Trashëgimi

Shqipëtar - Nga Andon Z. Çajupi

Shqipërin’ e mori turku,

i vu zjarr!

Shqipëtar, mos rri, po duku,

shqipëtar!

 

Mjaft punove për të tjerë,

o fatkeq!

Kujto vendin tek ke lerë

dhe tek heq.

 

Të ka bërë perëndia

luftëtar,

Si s’të lodhi robëria,

shqipëtar!

 

Erdhi dita të ngresh kokë,

të kërkosh

Lirinë, bashkë me shokë

të lëftosh!

 

Mos bëni si keni bërë

gjer më dje,

Por të lëftoni të tërë

për Atdhè.

 

Pesëqind vjet kemi rruar

me pahir,

Lidhurë me këmn’ e duar

me zinxhir!…

 

Myslyman’ e të krishterë

jemi keq!

Të ngrihemi që të tërë,

djem e pleq!

 

Të ngrihemi të dëftojmë

trimëri;

Ja të vdesim ja të rrojmë

për liri!

 

O moj Shqipëriz’ e dashur,

memëdhè,

Të shoh me buzë të plasur,

si më sheh.

 

U shkretove anembanë,

Shqipëri,

Se shqiptarët s’kanë

dashuri.

 

Gjithë djemtë që ke qarë

dhe mban zi,

Për Morenë janë vrarë,

për Turqi!

 

Zhvish rrobat e robërisë,

memëdhè,

Vish armët e trimërisë

se ke ne!