Trashëgimi

 Një zanat i ri: Larot e pendës - Nga Faik Konica

Ata që kanë studiuar pakë frëngjishten e vjetër, do të kenë vënë re se në kohërat e shkuara ka patur në Francë një soj njerës që quheshin “valets de plume”, do me thënë hyzmeqarë të pendës. Njerës të pasur që kishin bujq-skllev vëjin nonjë të mësojë të shkruaj nga prifti i vëndit, dhe skllavi-nxënës bëhej pastaj hyzmeqar i pendës, shkruante mi gjunjë dhe duke u dridhur urdhërat e të zot.

Në Shqipëri, ku rastet e historisë, dhe as pakë dëshira e popullit, e çliruan vëndin dhe po e shtrëngojnë me zor të modernizohet shpejt a von, në Shqipëri leu një zanat i çuditshëm, më i poshtër se ay i hyzmeqarëve të pendës: - zanati i larove të pendës. Gjith’ ata njerës të cilët, po të kish mbetur Shqipëria siç ka qënë, do t’ishin bërë laro, do me thënë njerës të paguar për të ndihur në vrasje e në grabitje, mbetën sot pa punë; dhe që të mos rinë pa bukë, ndruan formën e veprimit të tyre, dhe nga laro të pisqollës, u bënë tani laro të pendës, do me thënë i japin me qira pendën e tyre të mykur çdo njeriu i cili u heth një urdhër, u dëfton me gisht një shënjë, u flak një këlbazë me një kuletë, dhe i lë të “punojnë”.

Shumë njerësve u ka rënë erë kërmë; dhe nga çdo çip e prej çdo ngjyre, rendin shpirt-skllev që kanë uri dhe etje për poshtërsi, lënë zanatin e tyre dhe duke u bashkuar me larot e pendës, bëhen laro të pendës dhe vetë. Në mes të këtyre rekrutave të papritur, ndodhen edhe ca të vetë-thënë “juristë”.

“Dielli”, 28 mars 1923