Trashëgimi

S’ka si vallet shqiptare

Vallet shprehin vlerat artistike të një populli, të një krahine ku luhet dhe interpretohet. Ato janë të lidhura me punët, stinët, dasmat dhe gëzimet të tjera. Karakteri i shqiptarëve, dinamik në lëvizje, pasqyrohet edhe tek valltarët, që interpretojnë me të gjitha pjesët e trupit.

Dallimet midis valleve nuk janë vetëm në emra dhe historitë e tyre, por kanë edhe dallimin mal-fushë. Nëse vallet e fushës kanë lëvizje më tepër horizontale, prekin tokën sikur e përkëdhelin, në vallet e malësisë vallëtarët brofin përpjetë sikur duan të arrijnë lartësinë e maleve. Në Shqipëri vallet janë të ndara në valle të: Shqipërisë së Veriut, Shqipërisë së Mesme, Shqipërisë së Jugut.

Vallet përgjithësisht kanë emrat e krahinave si: Vallja e Malësisë së Madhe, Tropojës, Kukësit, Dibrës, Mirditës, Matit dhe Pukës. Vallet e Shqipërisë së Veriut kanë karakter teper epik, janë autentike burimore dhe paraqesin nje folklor koreografik të mirëfilltë shqiptar. Këto valle, kërcehen, në grup, solo apo dhe çift të shoqëruara me çifteli, curle dhe lodër. Tipi i valleve të shoqëruara me curle dhe lodër fillon që nga veriu i Shqipërisë, gjithë krahu verilindor e zbret poshtë deri në rrethin e Librazhdit. Vallet e këtyrë krahinave krahinave kërcehen në rreth, gjysmë rrethi ose dhe dyshe në momente të caktuara. Një valle që i mbart të tri llojet e kërcimeve brenda një valleje është dhe vallja e Kukësit.

Nëse në veri mbizotëronin vallet me emra krahinorë, në zonën e Shqipërisë së Mesme mbizotërojnë emërtimet që kanë të bëjnë me mjetin që përdoret për të demostruar këtë valle, ose janë të ngritura në bazë të historive të ndryshme që kanë marrë jetë në krahina të ndryshme.

Karakteristikë e valleve të Shqipërisë së Mesme është lirizmi dhe plastika trupore e theksuar. Këto e bëjnë të dallueshme nga vallet popullore të Veriut dhe Jugut. Defi, si vegël muzikore shoqëron vallen e Napolonit, por orkestrimet popullore nuk mungojnë as nëpër vallet e tjera, si: Vallja e karagjylit, vallja me zile, vallja malenake, vallja e pimzave. Gjithashtu në këtë zonë të Shqipërisë ka dhe valle që kërcehen vetëm dyshe siç kanë edhe emrin si vallja dyshe e Kavajës dhe vallja dyshe krutane.

Vallet e Shqipërisë së Jugut në vetvete janë më të larmishme sepse ky grup i madh ndahet në katër zona të mëdha. Zona e Myzeqesë; Labëria; Çamëria; Toskëria. Vallet e Shqipërisë së Jugut kërcehen në grup të zënë dorë për dorë, nuk kanë kërcime të sofistikuara dhe janë të diktuara nga kënga polifonike, në kundërshtim me atë të Veriut që shoqërohen nga kënga homofonike. Të njohura në jug janë më së shumti vallja e Xhinxhilesë, valle labe burash, vallja çame e figurës historike Osman Takës. Edhe në jug nuk mungojnë vallet me emërtimet e krahinave, zagorite, devolliçe. Nuk janë të lehta për tu kërcyer si valle, duhet të mbash ritmin me grupin dhe hedhjet duhet të jenë në sinkron, një valle e tillë është edhe pogonishtja. Muzika që shoqërojnë vallet shqiptare janë të ndryshme por ndonjeherë, muzika ka bërë që të lindë dhe vallja me të njëjtën emër. Një rast i tillë është vallja e Osman Takës.Vallet Shqiptare janë pikërisht ato që mbajnë, një trashëgimi folklorike gjallë ndërvite duke kultivuar breza të rinj me një kulturë të tillë.