Vende & Zakone

Loja me Vezët e Pashkës-Nga Klodi Stralla

Kujtime fëmijërie

Ne, në fëmijërinë tonë, kemi pasur shumë lojra dhe mes tyresh ishte ajo që lidhej me vezët e Pashkës. Nuk e kam fjalën për vezët e kuqe që shoqëronin ritualin e festimit të Pashkëve e që i çukisnim me njëri-tjetrin në mesnatën e të shtunës, para sheshit të kishës, kur dhespoti shqiptonte tre herë shprehjen - Krishti u ngjall!, por lojën që bënim të nesërmen, të dielën, me vezët e Pashkës.

Të dielën paradite grumbuj fëmijësh mblidheshin në sheshe sipas vendbanimit të tyre: disa në sheshi i Mitropolisë, disa te sheshi i Shën Gjergjit, të tjerë tek Shën Mëria. Fëmijët e mëhallës time dhe të disa mëhallëve përreth grumbulloheshim te sheshi përpara Kinema “Morava”. Mund të ishin mbi 100 apo 150 fëmijë, të moshave të ndryshme, nga më të vegjlit e deri tek gjimnazistët. Të gjithë me vezë në duar dhe me dëshirën për fitore. 

Regullat e lojës ishin të thjeshta: dy fëmijë çukisnin vezët me njëri-tjetrin dhe ai që ia thyente shokut fitonte vezën. Ishte një lojë që në zhargonin e atëhershëm quhej “me fit” (me fitim). Në vartësi se ku ishte vendosur flluska e ajrit brenda vezës gjatë zjerjes, dhe që përcaktonte “forcën” e saj, ato ndaheshin në tre lloje: majë, puçkë dhe bark. 
“Majë” quheshe veza që e kishte majën e fortë dhe në çukitje me vezët kundërshtare kishte dalë disa herë fituese; po kështu edhe “puçka” apo “barku”. Kishte një mënyrë interesante se si ne të vegjlit e zbulonim fortësinë e vezës, duke e trokitur atë në dhëmbët e para dhe ajo që kish tingull të mprehtë ishte e “forta”, ndërsa ajo me tingull të trashë ishte e “dobëta”. Disa fëmijë, ata më marifetçinjtë, të instruktuar natyrisht nga më të mëdhenjtë, për ta bërë vezën sa më të fortë e lyenin nga jashtë me dyllë ose e mbushnin me dyllë të shkrirë brenda. Një vezë e tillë “hileqare”, për atë që e zotëronte, ishte e pathyeshme!

Ndonëse kanë kaluar kaq shumë vite ende e kam para syve momentin e çukitjes të vezëve. Secili e mbante vezën e vet me kujdes, e mbështillte me pëllëmbën e dorës dhe i linte kundërshtarit për goditje vetëm një hapësirë shumë të vogël nga sipërfaqja e saj. Një teknikë më vete ishte ajo e atij që godiste i pari vezën e kundërshtarit: përqëndrohej, merrte frymë thellë dhe pastaj jepte një goditje impulsive, shumë të shpejtë, në mënyrë që impulsi i forcës goditëse të ishte sa më i madh. Një fizikë e vërtetë, e aplikuar falë përvojës fëmijënore!
Vezët që kishin dalë fitimtare ndër “beteja” kishin vlerë më të madhe se të tjerat dhe shiteshin më shtrenjtë. Sheshi kumbonte nga thirrjet : “Kush ka një puçkë?”, “Kush do një majë?”

Viti 1967 ishte viti i fundit i kësaj lloj loje, sepse atë vit u ndalua ushtrimi i fesë, u mbyllën kishat dhe rituali i Pashkëve bëhej vetëm fshehur në familjet ortodokse korçare, ndonëse nuk mungonin edhe guackat e vezëve të kuqe që hidheshin fshehur përpara Komitetit të Partisë, si karshillëk ndaj regjimit.

Pa dyshim këto lojra kujtohen nga të gjithë bashkëmoshatarët e brezit tim. Disa prej tyre mbase i kanë treguar ato me bukur se unë, në shkrimet e tyre. Por këtë të dielë Pashke kujtimet e grumbulluara në labirintet e fshehta të kujtesës, më ngacmuan të shkruaj diçka, qoftë edhe për miqtë e mi më të rinj të Fb, që mosha e re nuk ua ka mundësuar t’i përjetojnë gëzime të tilla.

Tagged under Klodi Stralla