Aktualitet

Teatri Kombëtar është ‘Stalingradi’ shqiptar - Nga Klodi Stralla

Beteja e Stalingradit, gusht 1942 - shkurt 1943, ishte më tepër se një betejë ushtarake mes gjermanëve dhe rusëve në kuadrin e LDB. Ajo ishte para së gjithash thyerja e një miti. Duke filluar nga pranvera e 1938-ës Hileri, përmes pushtimit të një varg shtetesh në një kohë rekord, si Çekosllovakia, Polonia, Danimarka, Norvegjia, Jugosllavia, Greqia, duke kulmuar me pushtimin spektakolar të Francës në 15 ditë, krijoi mitin e pathyeshmërisë të ushtrisë gjermane dhe afirmimin e gjenialitetit të tij ushtarak përmes “blitzkrieg” (luftës rrufe) si metodë lufte. Kush do ta ndalte atë në ëndrën e tij për krijimin e Rajhut të III-të njëmijë vjeçar?

Pikërisht ishte Stalingradi ai që e ndali dhe prej nga filloi e tatëpjta e pushtetit të tij të shfrenuar.

Në një situatë pak a shumë të ngjashme është sot Edi Rama, i cili ka krijuar tek të vetët por edhe tek kundërshtarët, mitin e të pamposhturit në betejat elektorale të radhës, si dhe atë të njeriut që realizon me dorë të hekurt, përmes faktit të kryer, vullnetin e tij, pa marrë parasysh as rend dhe as ligj. Kush do të jetë Stalingradi i tij?

Opozita, deri tani, i ka humbur të gjitha betejat politike me të. Banorët e Unazës të Re kanë një kauzë që nuk shkon përtej interesave të tyre personale pronësore. Vetëm Teatri Kombëtar ka një kauzë publike, morale, kulturore por edhe ligjore.

Kultura kombëtare, artistët, intelektualët, populli i Tiranës por jo vetëm, kanë rastin ta kthejnë kauzën e moslejimit të prishjes të Teatrit Kombëtar në një “Stalingrad” të dytë për Kryeministrin arrogant e të mbrapshtë.

Ata duhet të organizohen në njësi vullnetare, përtej një grupi të ngushtë interesi (artistët) sepse kultura kombëtare është e të gjithëve. Ata duhet dhe mund të bëhen barikadë e pakalueshme njerëzore sepse aty luhet dinjiteti i një kombi të tëre përballë interesave okulte të një oligarku mediokër (ndërtuesi), sponsor i qeverisë dhe i funksionarëve të saj të korruptuar e makutër.

Është një betejë që, nëse ka vullnet e dëshirë kolektive për rezistencë, mund të fitohet. Nuk do të ndalet vetëm prishja e një godine por do të thyhet një mit shumë i dëmshëm, ai i un-it egoist e të pakontrolluar të një njeriu që synon të zëvendësojë Zotin tek shqiptarët.

(Grafika: Avni Delvina)