Trashëgimi

Gjuha shqipe në sytë e të mëdhenjve

Poezi kushtuar gjuhës shqipe nga: Ndre Mjeda. Gjergj Fishta, Naim Frashëri, Ismail Kadare, Mitrush Kuteli, Hil Mosi

GJUHA SHQIPE - Ndre MJEDA 



Përmbi za që lshon bylbyli,
gjuha shqipe m'shungullon
përmbi er' që jep zymbyli,
pa da zemren ma ngushllon. 

Ndër komb' tjera, ndër dhena tjera,
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç për ty m'rreh zemra e mjera
e prej mallit derdhi lot. 

Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
jan' të bukra me themel
por prap' kjo, si diell pa hije,
për mue t'tanave iu del.

Ku n'breg t'Cemit rritet trimi
me zbardh, shqipe, zanin tand,
e ku Drinit a burimi
që shpërndahet kand e kand. 

Geg' e tosk', malsi, jallia
jan' nji komb, m'u da, s'duron;
fund e maj' nji a Shqipnia
e nji gjuh' t'gjith' na bashkon. 

Qoftë mallkue kush qet ngatrrime
ndër kto vllazën shoq me shoq,
kush e dan me flak' e shkrime
çka natyra vet' përpoq.

Por me gjuhë kaq t'moçme e mjera
si nj'bij' kjo që pa prind mbet:
për t'huej t'mbajshin dhenat tjera,
s't'kishte kush për motër t'vet. 

E njat tok' që je tue gzue,
e ke zan' tash sa mij' vjet,
shqiptaria, që mbet mblue
sot nën dhe, edhe shqip flet.

 

GJERGJ FISHTA - Gjuha shqype

Porsi kanga e zogut t'verës,
qi vallzon n'blerim të prillit;
porsi i ambli fllad i erës,
qi lmon gjit e drandofillit;
porsi vala e bregut t'detit,
porsi gjáma e rrfés zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu á' gjuha e jonë shqyptare. 

Ah! po; á' e ambël fjala e saj,
porsi gjumi m'nji kërthi,
porsi drita plot uzdajë,
porsi gazi i pamashtri;
edhe ndihet tue kumbue;
porsi fleta e Kerubimit,
ka'i bien qiellvet tue flutrue
n't'zjarrtat valle t'ameshimit. 

Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis',
trashigim, që na la i pari,
trashigim s'ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n'gjuhë t'huej, kur s'asht nevoja,
flet e t'veten e lén mbas dore. 

Në gjuhë shqype nanat tona
shi prej djepit na kanë thánun,
se asht një Zot, qi do ta dona;
njatë, qi jetën na ka dhánun;
edhe shqyp na thanë se Zoti
për shqyptarë Shqypninë e fali,
se sa t'enden stina e moti,
do ta gzojn k'ta djalë mbas djali. 

Shqyp na vete, po pik' má para,
n'agim t'jetës kur kemi shkue,
tue ndjekë flutra nëpër ara,
shqyp má s'pari kemi kndue:
kemi kndue, po armët besnike,
qi flakue kanë n'dorë t'shqyptarëvet,
kah kanë dekë k'ta për dhé t'Parvet. 

Në këtë gjuhë edhe njai Leka,
qi'i rruzllim mbretnin s'i a, xúni,
në këtë gjuhë edhe Kastriota
u pat folë njatyne ushtrive,
qi sa t'drisë e diellit rrota,
kanë me kenë ndera e trimnive. 

Pra, shqyptarë çdo fés qi t'jini,
gegë e toskë, malci e qyteta,
gjuhën t'uej kurr mos ta lini,
mos ta lini sa t'jetë jeta,
por për té gjithmonë punoni;
pse, sa t'mbani gjuhën t'uej,
fisi juej, vendi e zakoni
kanë me u mbajtë larg kambës s'huej,
N'per gjuhë shqype bota mbarë
ka me ju njohtë se ç'fis ju kini,
ka me ju njohtë për shqyptarë;
trimi n'za, sikurse jini. 

