Aktualitet

Qeveria i dënon me bojkot fëmijët e talentuar

  Nga Albert Vataj

Qeveria shqiptare braktis Festivalin Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë. Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë, një nga urat e bashkimit gjithëshqiptar, rrezikon të "shembet"!

I vendosur në Shkodër, në këtë taban të brishtë, ku vit pas viti e mësyjnë përmbytjet, maskarada politike dhe paranoja e pinjollëve të diktaturës, që duan me çdo kusht që këtë qytet ta shkurorëzojnë nga krenaritë, me të cilën përfaqësohet dhe mburret, kjo sofër e këngës për fëmijë, kjo folezë e cicërimave që sjell stinë të begatë, vihet përpara sprovës së mbijetesës. Pas 56 viteve ky event rrezikohet serozisht, ndoshta jo dhe aq nga zhvillimi se sa nga mundësia për të mbetur një destinacion i rëndësishëm i bashkimit kombëtar përmes këngës. Atë që nuk e bënë dot etërit gjakatarë dhe barbarë të diktaturës e bëjnë bijtë. Atë që nuk mundi ta finalizojë asnjë shovinizëm dhe dasî, e bën me gjakftohtësi dhe maturi prej tirani kjo qeveri. Meritave të saja të shumta i duhej një pengim i tillë, që të realizonte atë që dot nuk e realizoi asnjë trazim i dritashëm, asnjë përsekutim e përndjekje, asnjë denigrim dhe çrrënjosje.
Siç tashmë është bërë një traditë, në datat 1, 2 dhe 3 qershor 2018, në teatrin "Migjeni" starton Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë, edicioni i 56-të, organizuar nga Bashkia Shkodër, Qendra Kulturore e Fëmijëve dhe shoqata "Shpirti Artistik i Shkodrës".
Si një eveniment mbarëkombëtar, ky tubim gjithëshqiptar artistik është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Ministria e Arsimit. Por fatkeqësisht dy vitet e fundit, Ministria e Arsimit dhe ajo e Kulturës nuk ka qenë korrekte me mbështetjen e saj, përtej një detyrese nacionale për të mbajtur në jetë këtë krijesë të brishtë të bashkimit gjithëshqiptar. Vitin që shkoi shënoi nisja e këtij bojkoti institucional, ku ministritë përkatëse zvarritën materializimin e kontributit në minutat deçizive, duke ofruar këtij aktiviteti mbështetjen prej 8 milionë lekësh, ku përfshiheshin veshjet dhe fonia.
"Prej shumë vitesh ky dikaster, por edhe të tjerë po bëjnë përpjekje që këtë event mbarëkombëtar ta zbehin, ta eklipsojnë, duke e konsideruar vetëm një festival lokal. E provuan edhe vjet, por mesa duket në minutat e fundit u tërhoqën meqenëse ishte viti 2017. Sivjet që nuk ka zgjedhje, për turpin e Ministrisë së Arsimit nuk ofruan aspak mbështetje", raportojnë mediat nga Shkodra.
Megjithatë, Bashkia e Shkodrës do të sigurojë e plotësojë mangësitë që mund të krijoheshin nga mungesa e mbështetjes së dikasterit qendror që Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë, edicioni 56 të jetë në shkëlqimin e tij të zakonshëm. Sepse ai është i lidhur pazgjidhshmërisht me traditën e qytetit të Shkodrës, këtij hambari të pasurimit të traditës së këngës me elementë të rinj, më zëra konkurrues dhe kontribute që kanë përfaqësuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
Bashkia e qytetit verior duket se do të bëjë jashtë mundësive të saj, duke marrë mbi vete barrën financiare të zhvillimit të këtij aktiviteti, të braktisur nga mbështetja e qeverisë. Bashkia Shkodër nuk mund të mbartë mbi vete edhe një tjetër përgjegjësi, pas rrëzimit nga kategoria superiore e ekipit të futbollit "Vllaznia" dhe akuzave që rënduan mbi të.
Cilido të jetë çmimi, asaj i duhet të mbrojë nderin e qytetit, "Djepit të Kulturë", i cili qëllimisht apo fare rastësisht po shkurorëzohet nga mbretërimet e saj, për t'u katandisur në një provincë interesash periferikë, ashtu siç u përpoq por pa arritur t'ia dalë edhe vetë regjimi diktatorial.
Dhe… këtu nuk bëhet fjalë vetëm për para, por shumë më shumë. Kësisoj vetë shteti në mënyrë tinzare dhe antikombëtare e shmang pjesëmarrjen e vet në rrafshin financiar, duke bërë të mundur që organizatorët të vihen para të vetmes zgjidhje, asaj të dorëheqjes. Fëmijëve do t'u thuhet JO, nuk do të mblidhemi për festën e këngës në Shkodër si çdo vit. Sepse kështu do qeveria, kjo qeveri që financon me paratë e taksapaguesit shqiptarë turlilloj aktivitetesh, këngëtarësh dhe manifestimesh të ububushme.
Mjafton që këto megjlise bajate dhe të potershme të mundësojnë të lakohet në botën e madhe emri i njërit apo tjetrit dhe të shitemi në mediat e huaja si vend hovesh artistike. Kjo thikë pas shpine po i ngulet Shkodrës.
Ankthi i zhvillimit të Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë ka filluar që në këtë fazë përgatitore. Organizatorët dhe të gjithë aktorët që kanë mbi supe këtë peshë të rëndë, duhet ta dijnë se mbi ta rëndon jo vetëm një festival, por nderi i qytetit të Shkodrës, kujtesa dhe mirënjohja për plejada të tërë artistësh, tekstshkruesish, kompozitorësh dhe këngëtarësh, të cilët për 56 vite pasuruan traditën tonë të këngës dhe mbajtën lidhur gjithë shqiptarët përmes zërave të hareshëm dhe jetëdhënës të fëmijëve.