Aktualitet

Pelegrinë drejt Laçit

Rruga drejt Laçit mëngjesin e sotëm ishte plot me makina e udhëtarë që me besimin në zemër po i ngjiteshin malores së Kishës së Shën Ndout. Nisi pelegrinazhi i 13 të martave deri më 13 qershor. Vendi i shenjtë i ka pritur besimtarët edhe pas vitit famëkeq 1967 kur iu vu kazma objekteve të kultit në Shqipëri.  Atëherë mbeti vetëm një shkëmb i lëmuar nga puthjet e prekjet e besimtarëve. Por edhe shkëmbin pushteti I atëhershëm donte ta rrëzonte. Sipas rrëfenjave thuhet se: “Në vitin 1981, një grup ushtarësh mori urdhër të shkonte te kodra e “Shna Ndout”, në Laç, për të rrëzuar pjesën e mbetur të rrethimit. Por sërish njerëzit shkonin e luteshin në gërmadha. Prej këndej ushtarët e zonës morën urdhër t’i hidhnin në erë muret e kishëzës e të Shën Ndout.

Pasi e shembën një pjesë të rrethimit, 32 ushtarët e togës  mbetën të paralizuar nga mesi e poshtë. Ishte një fenomen i pashpjegueshëm. Mbetën të ngrirë, aty, mbi mur, ku erdhën e i morën me shpejtësi. Qeveria e asaj kohe bëri çmos ta justifikonte ngjarjen, duke pohuar se ishte helmim nga ushqimi, por kjo diagnozë nuk u provua kurrë shkencërisht. Historia mbeti, edhe sot e kësaj dite, e veshur me mister”.

Sot kisha e ndërtuar në 1300 nga Franceskanët është rindërtuar dhe rruga e shtruar me asfalt drejt saj nuk është më e mundimshme si dikur.

Mijëra pelegrinë shqiptarë pa dallim feje, do të gëzonin Atë Shtjefën Gjeçovin apo Atë Zef Pllumbi, për devotshmërinë dhe dashurinë që përcjellin përgjatë 13 të martave e mrekullive.