Prandaj, pra, n'e doni fisin,
mali, bregu edhe Malcija
prej njaj goje sod t'brohrisim:
Me gjuhë t'veten rroftë Shqypnia!

Naim FRASHËRI - GJUHA SHQIPE

Vëllezër shqipëtarë!
Qasuni më dëgjoni,
Sa të mundeni më parë
Gjuhën tuaj mësoni.
Pa shihni sa ësht’e mirë
S’u vjen mall’ e dëshirë?
Gra,burra, djem e vasha!
E ju plaka zë-trasha!
Mos rrini pa mësuar,
Kjo do të na nderojë,
E do të na bashkojë,
Këtë gjuhë, që flasim,
Këtë zë të këndojmë,
Gjënë tonë të qasim
Të huajn t’a dëbojmë,
Se gjuh’ e Shqipërisë
Është e Perëndisë,
Njeriu të shperndëronjë!
Gjuhën e Mëmëdheut!
Q’është e bukur’ e zonjë!
Gjuhën e Skënder - beut!
Oh! e madhe mëkatë!
Kjo punë s’ka uratë.
Ju shkëmbenjë e ju male,
Ju brinja e bregore,
Dhe ju lumënj ngadale,
Ju fusha gjelbërore.
Shqip të flisni për herë!
Fjesht’ e të papërzier!
Dielli, hëna, pylli,
Dallëndyshija, larashi,
Edhe bilbili vetë
Shqip të flasë ndë jetë!
Dhe vetë Perëndija,
Edhe Zot’ i vërtetë,
Dh’ e tërë gjithësija
Këtë gjuhë të ketë
Këtë dhe shqipëtari,
Shpirt-madhi, punë-mbari.

Naim Frashëri -Fragment nga "Korça"

Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmbël, sa e gjerë!
Sa e lehtë, sa e dlirë!
Sa e bukur, sa e vlerë!

Kjo 'shtë mëm' e mirësisë,
Që bije qytetërinë,
Gasthin e vëllazërisë,
Njerëzin' e miqësinë.

S'jemi grekër as bullgarë,
Asgjë tjetër nukë jemi,
Jemi vetëm shqipëtarë,
Në kët'emër nderr'e kemi.

Ky emr' është shum' i mirë,
Se më s'jemi të gënjyer,
Nukë jemi n'errësirë,
E njohëmë gjën' e vjyer.

Perëndia na e lëntë
Përjetë ta trashëgojmë,
Edhe kurrë mos e dhëntë
Ta humbim e ta harrojmë!

Të lemë mëmënë tënë
E të marimë një shtrigë!
Zoti mos e pastë thënë!
Pun'e keq'e shum'e ligë.

O, sa qenë të gënjyer
Ata që vuan për botë!
Turp të math kanë rrëfyer,
Punuanë fare kotë.

Pa mejtoni, o të gjorë,
Efialtin, Pafsaninë,
Që u bënë trathëtorë
Dh'e gjenë më perëndinë.

Nga gjithë ç'kemi kënduar
Për të njohur vetëhenë,
Kaqë gjë kemi mësuar,
Të nderojmë mëmëdhenë.

Se njerëstë gjithë vdesin,
Po jeta s'mbetet e shkretë,
Gjuha, mëmëdheu mbesin
Të patundurë përjetë.

Me zëmërë të gëzuar
Dhe me gjithë shpirt uroni!
Zotërinjt' e zotëruar,
Gjithë përnjëherë thoni:

Rroft' e qoftë Shqipëria
Dhe kombi e gjuha jonë!
Lulëzoftë dituria,
Edhe ndihmës paçim zonë.

 

GJUHA SHQIPE - ISMAIL KADARE 


Kur në sulm hodhën turqit
Hordhitë e pambaruara,
Kështjellat e sintaksës
S’ i muar, që s’ i muar.

Në bedena poemash
Popullore mbetën
Kufoma divanesh e
Kufoma bejtesh.

Kur panë se gjuhës
S’ i hodhën dot prangat,
Lëshuan drejt saj
Gjithfarë merimangash.

