Aktualitet

Libri i ri: “Çështja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare?

Diplomati, studiuesi dhe analisti diplomatik i mirënjohur, Shaban Murati sapo ka nxjerrë nga shtypi librin e tij të ri “Çështja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare?” Fryt i një pune studimore të gjatë disavjeçare, libri trajton një nga çështjet më interesante dhe më intriguese të diplomacisë shqiptare në të gjithë historinë e shtetit shqiptar, e cila ka marrë emrin çështja e detit. Është një çështje diplomatike, e cila lindi nga marrëveshja midis qeverive të Shqipërisë dhe të Greqisë në vitin 2009, e anuluar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në vitin 2010 dhe e cila mori statusin e një prej konflikteve kryesore diplomatike midis dy vendeve gjatë gjithë dhjetëvjeçarit që pasoi deri në ditët tona.

Libri del në një kohë kur çështja e detit ndodhet në apogjeun e debatit, të polemikave, të pikëpyetjeve, të dyshimeve dhe të enigmave. Ndonëse një çështje e nxehtë dhjetëvjeçare në marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve, çështja e detit karakterizohet nga një shkallë e madhe e mungesës së njohurive, mungesës së interpretimeve diplomatiko-juridike, mungesës së profesionalizmit dhe të studimeve shkencore, dhe të shumë paqartësive në qarqet politike, diplomatike, shkencore dhe publike të Shqipërisë.

Libri i ambasadorit Shaban Murati është një udhërrëfyes serioz, diplomatik dhe shkencor në përputhje me interesat shtetërore e kombëtare dhe sjell një ndihmesë të madhe për diplomacinë, politikën, shtetin dhe shkencën shqiptare dhe sidomos për mendimin diplomatik e politik shqiptar. Libri “Çështja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare?” shërben si gur prove për të matur dhe kuptuar realisht çdo cikël tratativash apo marrëveshjesh, që mund të prodhohen midis dy vendeve rreth temës detare. Për shkak të interesit të madh të temës në qarqet diplomatike dhe akademike, shqiptare, rajonale dhe më gjerë, libri është botuar njëkohësisht në gjuhën shqipe dhe angleze.

Burimi:Gazeta Shqiptare