Aktualitet

Kanadaja investon në Kosovë

Në Gjilan të Kosovës është përuruar fabrika kanadeze “Nutrivida Nutrients”, me fokus kryesor përpunimin e mbetjeve artificiale.

Kjo është fabrika e parë në Ballkan me veprimtari të këtij lloji, e cila do të ndikojë pozitivisht në ekonominë, veçanërisht në sektorin e bujqësisë në Kosovë.

Në ceremoninë e përurimit merrte pjesë Ambasadori i Kanadasë në Kosovë, z.Daniel Maksymiuk, i cili shprehu gatishmërinë e qeverisë së tij për të mbështetur edhe më tej investimet kanadeze në Kosovë. Theksojmë se mes dy vendeve është nënshkruar vitin e kaluar Marrëveshja për Mbrojtjen e Investimeve të Huaja, gjë që inkurajon investitorët e dy vendeve të ndërmarrin e të zhvillojnë nisma tregtare.

Ambasadori i Kanadasë në Kosovë, Daniel Maksymiuk dhe deputeti Andin Ukshin Hoti

I pranishëm në ceremoni, deputeti Andin Hoti, duke falenderuar ambasadorin ofroi gjithashtu mbështetjen si anëtar i Komisionit për Bujqësi dhe Ambient në Kuvendin e Kosovës për bashkëpunimet e mëtejshme me Kanadanë.

Marrëdhëniet ekonomike e diplomatike mes Kanadasë dhe Kosovës po arrijnë nivele më të larta në këtë 10-vjetor të historisë së tyre.

Një tregues i nivelit të këtyre marrëdhënieve është vizita zyrtare e Kryetarit të Asociacionit të NATO-së në Parlamentin Kanadez, deputetit federal z.Borys Wrzesnewskyj. Ai është takuar me krerët më të lartë të Kosovës, me të cilët ka diskutuar edhe mbi zhvillimet në fushën e sigurisë rajonale. Deputeti Wrzesnewskyj konfirmoi mbështetjen e palëkundur të Kanadasë, për integrimet Euro-Atlantike të Kosovës, me theks primar tek anëtarësimi në NATO, si dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Vlen të theksohet se deputeti Wrzesnewskyj është Nën-Kryetar i Grupit të Miqësisë Parlamentare Kanada-Kosovë në Parlamentin Kanadez, dhe mik i dalluar i Kosovës në Kanada. Deputeti federal në vizitën e tij në Prishtinë, është shoqëruar nga Ambasadori Lulzim Hiseni dhe Ambasadori i Kanadasë Daniel Maksymiuk.

Maksymiuk-Wrzesnewskyj-Hiseni

Gjithashtu në kuadër të bashkëpunimit Kanada-Kosovë, kujtojmë se para një muaji u vendos që në Ottawa të emërtohet një rrugë me emrin “Parasol-Kosovo” sipas operacionit me të njëjtin emër, i cili solli në Kanada 7000 refugjatë nga Kosova gjatë luftës së vitit 1999.

Nisur nga sa më sipër vërehet puna e lavdërueshme e Ambasadorit të Kosovës në Ottawa Z.Lulzim Hiseni, i cili ka qenë tepër aktiv dhe eficient në takimet me zyrtarë të lartë kanadez duke ndërmjetësuar me sukses  edhe vizita dypalëshe mes funksionarëve të lartë të të dy shteteve.

©FlasShqip