Vende & Zakone

Berati, ‘Meka’ dhe metropoli i Myzeqesë

Nga: Naun Kule

“Qyteti shumë i shkëlqyer i Beratit” - Onufri

Për qindra vjet të gjallimit të tij, Berati ishte “Mekë” dhe metropol për Myzeqenë. Ishte zoti dhe shteti, kisha dhe ligji, dhespoti dhe pashai, prifti dhe xhandari, shkolla dhe libri, xheneti dhe…xhehnemi!

Ishin aty, të gjitha. Kur pyesnin të vegjëlit sa larg është Berati, ata të Myzeqesë së poshtme tregonin: -Ja, mbi Ardenicë..!

Ndërsa ata të së sipërmes: -Ja, nën Tomorr..!

Por, paçka se nën Tomorr a mbi Ardenicë, duheshin një torbë bukë e dy ditë udhë për të zënë kasabanë e Beratit. Veçse Ardenica dhe Tomorri sipër saj, për myzeqarët e kudondodhur në fushëtirën e tyre, përkonin me daljen dhe drejtimin e diellit. Tatëpjeta e diellit drejt detit, dukej e zhdukej gjithënjë tek humbiste lartësitë, afronte shikimin dhe i fshihte konturet e tyre nën brucën sterrë të erësirës për tu shpërfaqur në agun e nesërm, po ashtu, si në mijëra vjet, mes rrezëllimit diellor….

Pra ështe fjala për Beratin të vështruar nga Myzeqeja, por edhe për Myzeqenë, të vështruar nga Berati. Dhe, doemos, jo vetëm të vështruar. Paçka se njeriu mëson edhe duke parë e njohur diçka më të mirë e më të bukur, më të fisme dhe më të ditur, siç ishte dhe është Berati. Por Myzeqeja, në gjithë rrjedhat e saj historike, ka pasur fatin të ndodhej fare pranë kulturave më të dëgjuara për kohën. Në trikëndëshin Apoloni-Dyrrah-Beligradon (Pulheriopolis), Berati përbënte për Myzeqenë, njerin kulm jo vetëm gjeografik, por sidomos kulturor, arsimor dhe ekonomiko-tregtar.

“Berati përfaqësonte një metropol të kulturës mesjetare shqiptare” (M. Zeqo, “Onufri dhe arti i kombit”, Gazeta “Republika” dt.21.02.1999).

Dhe, ky metropol kulturor, para se të rrezatonte larg, do mësonte dhe “zbukuronte komshinjtë” me stolitë dhe bukuritë e veta. Kjo është arsyeja pse Berati, me figurat dhe ngjarjet, me bëmat, burrat dhe rrëfenjat për ta, është kaq i pranishëm ndër gjithë myzeqarët se shumë prej tyre e ndjenin fare pranë, “ja, aty, mbi Ardenicë,…apo ca më tej, nën Tomorr…!”

Nusja myzeqare, mburrej gjersa plakej nëse ia kishin prerë pajën në Berat, apo se në dasmën e saj sazet i kishin sjellë nga Berati… Se filani ka miq gjer në Berat… se e fitoi davanë në gjykatoren e Beratit….

Por, a është Berati Myzeqe?

Nëse po, sa myzeqarë ndjehen beratasit?

Kjo pyetje ka marrë përgjigje të ndryshme në kohë të ndryshme. Dikur Berati, për gjatë disa shekujve të pushtimit osman, qeveriste 28 ziamete me 489 timare. Prefektura me qëndër Beratin, mbulonte 9 nënprefektura (Berat, Myzeqe, Tomorricë, Skrapar, Përmet, Peqin, Gjirokastër, Tepelenë, Vlorë) (E. Çelebi “Shqipëria 350 vjet më parë”, Tiranë 2000, fq. 43.)

