Trashëgimi

Unë e dua Shqipërinë - Nga Sejfulla Malëshova

S’kam çiflig e s’kam pallate,

S’kam dyqan me katër kate,

Po e dua Shqipërinë

Për një stan në Trebeshinë,

Për një shkarp e për një gur,

Për një gardh e për një mur,

Për kasollen mbi Selishtë,

Për dy ara në Zallishtë,

Për një lopë e për një gomar,

Për një Balo, një manar.

Unë e dua Shqipërinë

Si bari dhe si fshatar.

Unë e dua Shqipërinë,

Për tërfilin mbi lëndinë,

Për një vajzë gjeraqinë,

Dhe për ujët që buron

Nga një shkëmb e gurgullon

Nëpër lisa gjetheshumë,

Edhe zbret përposh në lumë.

Unë e dua Shqipërinë

Për një lule trëndelinë,

Për një zog që fluturon,

Për bilbilin që këndon

Në ato ferra në ato hije

Këngë malli e dashurie,

Këngë shpirti të helmuar.

Unë e dua Shqipërinë

Si poet i dhemshuruar.

Unë e dua Shqipërinë

Që nga Korça e Vraninë,

Ku del bujku që me natë

Me parmendë dhe me shatë,

Mbjell e korr me djell, me hënë

Dhe s’ka bukë për të ngrënë,

Ku nallbani dhe samarxhiu

Mjeshtri, kallfa e kallajxhiu,

Krrusen ditë e krrusen natë,

që të hanë bukë thatë,

Ku hamalli nëpër skela

Ngarkon hekur dhe varela,

Kembe zbathur, brekë çjerrë

Punon vetëm për të tjerë.

Unë e dua Shqipërinë

Që nga Shkupi e Janinë,

Ku një popull derëzi

Heq e vuan robëri

Po ka shpirtin luftëtar.

Unë e dua Shqipërinë

Si shqiptar e bir shqiptar.