Aktualitet

Teatri Kombëtar përçudnohet gjatë natës-Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

Gjatë natës së 25 prillit ose në të gdhirë të 26 prillit, (nuk dihet me siguri) godina e Teatrit Kombëtar është zhveshur prej shkronjave që prej vitesh qëndronin aty për t’i bërë me dije qytetarëve e turistëve identitetin e asaj ndërtese në mes të një sheshi godinash relativisht të moçme për qytetin e shpallur jo shumë herët në histori si kryeqendër e Shqipërisë.

Njëlloj si në '67-tën kur i vunë kazmën objekteve të kultit, apo në vitet e para të demokracisë kur plaçkiteshin fabrikat, njëlloj si në vitin e kobshëm ’97-të kur prona publike dhunohej pa ndroje, dje natën ose në të gdhirë të së Premtes së Zezë, është dhunuar jo vetëm fizikisht godina e Teatrit Kombëtar, por edhe shpirti i një kombi.

Nuk dihet se kujt i hyjnë në punë ato shkronja, Dhaskal Todrit të lavdishëm jo se jo, as ndonjë analfabeti nuk besojmë se i duhen 12 apo 14 elemente betoni, as ndonjë qyqari të varfër nuk do t’i kthehen në bukë ato gërma. Ndoshta ndonjë tregëtari a matrapazi mund t’i ketë interesuar t’i zotërojë si souvenire e t’i ekspozojë nëpër muze bashkish me relikte nga historia e shembjes së një qyteti.

Akte të tilla, zjarre apo shkulje shkronjash, heqje tulle apo gërvishtje muri janë terrorizëm ndaj kulturës dhe vlerave të një kombi. Këto vjedhje a gjymtime, nuk i bëjnë të pangrënët, por të panginjurit, nuk i bëjnë të pashkollët, por të panxënët. Këta nuk dalin natën t’u ngjiten mureve, por falangat e tyre të krimit e bëjnë këtë dhe gjithçka tjetër që urdhërohet prej të eturve për rrënime identitetesh e ngritje falsitetesh.

Nuk pretendohet të gjendet autori i shkuljes së ca shkronjave, kur dihen botërisht autorët aktivë dhe pasivë të shkuljes e përçudnimit të historisë së Shqipërisë.

*Foto e marrë nga profili i FB i aktorit të njohur të Teatrit Kombëtar Neritan Liçaj

©FlasShqip