Vende & Zakone

Prizreni im!

Në Prizren bukur do ishte të shkonim edhe me tren, por nga Shqipëria shkohet lehtësisht me makinë. Rruga është e shtruar për bukuri, aq sa kuksianët e pinë atje kafen e mëngjesit. I vendosur rrëzë maleve të Sharrit,  në të dy brigjet e Lumbardhit dhe në kryqëzimin e rrugëve të rëndësishme tregtare mes lindjes dhe perëndimit, qyteti i Prizrenit, dikur  i njohur si qendër e rëndësishme kulturore, ekonomike e diplomatike, sot të ofron mikpritjen vendase. Makiaton më të mirë në botë mund ta pish në lokalet e këndshme  ku dëgjohen këngë të Rita Orës, Dua Lipës, Majkut apo Flaka Krelanit.

Nëse vendos të bësh shëtitje, Prizreni ka një numër të lakmueshëm të monumenteve të të gjitha kohërave. Me plot të drejtë mban epitetin e “muzeut nën qiellin e hapur” për t’u radhitur si njëri ndër qytetet më të bukura të Kosovës. Kalaja që ngrihet në kodrën mbi qytet, është një fortifikatë e periudhës iliro-dardane, më pas romake, bizantine, sllave e turke, e cila gjallëroi deri më 1915, kur u shkatërrua nga bullgarët, gjatë Luftës së Parë Botërore.

Muzeu Arkeologjik, i vendosur në Kullën e Sahatit dhe galeritë e Hamamit të Ahmet Shemsudin Beut ka të ekspozuara 790 njësi arkeologjike, të zbuluara në regjionin e Prizrenit, që datojnë nga koha antike, mesjeta e deri në shek.XIX.

Hamami i Gazi-Mehmet Pashës, i ndërtuar më 1573, është njëri nga tre Hamamet më të mëdhenj në Ballkan, pas Hamamit të Husret Beut në Sarajevë dhe atij të Daut Pashës në Shkup. Galeritë e Hamamit  janë të shfrytëzueshme për veprimtari të ndryshme kulturore.  

Varet në cilën periudhë qëllon në Prizren, se aty mund të ndjekësh aktivitete kulturore si Festivalin e këngës së vjetër qytetare “Zambaku i Prizrenit”, Festivalin e filmit dokumentar dhe të shkurtër “Dokufest”, apo festën e “Vjeljes së Rrushit”. Gjithashtu nëse është dimër, ngjitju maleve të Sharrit për ski.

Gjithashtu në Prizren do të hasësh një pjesë të trashëgimisë kulturore si Kisha e Shën Premtes, Manastiri i Kryeengjujve, Kisha e Shën Shpëtimtarit, Katedralja e Zonjes Ndihmëtare, Xhamia e Sinan Pashës, Hamami i Gazi-Mehmet Pashës, Ura e Vjetër e Gurit.  

Nëse je i apasionuar pas fotove, aty dalin shumë të bukura. Ndërtesat me gurë, rrugët me kalldrëme, urat mbi lum, të japin mundësinë e kompozimit të fotos në disa plane. Edhe një foto në shtëpinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit duhet. Ishte ajo në të cilën burrat e zotë vendosën mbrojtjen e integritetit tokësor dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve.

Gjatë shëtitjes nuk do mundësh pa u ndalur në dyqanet që vazhdojnë traditën e dikurshme të përpunimit të metalit të fisnikëve, filigranit. Dikur prodhimet e zejtarëve prizrenas jo vetëm që shiteshin në tregjet e mbarë Perandorisë Osmane, por ato depërtonin edhe në vende tjera, madje edhe deri në Indi. Pse mos ti blesh unazat e fejesës në Prizren? Do të jenë një kujtim i bukur nga vendlindja jote ose e të parëve të tu.

Shko “Me tren për Perzeren”, nuk ke nevojë për biletë, veç për një makinë dhe CD me këngën e bukur nga Besart Halimi dhe Haliband.  https://www.youtube.com/watch?v=T5TB55mlTSs

©FlasShqip.ca