Por, nga gjithë këto krahina, ziamete a timare, “Nahijeti Muzakies, që mbulonte zonën Fier-Shegan-Karavasta-Petovë, me 22 fshatra, 347 shtëpi e rreth dhjetë mijë banues” ishte më pranë Beratit dhe se...  një pjesë e rajasë së saj, ishte “tradhëtare”, domethënë e krishtere, e pafe. Ndërsa shtrirja e sundimit të Beratit gjer në Gjirokastër, Tepelenë, Skrapar e Vlorë, e zhbënte gjithësesi krijimin dhe forcimin e identitetit krahinor, sidomos atë të qytetarit beratas i cili, ndjehej aq myzeqar sa edhe skraparli, vlonjat a gjirokastrit. Konstruksioni i tij shpirtëror i thyente kufijtë e krahinës, shkrihej në një “aliazh” prurjesh kulturore dhe shpirtërore, të krahinave nga zbrisnin banorët e qytetit. Sigurisht, këtu ka pjesën e vet edhe shmangia e të vetshpallurit myzeqar, për shkak të kuptimeve pezhorative që merrte kohë pas kohe emërtimi myzeqar e Lalë Myzeqeje,i pompuar qëllimshëm nga të islamizuarit, sejmenë e bekçinj, turkoshakë injorantë. Madje, shpesh e ushqyer edhe nga urtësia fisnike e vetë myzeqarëve .

Dihet, gjithashtu se Berati ishte edhe kryeqëndra e familjes princërore të Muzakajve e cila, u vendos këtu në shekullin e 14-të si sundimtare e tokave të Myzeqesë. (R. Sokoli, “Përtej 16 shekujve”)

Për këtë arsye historiografia shqiptare ende mban në këmbë pandehmën se emri i familjes Muzakë, pagëzoi edhe krahinën tonë me emrin e sotëm Myzeqeja, gjë e cila për shumë studjues, rezulton e pambështetur. Faktor shumë i rëndësishëm përparimi dhe integrimi të ndërsjelltë të metropolit kulturor, Beratit, në gjithë zonat që ai administronte dhe sidomos atë të Myzeqesë, janë edhe institucionet e fesë së krishterë dhe qëndrat e shumta të kultit ortodoks në gjithë Myzeqenë të cilat, gjithnjë, (si edhe sot), janë qeverisur nga Mitropolia e Beratit. Prania dhe pushteti i pakufishëm i dhespotit të Beratit ishte i tillë jo vetëm ndër kultet fetare dhe njerëzit e tyre, por në gjithë popullatën krishtere e sidomos, në ndjesitë shpirtërore dhe përcaktimin atdhetar. Kjo edhe sepse në këtë qëndër të lartë institucionale fetare, janë kryqzuar dhe përplasur gjithëherë interesat dhe synimet antishqiptare të Megaliidhesë greke e cila, për dekada të tëra, është munduar që përmes fesë dhe kishës ortodokse, të ndërkallet tek ortodoksët shqiptarë si i vetmi domen i gjuhës dhe i fesë së Krishtit, në dobi të parrullës hegjemoniste greke, “një fe, një komb”. “Pjesa më reaksionare e perkrahësve të Vorio Epirit grek është kisha greke dhe kleri i saj ortodoks...” (“Gazeta ditore”, Kosovë, 23. 01. 2015)

Emërimi nga Patriarkana në Berat i shumë dhespotëve grekë ose shqiptarë grekomanë, e kanë favorizuar këtë klimë e cila, pavarësisht disa investimeve me synime nacionaliste, nuk mund të mos ngjallnin zëmërimin e popullatës. Pikërisht qëndrime të tilla e detyruan dhespotin grek të Beratit në vjeshtën e vitit 1897, të pranonte më në fund kërkesën e përvitshme që ritet fetare të meshimit në festën e Shën Mitrit të atij viti, të thuheshin shqip dhe jo greqisht.

“Papa Dhimitri e Papa Jani erdhën të qahen tek mitropoliti Dorothe i Beratit… Ky qe pa shumë fanatizëm grekërie dhe e shërbeu në shqip meshën e ditës së shën Mitrit më 26 të vjeshtës së dytë të vjetit 1897”. (Revista “Dituria” nr.1-12, 1926/27, fq. 48)

Ishte hera e parë që “Krishti” u fliste shqip besimtarëve të tij shqiptarë në kishat e tyre shqiptare. Si e tillë ishte vërtetë për tu festuar (siç shkruan shtypi i kohës), paçka që edhe sot, pas më shumë se një shekull, Krishti ynë i lëvduar vazhdon ende ndër kishat tona ortodokse shqiptare, ta ngatërrojë dhe zëvëndësojë shqipen tonë amëtare, me greqishten e huaj…!?

Gjithsesi, vlerat e Beratit tonë janë të shumta dhe tërësisht të dobishme. Ajo që duam të përcjellim ne është sa dhe si këto vlera dhe bukuri zhvillimore 2400 vjeçare, kanë zbritur dhe kanë mbërritur ndër ne, myzeqarët, sa kanë shërbyer ato si model nxitjeje dhe mbështetjeje për gjithë bëmat progresive dhe emancipuese në udhëkryqet dhe dritëhijet e historisë së Myzeqesë.

