Vende & Zakone

Gjirokastra, bukuria që fshihet pas trishtimit të vet

 

 Nga Ylli Asllani*

Një raport në stinën e pranverës, kur zakonisht kryhen punët e veshtira të dimrit

Gjirokastra po përjeton një nga periudhat më delikate të historisë së saj. Melankolia si tipar i bukurisë së qytetit i ka lënë vendin dhimbjes.

Dikur thuhej se ky qytet ishte “kursyer” nga bombardimet për shkak të vlerave që mbartte. Por me sa duket forca shkatërruese e dimrave dhe indiferenca po e degradojnë gradualisht.

Imazhet e monumenteve të tij të madhërishëm po pulsojnë para syve tanë përpara se të zhduken dhe të ngelen përgjithmonë vetëm në dosjen e kujtesës kulturore të njerëzimit (UNESKO).

Rrënimet e këtij viti qenë tronditëse. Plagët e dimrit që lamë pas janë alarmuese. Nuk ishte thjesht një amortizim i kohës.

Është luhatur pikërisht tabani tektonik mbi të cilin ngrihen kështjella, banesat, monumentet dhe vetë qyteti. Kjo është arsye dhe jo vetëm që vala e shkatërrimeve duhet ndalur. Ndërhyrja në kohën e duhur është më me vlerë se çdo gjë tjetër.

Nëse jo, me keqardhje them se, e ardhmja mund jetë e paparashikueshme.

Në këto rrethana kërkohet një angazhim përtej notave sentimentale. Duhet një logjikë e ftohtë dhe këndvështrim tërësisht teknik, i bazuar në një informacion dhe ekspertizë të detajuar për të sotmen dhe të ardhmen.

Në punën time si këshilltar për pushtetin vendor i Presidentit më është dashur shpesh të verifikoja dhe konkludoja rreth situata fatkeqësish natyrore, përmbytje, rrezikime territoresh apo zhvillime ta caktuara në rajone.

Një raport për vendlindjen e dëmtuar natyrisht ngelet më i vështiri.

Por kush është realiteti i asaj që po ndodh në Gjirokastër?

Përkeqësimi i situatës së reshjeve gjatë këtij dimri ka nxjerre në pah një seri problemesh për Gjirokastrën dhe krahinat e saj.

Në kodrat e qytetit kanë filluar rrëshqitje masive, të cilat po rrezikojnë dhe po paralajmërojnë një të ardhme të pasigurt për banoret dhe banesat e tyre.

Qyteti po përballet me forcën shkatërruese të përrenjve të Cullos, Bufamesë, Gjokanës dhe Sopotit. Mbulimi i pritave të vjetra dhe mosndërtimi i pritave të reja në shtretërit e këtyre përrenjve, po rrezikon mbulimin me inerte të pjesës së re urbane të qytetit. Sivjet ishte vetëm fillimi i krijimit të një shtrese mbi 1 m me aluvione e materiale te disa lagjeve.

Ndërkohë, rrënimi i banesave po kthehet në një makth. Dita ditës ky fenomen po merr përmasa alarmante. Qyteti po shpërfytyrohet dhe banorët e qeverisja vendore nuk mund ta ndalin dot këtë tendencë. Faktorët mbështetës që dikur i mbanin gjallë ka kohë që po neglizhohen.

Mungesa e fondeve emergjente është asfiksuese. Në qytet dhe zonat përreth investimet në përgjithësi janë te pamjaftueshme, sporadike, te copëtuara dhe jo të mirëmenduara.

Varfëria, ndarja e re administrative dhe mungesa e perspektivës po bëjnë që zona të braktiset.

Jeta social-ekonomike po asfiksohet gradualisht. Brezi ri po refuzon çdo ditë e më tepër jetën në vendlindje. Fondet për gjallërimin e jetës kulturore dhe artistike pak ndikojnë në zbutjen e varfërisë dhe përmirësimin real të mirëqenies së banorëve.