Parashtesa e pjesëza
E lidhëza së prapthi
Të bukurën gjuhë
Ta bënin lesh arapi.

Në përçartje ta kthenin,
Në delir në jerm.
Shin vite të rënda,
Ishin shekuj plot helm.

Të të bënin ty, donin,
Shqipëri memece,
Por ja, erdhi Naimi,
Si yll mbi ty ecte.

Dorën e zbehtë
Mbi ballë të vuri,
Të të hiqëte zjarrllëkun
Prej të sëmuri.

Dhe vdisnin pjesëzat,
Thaheshin merimangat,
Ndriste si perlat
Poezia e madhe.

Kjo gjuhë, që provoi
Akrepët e shkretëtirës,
Ç’ do të thotë përçartje
E di, oh,e di mirë.

E di ç’ do të thotë
Kllapi, hermetizëm
Qoftë e ardhur nga Roma,
Qoftë e ardhur nga Parisi.

Kjo gjuhë martire,
Lehonë e përjetëshme,
Që lindi mes dhembjesh
Art të pavdekshëm

Gjuhës shqipe- Mitrush Kuteli



Të falem ty, o gjuhë - shkëmb
me rrënjët thellë në shkëmbënj
që çave qiellin kur t'u vrënj
dhe shëmbe bisha e shtërpënj
pa mbete prapë 
.....shkrep e shtëng;

të falem, gjuhë – shkrepëtim,
që shkrep në qiej e vrundullon,
me bujë pyjesh bubullon,
me gjëmë detesh uturon,
dhe je, siç ishe, 
.....vetëtim;

të falem ty, o gjuhë – hoj,
ty, zëth i nënës – qetësi,
ty, këngë e foshnjës – kaltërsi,
ty, afshi i zemrës – dashuri –
gjithmon e ëmbël –
…..mjaltë zgjoi.

II

Të falem ty, o gjuhë e fisit tim,
siç nuk i falem asnjë perëndi –
se tempull i përjetshëm më je ti,
dhe ti mburoje nëpër mot të zi:
ti, dritë e krirtë nëpër errësi,
ti, perëndi, që nuk ke perëndim.

III

Të falem ty, o fis i vendit tim:
Ilir i lashtë, arbër i ri –
dhe sot shqiptar në shumë Shqipëri…
ty, i paepur popull luftëtar,
qendresë e fortë në luftë e zjarr;

ty, o gjahtar i moçëm me hobe,
dhe ty, bari, me hark e me kope
ty, bujk, me shpatë e me qe
ty, nënë e dhembshur e grua – gur,
ju, që më shtatet ngritët mur:
ju rroni dhe rilindni përsëri,
siç lind nga trungu bisku i ri,
kur mplaken edhe vdesin perëndi…
ju mbrujtët e mbrojtët gjer në varr:
gjuhën e shqipes sime
…..thesar

Gjuhës shqype-  Hil Mosi

Gjuh' e ambël, gjuh' amtare,
Je ambla gjuh' shqyptare!
Gjuh' e nalt' për Perëndi,*
T'cilt ndër koh't që kahmot shkuene
Mbi Tomorr të përdoruene;
Gjuh' e ambël, plot dashtni!

Gjuh' e shejt' e kaq e moçme.
Gjuh' sakole**der n'dit t'soçme,
Shoqen tande kund s'e gjenë!
Zoti ty këtu t'ka çuemun:
T'rrebt' e t'bukur e t'kulluemun;***
Kshtu gjithmon' ti ke me qenë.

Gjuh' që t'foli Skendërbegu,
Dhe ndër t'par' qe Naim Begu,
Që me shkrim t'pat lartësue.
Ty t'kan' fol' shum' kapidana,
Burra t'rrebt si t'ishin zana;
Gjuh' e rrebt, ti qofsh nderue!

Gjuh' e bukur si pranvera,
Ti s'do t'quhesh ma: e mjera;
Se na dona ty me t'rritë.
Bashk' me t'tjerat shoqe tueja,
Se ma s'dona zhele t'hueja
Veç duem ty me t'pa në dritë.