Për ta kuptuar këtë zbritje të Beratit drejt Myzeqesë dhe, sidomos, shtrirjen e tij në gjithë trikëndshin e banuar aq dëndur që në lashtësi, Berat-Vjosë-Shkumbin (më gjërë Berat-Vlorë-Durrës), të kujtojmë se gjithë fytyrat dhe portat kryesore të qyteteve tona të rinj e të vjetër, shihnin nga perëndimi, nga deti. (Shih hyrjet e herëshme të dy manastireve të Myzeqesë, të Apolonisë dhe Ardenicës dhe thuajse gjithë kishave të Myzeqesë)

Kjo sepse andej, nga deti dhe perëndimi, realizohej gjithë tregtia me qytetet italike të kohës, përmes Apolonisë e Dyrrahit në lashtësi, e në mesjetë, edhe përmes skelave grykëlumore të bregdetit, si Spinaricës, Pirgut, Karavastasë, Semanit dhe Bashtovës.

Duke ditur se kultura, arti dhe shkenca janë derivate të zhvillimeve politike, ekonomike dhe tregtare, të kujtojmë se njeriu që e vlerëson qytetin e Beratit si “shumë i shkëlqyer”, është pikërisht Onufri, një korife i kulturës dhe artit të kohës, i cili, doemos, si artist i madh, parasëgjithash vlerëson bukurinë në kuptimin më të gjërë të fjalës; artin, pikturën, muzikën, talentin, shpirtin…

Dhe këto, i gjen e i sheh pikërisht këtu, ndër njerëz të ditur dhe vende të bukura, në ndërtime dhe këngë, në libra dhe shkolla, ndër rrugë dhe kisha, në veshje dhe valle, në gëzime dhe vdekje. Sipas kronistit E. Çelebiu, (“Shqipëria 350 vjet më pare”), në fund të shekullit 16-të, qyteti i Beratit kishte 710 shtëpi, ndërsa 70 vjet më pas, i shtoi në 5000 të tilla, shumica me dy kate, të stolisura dhe të mbuluara me tjegulla të kuqe. Berati kishte ndërkohë mbi 100 hauze me shatërvane dhe shumë vënde dëfrimi. Sidomos nën sundimin e feudalit energjik Kurt Pashait, (1763/83), Berati dhe rrethinat e tij njohën zhvillime të reja. Vetëm Varoshi kishte mbi 500 shtëpi të mbuluara me tjegulla e dhjetra pallate me shatërvane. Tërë qyteti numëronte mbi 170 banja private plus dy të tilla publike të cilat, ushqeheshin nga 19 burime uji. Vetëm lagja Kala ka 200 shtëpi, tetë kisha dhe një xhami. Ajo që e çudit çdo ardhës këtu është kulla shumë e lartë e sahatit, ngritur mes qytetit, me një bukuri aq të rrallë sa nuk e beson dot po nuk e pe vetë me sy. Fusha e orës së madhe e vendosur në majën e kullës është sjellë nga Ardeni, e gjërë sa brënda çangës së sajë mund të rrinë dhjetë burra. Kjo çangë-orë çdo mesditë bie 12 herë aq sa buçima i dëgjohet një ditë udhë larg… (Libri i cituar fq. 53)

Ndërmjet nëpunësve të lartë të kësaj kryeqëndre kulturore, “dallohen dy kryemjeshtrat; ai i ndërtimit dhe ai që drejton grupet muzikore” (R. Sokoli, “Përtej 16 shekujve”, fq. 40) Pazaret e shumta gjallërojnë jetën qytetare. Vetëm tregu i Hysen Pashës ka mbi 100 dyqane moderne ku bëhen të gjitha llojet e tregtisë. Veç këtij janë dhe tri pazare të tjerë. Qyteti i Beratit lidh me tregun e vet, gjithë pronarët e Myzeqesë por ndikon shumë edhe në tregtinë e gjithë vendit si në ato të Kavajës, Elbasanit, Korçës, e Durrësit, duke synuar që këtë qytet ta kthejë në portin e Shqipërisë pas atij të Vlorës të cilën, e qeveriste po Berati.

