Trashëgimi

Kjo Nënë Terezë është (edhe) e shqiptarëve - Nga Faruk Myrtaj

S’ka asgjë të keqe kur themi: Nënë Tereza është e shqiptarëve...

E tyre ka qenë, gjithnjë, si edhe tanimë, kur duket se të tjerët kanë hequr dorë prej mëtimit të saj. Ngaqë nëna nuk pretendohet. Ajo është. Ose nuk është.

Por, me se s’bën, duhet të shtyhemi më tej: zakonisht, nuk kërkohen prova nëse dikush është nëna e bijëve. Ndodh natyrshëm e kundërta: a janë bijtë të saj? A janë vazhdues të saj? A bëjnë të nderohen si të sajtë? A e nderojnë, në vdekje e në gjallje prindin? A e kanë njohur prindin, në plotërinë si qenie njerezore? A i dinë, më në fund, inspirimet e tyre?

Në këtë kuptim, shqiptarëve u janë kërkuar, u kërkohen dhe do t’u kërkohen pafundësisht “prova në natyrë” si trashëgimtarë të Nënë Terezës; prova, të pakushtëzuara prej kohëve politike, prej rrekjeve të të tjerëve për ta pasur Nënë Terezën të tyren, joshje prej ideologjive politike e fetare dhe, natyrisht, kurrësesi për të përvetësuar një trashëgimi që s’mund të jetë e kujtdo, madje edhe sikur vazhdimësia e ADN-së të jetë katërcipërisht e provuar.

Edhe kur Bota (pjesa e “botës pa Shqipërinë”!) çmonte e nderonte Gonxhe Bojaxhiun duke e madhuar fëmijën e lindur shqiptare për ta promovuar si “Nënë” tejkombëtare, edhe kur Akademia e Stokholmit e shpallte atë “Nobel të Paqes”, ne (që gjithnjë shqiptarë, si ajo kemi qenë) nuk e thamë dot fjalën tonë. Shumica nuk e dinin fare. As ekzistencën e saj, as përkatësinë kombiare, e jo më dimensionin real, shpirtin e madh që për mrekulli ishte strehuar në atë trup të vogël, dhe më madhërisht akoma: të një kombi që fatalisht erdhi dhe u vogëlua gjeografikisht. Nuk dinim thuajse asgjë për tashmë-Nobelisten, edhe pse gjithkund e gjithkujt ia kërkonim “origjinën” shqiptare, (gjer edhe Napoleonit të Francës!), numëronim perandorët, sulltanët e vezirët që u kishin shërbyer atyre që kishin ardhur dhe ikur nga trojet tona (se gjithë invadorët ikin një ditë), por nuk kujtoheshim të pranonim nderin që një shqiptare e zakonshme kishte bërë rrugë të gjatë në kahjen e shkuarjes shpirtërore të Njeriut tek Ati dhe Biri shpirtëror, si udhë për tek Allmighty, I Plotëfuqishmi. Matanë kufirit shihnim vetëm “të huaj” dhe “armiq”. Nuk shkonim ndërmend se s’kishte Ikje Pa Kthim për bijtë e bijat.

Në të vërtetë nuk ka pasur e s’ka si të ketë Ikje të tyre. Ata janë të tillë, kudo ku janë. Ashtu siç janë. Edhe kur do t’i donim diçka më ndryshe, më shumë njerëz...

AJO shpallej Nobel e Paqes, por ne kërkonim Nobël për “kështjellën e pamposhtur të vendit të vetëm më të lumtur socialist të Botës (-pa ne!)”

Por edhe më pas, mezi u kandisëm ta prisnim, në hall të madh se mos shkelnim Kushtetutën e vetme anti-Zot në botë; edhe më vonë nuk u ndjemë (kam drojtje se endè nuk bëhemi gjithësisht) bashkë për të qenë pasues të thelbit të Saj, dëgjues të pulsit të zemrës së Saj.

Gjer pak vite më parë, kur pjesa tjetër e botës (gjeografikisht tashmë i ishim bashkuar) po e shndërronte Atë në dritë, nuk e ndjemë dot nevojën e iluminimit tonë si njerëz, dhe as përfituam dot prej Saj, që ishte pohuar si element që inspironte me shpejtësi të dritës...

Kam joshje jo aq të drojtur, se tani (që shpëtuam prej mëtonjësve të tjerë, të huaj) na duhet të merremi me “tëhuajësinë brenda vetes sonë”. Eshtë e njëjta luftë, që kërkon betejën e radhës.

Kam shpresë se “të tjerët’, “të huajtë si komb”, e kanë pranuar “humbjen e Mother Terëzës” si diferencë vetëm të ADN-së. Dhe e kanë mbajtur (edhe ata) siç e posedojnë edhe kombe të tjerë, tërë “kombi Njerëzim”, pikërisht për shkak të dimensionit që ajo inspiroi. Kështu, (edhe) ata e kanë Terezën nënë, as më pak e as më shumë se ne, shqiptarët. Nëse e kanë mëtuar ndryshe, pashmangshëm do të duhet të marrin vesh se e kanë humbur vetë këtë betejë dhe sinqerisht është mirë të shpresojmë se janë duke e bërë këtë vetëçlirim, në heshtje jetimësh...

Në të njëjtën kohë, ne shqiptarëve na duhet të pohojmë më shumë se këtë përkatësi (njëjtësinë e ADN-së), që realisht nuk se është ndonjë meritë e madhe e ne të gjallëve. Madje, nëse harxhuam aq energji e kohë dhe ngritëm aq shumë tollombace për të bindur edhe qiellin se AJO është Jona, (gjë të cilën absolutisht e gjithë Bota pa Ne- e dinte), më e udhës do të kishte qenë të investonim në atë që bëjmë mirë të vazhdojmë ta ndjejmë si mungesë; së paku si nevojë për plotërim të vazhdueshëm.

Ajo tashmë nuk është trup, është shpirt i lirë prej detyrimeve tokësore. Ndaj edhe prirem të kujtoj veten se ne shqiptarëve nuk na mjafton më ADN-ja e qelizës fizike, që të jetë e të mbetet Jona, dhe që ne të mbetemi të sajët. Kërkohet, na duhet, nuk bëhet dot, pa “ADN-në shpirtërore”, atë të sjelljes, të frymës, të prirjes, të shembullit, të tolerancës, të dhimbshurisë e përkushtimit, të mëshirës ndaj tjetrit, mëshirë që në trajtë tjetër e presim dhe e meritojmë të gjithë. Ndaj vetes dhe ndaj cilësdo qenie të gjallë...

Kjo Nënë Terezë është ajo që na vjen papushim si lajm i madh, si lajm i Shpirtrave të Lirë, zemrave çliruar prej trupit, materiales, kufijve fizikë e atyre kombëtarë, ideologjikë e fetarë. Ky lajm përherë i ri, duhet gëzuar.

Kjo Mother Tereza, kjo Nënë Terezë, Gonxhe Bojaxhi, është (edhe) e shqiptarëve!

(2010)