Aktualitet

Komisioni i Jashtëm miraton në parim Projekt-Ligjin Për Diasporën. Majko: Diaspora jo më faktor i jashtëm!

Tiranë – Siç raporton Kabineti i Ministrit të Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, Projektligji “Për Diasporën” u votua sot në parim në Komisionin për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, duke siguruar edhe mbështetjen e opozitës. Në datën 28 mars pritet të zhvillohet diskutimi dhe votimi nen për nen.

Ka qenë vetë Majko ai që e prezantoi para komisionit projektligjin në fjalë duke theksuar para ligjvënësve që drafti “përfshin të gjitha problematikat dhe institucionet e interesuara që mbulojnë këtë fushë marrëdhëniesh nga ana e politikës shtetërore”.  Sipas tij, projektligji mbështetet në kërkesat urgjente për implementimin e plotë të dispozitave kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve.

Projekti e gjen mbështetjen në nenin 8 të Kushtetutës, i cili parashikon se “Republika e Shqipërisë u siguron ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit, për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare”. Teksti është hartuar në harmoni dhe në frymën e standardeve ndërkombëtare, të konsoliduara në një sërë aktesh, të tilla si Karta e OKB-së, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike.

Ministri Majko ka shpjeguar gjithashtu që “në raport me legjislacionin e zakonshëm projektligji nuk krijon përplasje, pasi legjislacioni aktual ndjek të njëjtën frymë, por në të njëjtën kohë, ky legjislacion dëshmon pamjaftueshmërinë për adresimin e plotë të nevojave të diasporës. Miratimi përfundimtar i këtij ligji së shpejti, do të jetë dhë një moment kur shteti shqiptar, sipas Majkos, “nuk do ta trajtojë më diasporën si një faktor të jashtëm”.  

@FlasShqip.ca