“…Banorët beratas janë njerëz të urtë dhe të butë, të drejtë dhe të përvuajtur. Ndihmojnë shumë njeri tjetrin, janë energjikë e trima të vërtetë, qytetarë të kulluar dhe me burrëri të plotë… Berati ka shumë intelektualë dhe burra të shquar. Këtu kanë lindur shumë njerëz të famshëm e burra shteti, sundimtarë e vezirë, ministra e dijetarë. Poetët, oratorët dhe shkrimtarët këtu, janë njerëz me kulturë të lartë dhe më studime te plota. Këta nuk e çajnë kokën për doktrinën fetare por janë njerëz të zgjuar dhe me një delikatesë që shkon deri në shkallën më të lartë… Djelmoshat që punojnë ndër dyqane janë të bukur dhe të hijshëm si bij mbretërish. Si meshkujt dhe femrat janë të shëndetëshëm dhe të bukur, dashnorë të nxehtë por, gjithnjë brënda kufijëve të moralit dhe edukatës. Djemtë dhe vajzat e të njëjtit sokak nuk martohen mes tyre se quhen motra dhe vëllezër… Djelmënia këtu edhe në shëtitje del e armatosur dhe betimi i vetëm i tyre është ai për shpatën. Në rast lufte, Berati nxjerr 4000 ushtarë të cilët, vlerësohen si shumë trima…” (R. Sokolilibri i cituar fq. 58)

Ndërtimi më i bukur, më i kushtueshëm dhe më i përkujdesur i beratasve, ishte shkolla. E para shkollë si institucion zyrtar, u çel në kalanë e Beratit në vitin 1780. “…Pleqtë ngrehën një shkollë të madhe dhe të bukur me avlli të lartë e të zbukuruar nga pesë koka statujash si dhe me shumë gurë të skalitur të sjellë nga Apollonia” (Revista “Dituria” nr. 1, 2, viti 1926, faqe, 336) …Të gjithë u përpoqën shumë dhe gjetën librat për mësonjësit dhe nxënësit, të cilat, i vendosën në një bibliotekë të hapur brënda në shkollë. Kujdes të madh për të mbledhur këto libra tregoi Mitropoliti i Beratit, Josif Gjeçi, (dhespot Josifi), prej Kolkondasi. Mes tyre kishte edhe libra fetarë, edhe libri “Pistit”, (Besimi), shkruar në Ardenicë, nga kallogjeri i këtij manastiri Nektar Terpoja dhe botuar në Venedik më 1733…”. (Revista e cituar, fq.337)

Pra, nga Kolkondasi dhe Apolonia, bashkë me librat, autorët dhe stolitë për shkollën e Beratit, me nxënësit dhe mësuesit e saj, doemos, do vinte e shkonte për në Myzeqe, edhe jehona, vlera dhe mesazhi i tërë asaj çka ndodhte në këtë metropol. Vepra atdhetare në fushën e mësimit shqip e gjithë patriotëve beratas si ajo e Babë Dudë Karbunarës, Llambi Goxhomanit, Sulo Resulit me shokë, nuk mund të mbetej larg vëmendjes dhe synimeve intelektuale të patriotëve dhe mësuesve myzeqarë si Perikli e Kiço Konomi dhe Thanas e Jani Boçova në Fier, Thanas Nushi e Rrap Mërtiri në zonën e Lushnjes, Zoji e Jovan Ndreko dhe Tuni Gjergji e Jorgji Dhamo në Libofshë, Kovi e Spiro Saqellari në Kolkondas, Theodhori e Aleko Rista në Bubullimë, Jani Minga dhe Papa Isaija në Seman, Ikonom Dhima dhe Anastas Ikonomi në Ardenicë, Koli Sako me shokë në Divjakë etj, të cilët, në gjithë jetën dhe veprimtarinë patriotike të Beratit, shihnin progresin dhe emancipimin, modelin socialkulturor nga duhej ecur në luftën dhe ndërmarrjet e tyre atdhetare.