Ne këtë situate, pushteti vendor po përpiqet për të frenuar rënien dhe garantuar vazhdimësinë.

Me sa kam komunikuar, Bashkia ka memorizuar çdo dëmtim deri në detaje dhe qeveria e ka tashmë një inventar të plotë të dëmtimeve.

Fatkeqësisht, problemet e akumuluara, pengesat dhe vështirësitë e momentit e tejkalojnë kapacitetin logjistik, burimet financiare dhe mundësitë tekniko- organizative të Bashkisë, ndofta edhe të vetë qeverisë.

Një Projekt Pilot ngelet e vetmja zgjidhje

Në këto kushte e vetmja zgjidhje ngelet hartimi dhe financimi i një Projekti Pilot që të bashkojë vullnetin dhe mundësitë e gjithë potencialeve qeverisës të vendit dhe donatorëve.

Një Projekt Pilot që të përcaktojë prioritetetë dhe ti japë zgjidhje problemeve të karakterit emergjent dhe të perspektivës.

Problemet më emergjente janë:

Menaxhimi i territorit ka dalë nga kontrolli si pasoje e rrëshqitjeve gjeo-tektonike në relievin e kodrinave ku bazohet kështjella dhe një pjesë e lagjeve të poshtme të qytetit.

Shkatërrimi i pritave malore. Mungesa për vite me radhë e pritave malore në përrenjtë e qytetit ka sjellë përmbytjen me zhavorrishte të pjesës se grykëderdhjes së tyre në qytet. Ndërtimi i katër pritave në përrenjtë që përshkojnë qytetin (Cullo, Fico, Sopot dhe Bufane).

Banesat monument kulture po shemben me shpejtësi si pasojë e mospatjes së një politike shtetërore për restaurimin e tyre apo subvencionimin e qytetarëve të saj të varfër që banojnë aty.

Është me urgjencë financimi i godinave monument të kategorisë së parë më të rrezikuara. Gjirokastra është specifike. Ajo ka nevojë çdo vit për restaurime të banesave monumentale. Qyteti është në UNESKO falë magjisë së këtyre banesave.

Mungesa e investimeve mirëmbajtëse në Kështjellën e qytetit dhe kodrën ku ajo ngrihet. Muret e Kështjellës kane thelluar plasaritjen e tyre si rezultat i lëvizjes tektonike të shkëmbinjve ku janë mbështetur themelet e tyre. Fundi është i pa parashikueshëm.

Kërkohet pyllëzimi dhe fortifikimi i shkëmbijve të kodrës së Kështjellës, pasi në situata reshjesh intensive do të jemi përballë rrenimit të saj.

Godinat e Muzeut dhe ansamblit arkitektonik pranë tij janë të pa hidroizoluara, gjë që sjell depërtimin e ujit në muret mbajtës dhe rrënimin e tyre.

Objektiva afatgjate:

Menaxhimi i territorit dhe ruajtja e pasurisë monumentale nuk mund të jenë jashtë kodeve teknike, standarteve dhe studimeve afatgjata.

Gjirokastra duhet të aprovojë dhe zbatojë me rigorozitet studimin e plote sizmik, gjeologjik, hidroteknik për menaxhimin e rreziqeve në territorin e Gjirokastrës në dritën e zhvillimeve te fundit.

Duhet theksuar se ky plan menaxhimi është kryer dekada me pare nga studio italiane dhe nuk po zbatohet pasi duhet të aprovohet në KRRT të Republikës.

Qyteti ka nevojë për hartimin mbi këtë studim të një rregulloreje teknike (Statuti) të menaxhimit të qytetit për zonën e mbrojtur, por edhe për krejt territorin.

Ky statut do të vendosë disiplinë teknike dhe rregulla të forta për menaxhimin e ndërtimeve dhe ruajtjen e territorit.

