm një strategji të përbashkët për të gjitha vendet e rajonit për të pasqyruar faktin se ne jemi një diasporë shqiptare, dhe të krijohen institucione të përbashkëta për të arritur këtë qëllim, sipas nevojës.
  2. Këshilli Koordinues i Diasporës, siç është propozuar aktualisht në legjislacionin shqiptar, është vetëm për Shqipërinë dhe duhet të rishikohet. Ne rekomandojmë krijimin e një Këshilli Global të Diasporës mbarëshqiptare, duke përfaqësuar të gjitha vendet e origjinës në Ballkan (Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë Veriore, Malin e Zi, Luginën e Preshevës, Medvegjën dhe Bujanovcin). Krijimi i Këshillit Koordinues të Diasporës duhet të shtyhet, derisa grupi i lartpërmendur i punës të mund t'i shqyrtojë tërësisht të gjitha alternativat në mënyrë gjithëpërfshirëse.

Përmes këtij peticioni, tregohet edhe një herë se diaspora shqiptare ka vullnetin dhe dëshirën e mirë për të qenë pjesë e vendit të origjinës në vendimmarrje dhe jo vetëm në ahengjet që qeveritë i kanë me merak t’i organizojnë.

Iniciatori i peticionit Mark Kosmo, lindur në SHBA, me prejardhje nga një familje shqiptare nga Korça e me profesion ekonomist, ka qenë për shumë vite ekspert i Bankës Botërore si dhe ka punuar si konsulent në Shqipëri pas vitit 1990. Aktualisht ai drejton organizatën Global Albanians Foundation me qendër në Boston si dhe është kryetar i Bordit Drejtues të organizatës për diasporën GERMIN. Mark Cosmo ishte ndër të parët përfaqësues në diasporë që denoncoi publikisht faturën e majme të Qeverisë për organizimin e Samitit II duke refuzuar të marrë pjesë aty.