Duke vlerësuar teatrin politik dhe patriotik të ngjarjeve në Berat, në fundvitet e shekullit 19-të, evenimente të tilla siç ishte ardhja aty dhe bashkëpunimi i Babë Dudës dhe shokëve këtu me figura të shquara të Rilindjes tonë kombëtare si K. Kristoforidhi, H. Tahsini, etj, bëhet plotësisht i besueshëm edhe bashkëpunimi i tyre me mësuesit dhe patriotët e Myzeqesë, herë drejtpërdrejt dhe herë përmes kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre beratas. (IGogaj, revista “Myzeqeja” nr. 4, viti 2006, faqe, 11)

Nëse në gushtin e vitit 1908, Myzeqeja, e para në trikëndëshin Berat-Vlorë-Durrës, mundi ta hapte në Libofshë Mësonjëtoren e parë shqipe me mësuesin vendas, Jovan Ndreko, doemos që në këtë vepër atdhetare kishte pjesën e vet të meritës edhe Berati dhe posaçërisht Babë Duda dhe Shoqëria “Bashkimi” këtu, anëtar i së cilës ishte edhe Jovan Ndrekua. Për vlerat dhe veprat qytetëruese të të gjithë patriotëve tanë te kudondodhur, të përcjella nga Berati ndër myzeqarë dhe nga Myzeqeja në Berat, kanë qënë të ndërsjellta, reciprokisht të vlefshme dhe shpesh kushtëzuese për njëra tjetrën. Të kujtojmë këtu Apoloninë famëmadhe ku shumë shekuj më parë kishin parë dhe marrë modelet e qytetërimit antik dhe më vonë atij europian. Aty njohën shkollat dhe dijetarët e parë që nderonin gjer larg këtë “qytet hijerëndë”.

Mund të vazhdojmë kështu me qytetin-kështjellë të Babunjës (Gradishta), ose Anisa më e herëshme, me kompleksin arkitekturor të Ardenicës, ku edhe Pashai i Beratit zbriste për pushimet verore, me Kolkondasin, manastirin dhe shkollën e tij të hershme e të dëgjuar e cila, i dha edhe Beratit e gjithë vendit mësonjës për më shumë se një shekull, por edhe dijetarë e dhespotë si Metodi prej Bubullime, Josafët prej Kolkondasi, (gjyshi dhe nipi), njeri prej të cilëve hapi, kompletoi dhe zbukuroi shkollën e parë dhe bibliotekën e saj në kalanë e Beratit që në vitin 1780.

T’i shtojmë kësaj tabloje kulturore edhe lëvizjet tregtare e kulturore përmes rrugës Egnatia, e cila e përshkonte kryq e tërthor Myzeqenë në lashtësi, porteve detare dhe skelave grykëlumore të bregdetit myzeqar si Bashtova, Karavastaja, Pirgu, Spinarica, Semani, etj, përmes të cilëve lëviznin gjatë gjithë shekujve të mesjetës njerëzit, mallrat dhe kulturat, nga Berati e gjithë Shqipëria drejt qyteteve italike, qytetërimeve europiane dhe anasjelltas.

Në të tjera mënyra, rrugë dhe mjete, përshtat zhvillimeve dhe arritjeve bashkëkohore, këto kontribute dhe qarkullime vlerash në dobi të njëra tjetrës, vazhdojnë ende me intensitete dhe forma të reja, ndërsa Berati i sotëm rrezaton shumë më larg Myzeqesë dhe Shqipërisë. Ky shkrues dhe mbrojtës deri në flijim i kodikëve të famëshme të shekujve 6-9, ky qytet muze (tashmë i mbrojtur edhe nga UNESKO), me tri lagje të restauruara (Goricë, Kala, Mangalem), me 84 monumente kulturore të kategorisë së parë dhe mbi 400 të kategorisë së dytë, me 10 muzeume publike të profilizuara si ai i Onufrit, ikonografik, arkeologjik, etj, vazhdon të na flasë sot me përvojën e mjeshtërve 2400 vjeçarë, për gjithë brezat që shkuan dhe pasardhësit e nesërm.

Pasi e vizitoi Beratin e një dekade më parë, ish Sekretari i Përgjithëshëm i OKB-së, Perez de Kuelar, shkroi: “Ishte kënaqësi për mua që e vizitova këtë pasuri të madhe të kulturës shqiptare. Shpresoj që ky qytet i admirueshëm, të konsiderohet dhe respektohet si një pasuri kulturore e mbarë njerëzimit”. (Revista “Ylli”. nr.7, viti 1990, faqe 14)

Kësisoj pra, kanë dhënë e marrë këta “komshinj” të mirë, në gjithë shekujt e mbijetesës së tyre të gjatë, metropoli kulturor i Beratit dhe “fusha fisnike” e Myzeqesë së “begaçme”, duke pasuruar dhe stolisur shoshoqin, me gjithçka kanë pasur më të mirë, më të bukur, më të fisme…