Aktualitet

Ja si deputetët përdhosin parlamentarizmin

Deputetja e Partisë Socialiste Eglantina Gjermeni duket se ka marrë urdhër nga lart t’i shërbejë verbërisht Gjinushit. Ajo ka paraqitur si iniciativë të deputetëve projektligjin për Akademinë e Shkencave, dokument ky në fakt i përpiluar fjalë për fjalë nga Skënder Gjinushi dhe grupi i punës që ai drejtoi-thotë akademiku Artan Fuga. Duke kryer një akt të pastër plagjiature, deputetja e Partisë Socialiste po shfaqet si një bashkëpunëtore e mirë e veprimeve të paligjshme dhe joetike.

Shqetësimin e ngre sërish Akademiku Artan Fuga, i cili në deklaratën e tij të fundit në Facebook citon se “Komisioni dhe deputetë të ndryshëm të tij bëjnë sikur nuk e venë re këtë fakt djegës, merren vesh mes tyre, dhe shkelin pikërisht kërkesën për të sqaruar qartë se e kujt është inciativa ligjore e paraqitur. Nëse është e një grupi deputetësh atëhere çfarë duan aty përfaqësuesit e Akademisë të Shkencave apo të grupit të Ministrisë të arsimit që marrin fjalën sëbashku me deputetët propozues, duke përjashtuar të gjitha palët e tjera të interesuara, sidomos ato që janë kundër këtij projektligji?”-pyet akademiku Artan Fuga.

Nga ana tjetër Komisioni i Edukimit dhe i Mjeteve të Informimit të Kuvendit për asnjë çast nuk u interesua të dijë se në cilat kushte dhe për çfarë arsye të justifikuara grupi i deputetëve propozues paraqesin një tekst të përgatitur nga dikush tjetër, pra përse ka rrëmbyer nga Ministria e Arsimit tekstin e projektligjit të përpiluar nga grupi i saj i punës? A mund të legjitimohet kjo nga ndonjë frazë e hedhur nga qytetarja Besa Shahini, ministre e arsimit të Shqipërisë, në llogarinë saj në rrjetet sociale?

Komisioni as interesohet të dijë nëse ky grup deputetësh ka bërë ndonjë studim ku mbështetet, ka konsultuar palët e interesuara në Akademinë e Shkencave, ka kryer ekspertiza, apo ai e njeh ai qendrimin e opinionit të gjerë të universitarëve të vendit për këtë problem. As nuk iu kërkua përfaqësuesve të Ministrisë të Arsimit, të jepnin llogari se përse një tekst projekligji që duhej përgatitur prej Ministrisë të Arsimit paraqitej në Komision nga një deputete pa asnjë lidhje me çështjen, pa asnjë përvojë dhe referencë të çertifikuar në çështjet e administrimit të kërkimit shkencor në rang teorik dhe institucional sikurse është qytetarja deputete Eglantina Gjermeni!

Për më tepër ky komision ka ndërprerë dëgjesat për projektligjin me qëllim shmangien e profesor Fugës si kritik i hapur ndaj projektligjit të propozuar nga grupi i deputetëve, duke shkelur kështu të drejtën kushtetuese të qytetarit Artan Fuga dhe duke e diskriminuar atë për shkak të bindjeve kundër projektligjit.

Në deklaratën e tij të sotme akademiku Fuga përveç denoncimeve të parregullsive, hedh dyshimet e tij mbi burimin e këtyre shkeljeve, disa shpjegime mbi pasojat e tyre por gjithashtu në fund shpall konsideratat e tij mbi disa çështje që i vlerëson urgjente për t’u vlerësuar me korrektësi juridike si dhe për t’u rishikuar dhe sqaruar për publikun si më poshtë vijon:

  1. Dëgjesa e organizuar në datën 10 maj e grupit të deputetëve propozues të projektligjit, personalisht e qytetares Eglantina Gjermeni, deputete, si edhe e grupit të përfaqësuar nga qytetarët Skënder Gjinushi dhe Vasil Tole, të shpallet e pavlefshme sepse në është krejt në kundërshtim me kërkesat kushtetuese. 
  2. Të sqarohet publikisht dhe me transparencës se e kujt është autorësia e tekstit të projektligjit të paraqitur. 
  3. Të dëgjohet personalisht qytetarja Besa Shahini, ministre e arsimit e Shqipërisë, se cilat janë arsyet e vërteta që nuk e paraqiti ajo në emër të dikasterit që i është besuar projektligji i hartuar duke e konsideruar pozicionin e saj në Facebook si mungesë respekti ndaj rrugëve të komunikimit midis një ministreje dhe Kuvendit të Shqipërisë. 
  4. T’i kërkohet Akademisë të Shkencave të Shqipërisë të mos fyejë dhe injorojë Kuvendin e Shqipërisë duke organizuar zgjedhjet me etje për pushtet pa përfunduar miratimi i projektligjit reformues dhe të gjitha hapat e tjera të kalendarit reformues. 
  5. Të shihet me imtësi legjitimiteti aktual i atyre që janë vetëshpallur drejtues në Akademinë e Shkencave duke kryer një anketë dhe investigim të hollësishëm mbi statusin ligjor të vendimeve me pasoja financiare dhe institucionale të Akademisë të Shkencave. 
  6. Të krijojë mundësitë e dëgjesave të të gjithë aktorëve të interesuar, veçanërisht të platformës sime reformuese, thirrur zyrtarisht nga kryeministri dhe Ministria e Arsimit për të marrë pjesë në këtë proces!

Nuk dihet sesa do t’i marrin parlamentarët në konsideratë problematikat që ngre profesor Fuga, duke ditur që veprimet e mosveprimet e tyre të mëparshme kanë qenë tërësisht në shkelje të ligjit dhe në funksion të trafiqeve politike. Ka mbetur kapja e Akademisë së Shkencave si institucioni i fundit i mbetur nën gjysmë kontroll. Me Gjinushin, gjuha e të cilit është e regjur prej lëpirjeve të çdo sistemi, e cila edhe pse ka qenë pedagoge nuk ka asnjë përvojë dhe referencë të çertifikuar në çështjet e administrimit të kërkimit shkencor në rang teorik dhe institucional, Rama i vë kapakun totalitarizmit të tij.

©FlasShqip.ca