Trashëgimi

Brenda Muzeut të Onufrit

Nëse shkon të vizitosh Kalanë e Beratit ndonjë ditë, mos e lër pa parë Muzeun e Onufrit, i cili mban këtë emër për nder të njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shek. XVI.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej mëse 1500 objektesh, pjesë e fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë dhe të qytetit të Beratit, ku 106 objekte janë ikona dhe 67 janë objekte liturgjike.

Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë shqiptarë, që u përkasin shekujve XIV – XX: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku dhe Çetirët (Gjergji, Johani, Naumi, Nikolla dhe Gjergji i riu), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë. Gdhendjet në dru të katedrales janë realizuar nga mjeshtrat Naum Ngjela nga Lavdari i Oparit dhe mjeshtër Stefan Barka nga Misrasi i Oparit në shekullin e XIX.

Shumë të rëndësishme për besimtarët Kristian Ortodhoks, janë (4 ikonat) qëndrore, 2 në anën e majtë dhe 2 në anën e djathtë (të derës mbretërore). Në të majtë janë të vendosura, ikonat e “Jezu Krishti Pantokrator” dhe “Johan Pagëzori”dhe në anën e djathtë ndodhen  ikonat e “Shën Mërisë”, dhe “Fjetja e Shën Mërisë”, ikona e cila (i dedikohet ose kushtohet)  Katedrales ku gjendet muzeu.

Rradha e profetëve është e pikturuar në medaljone (ikona) në formë rrethore, të vendosura në një brez horizontal, poshtë ikonave të festave në mes të zbukurimeve brilante të stilizuara të degëve të hardhisë.

Pjesa e sipërme ose (brezi i sipërm) i ikonostasit së bashku me kurorën e tij është i dekoruar nga (27 ikona e vogla të festave) të vedosura nën luneta të punuara në mënyrë speciale, duke formuar një radhë të gjatë skenash të harkuara, brenda të cilave ikonat janë vendosur sipas një rregulli të caktuar dhe rigoroz biblik.

Kurora e ikonostasit, (ose kurora qëndrore) me kryqin e madhë të pikturuar dhe të gdhëndur, ka formë të lehtë piramidale, ndërsa si motiv kryesor ka dy dragonj përbri njëri – tjetrit, kurse pjesa tjetër e kurorës zbukurohet me motivë florealë.

Kryqi i ikonostasit është i pikturuar dhe rrethohet me kornizë të gdhendur. Në qendër të tij paraqitet skena e Krishtit të kryqëzuar, ndërsa në dy anët e kryqit janë të vendosura dy ikona që kanë të pikturuar figurat e dy personazheve të njohur në këtë skenë, atë të Virgjëreshës dhe të Johan Theologut.

Mbi kurorën e ikonostasit janë vendosur të gdhendura figura shqiponjash me krahë të hapur, nga sqepi i të cilave varen objekte liturgjikë (argjendi) që qëndrojnë para ikonostasit.

Nuk po i zbulojmë të gjitha pjesët e Muzeut Kombëtar Ikonografik “Onufri”, pasi duam që një ditë të gjeni kohën dhe ta vizitoni vetë.