Hartimi i një politike te harmonizuar për ruajtjen e vlerave muzeore

Është detyrim kushtetues ruajtja e identitetit të saj etnokulturor. Gjirokastra është një vlerë e pasurisë kulturore kombëtare dhe asaj botërore. Këto vlera nuk mund ti suportojnë qytetarët e varfër që banojnë te ato. Në gjithë botën, vlera të tilla janë pjesë e programeve kombëtare e ndërkombëtare të subvencionimit dhe mbështetjes financiare.

Rikthimi gradual i institucioneve shtetërore ne Qendrën Historike

Pazari historik ka qenë arsye e krijimit të vetë Gjirokastrës. Largimi absurd, për arsye banale i ndërmarrjeve shtetërore në këto 25 vjet në pjesën e poshtme të qytetit, ka lënë shteg për braktisjen e tij prej qytetarëve, komunitetit zejtaro-tregtar dhe sistemit bankar.

Rikthimi i tyre është jetik për ekzistencën e qytetit. Më shume se për investime ky qytet ka nevoje për jetësim.

Një cikël i plote turistik për jugun me qendër Gjirokastrën

Një projekt i detajuar në mbështetje të rigjallërimit të tregut dhe vlerave etno-kulturore.

Gjirokastra ka domosdoshmëri një studim të plotë në ndërtimin e një tregu turistik afatgjate. Një cikël turistik brenda vendit dhe ndërkufitar.

Në këtë studim do të përfshihen preventivimi i infrastrukturës turistike, kapaciteteve akomoduese, aeroportit, përcaktimi i siteve kulturore, antike, muzeve, monumenteve, etnografia, kulinaria, doket, zakonet, produktet karakteristike.

Implementimi i një pakete kreditimi të banesës gjirokastrite dhe rimodelimi i shërbimit te Drejtorisë se Monumenteve

Drejtoria e Monumenteve duhet të ketë një brigadë mirëmbajtësish dhe restauruesish të cilët ti qëndrojnë tek koka monumenteve!!!

Ndërkohë, kërkohet një politike shtetërore subvencionuese e qarte për restaurimin e banesave monument kulture (të paktën objektet e kategorisë se pare).

Braktisja e qyteteve dhe banesave muzeale nga skemat lehtësuese të kreditimit është absurde dhe ka qene fatale.

Ndërkohë, pozicionimi i Institutit te Monumenteve si qendër prokurimi është larg shërbimeve dhe nevojave imediate te qytetit.

Forcimi i fshatrave përreth, subvencionimi si dhe nxitja e investimeve në agroindustri e blegtori

Koha ka treguar se asnjë qytet nuk mund te mbijetoje pa patur një fshat të zhvilluar. Rrënimi Gjirokastrës ka filluar nga braktisja e fshatit dhe tani po përfshin në mënyrë të pandalshme edhe qytetin. Ndarja drastike territoriale dhe eliminimi i pastudiuar i qeverisjeve të zgjedhura në ish-komunat, ishte katastrofë më vete.

Në vend të epilogut

Ky raport në fakt është një kujtesë në stinën e pranverës, kur zakonisht kryhen punët për dimrin.

Duke paraqitur këtë tablo emergjence jam i bindur se Gjirokastra ka një të ardhme të begatë. Janë të shumtë dashamirësit e hijeshisë së saj, që e admirojnë për çka përfaqëson në etnokulturën dhe identitetin shqiptar.

Problemi është se duhet të dish si dhe kur ta ndihmosh …

Qytetet e UNESKO-s si Gjirokastra, janë të vështirë në mrekullinë e vet. Ata nuk janë si qytetet e tjerë. Ndërhyrjet për rikuperimin e tyre kërkojnë racionalitet dhe politika investimesh specifike ndaj dhe ja vlen që Gjirokastrën të mos e braktisim në kapriçiot e fatit!

Autori, aktualisht këshilltar për pushtetin vendor i Presidentit të Republikës, në vitet 1996-2000 ka qënë kryetar i Bashkisë Gjirokastër.