Ekonomi

Zhvlerësimi i monedhës evropiane dhe informaliteti

  • Published in Ekonomi
Nga: Zef Preçi

Shkaqet e zhvlerësimit së fundmi të Euros në ekonominë  tonë  kombëtare duhen pare të  lidhura shumë më tepër me zhvillimet e brendshme dhe më pak me ato të  jashtme. Kështu, zhvlërësimi i Euros, lidhet ngushtësisht me ofertën monetare të  madhe në treg, me konsumin e dobët të brendshëm, me perpjekjet e Bankës së  Shqipërisë për të  rivendosur kontrollin e vet mbi qarkullimin monetar, me levizjet në tregun paralel të  huasë, me nivelin miminal të thithjes së parasë  nga ekonomia reale, etj. Dmth kryesisht me zhvillimet në anën e ofertës së parasë.  

Siç dihet, të hyrat monetare nga emigracioni (remitancat) janë kryesisht me monedhën Euro dhe megjithë rritjen modeste, mbeten në nivele të krahasueshme me vitet paraardhëse. Në vend është gjallëruar dukshëm tregu paralel i kredisë nëpërmjet zyrave noteriale, i cili gjithashtu bëhet në monedhën e Euros. Edhe shiblerjet e pasurive të  patundshme, në shumicën dërrmuese tyre, në mos 100%, bëhen në monedhën e Euros dhe agjencitë  imobiliare raportojnë  per rritje deri në  20% të  çmimeve për njësi siperfaqeje gjatë dy viteve të fundit.

Por pavarësisht se vetëm në kanale formale hyjnë në vend më shumë se 900 milione Euro në  formen e remitancave dhe destinohen në  më  shumë  se 1/3 e tyre për të  blerë  mallra konsumi në tregun e brendshëm, pavarësisht faktit se huatë  (borxhet) në tregun paralel të  kredisë  jepen në  monedhën Euro dhe llogariten në  disa dhjetëra milionë Euro të tjera, pavarësisht se shitblerjet e pasurive të  patundshme (të  rritura dukshëm sipas Bashkisë  së  Tiranës dhe Qeverisë) bëhen në monedhën Euro, përsëri këto zhvillime nuk arrijnë të absorbojnë sasinë e madhe të Eurove në tregun vendas.

Ndërkaq, dhenia e lejeve të ndertimit për 10 apo 11 kulla në Tiranë, në të cilat pritet të investohen rreth 300 milionë Euro si dhe listimi i një numri veprash publike në  kuadrin e programit të  ashtuqujtur “Programi 1 miliardë ”, tregojnë  se presionet për të zgjeruar tregun në favor të kësaj oferte monetare të brendshme tashmë  jane reale dhe shumë  të  mëdha.

Në vlerësimin tim, problemi më serioz mbetet origjina nga veprimtaritë e paligjshme e një  pjese të  konsiderueshme të  ketyre parave dhe mungesa e mbështetjes së bankave të  “Programit 1 miliardë ” apo investimeve në  ndertimet e biznesit për të cilat janë dhënë lejet e ndërtimit. Ndërkaq, gjendja e shëndetshme e bankave tregtare dhe rritja e qëndrueshme e fitimeve të tyre, në kushtet kur zgjerimi i kreditimit të ekonomise reale është tejet miminal, tregon se edhe keto të  fundit ndodhen nën presionin e kesaj oferte monetare të brendshme.

Mendoj se është koha që të gjitha palët e në radhë të parë Qeveria, të kuptojnë se paratë me origjine kriminale nuk mundet kurrsesi të sherbejnë si burim zhvillimi i ekonomisë sonë kombëtare dhe se çrregullimet që kanë filluar të shfaqen duke filluar me rrënimin e konkurrencës në tregje (psh në tregun e pasurive të  patundshme ku çmimet rriten ndërsa kërkesa është minimale) do të thellohen më  tej në  ditët që vijnë.

Ndërkaq, mundësitë e kanalizimit të këtyre parave në investime publike (përndryshe në  “zbardhjen” e tyre) dhe më  keq akoma, në shndërrimin e tyre të  menjehershëm në borxh publik (pra në shtimin e këtyre parave) përbëjnë një  rrezik real dhe me ndikime afatgjate në ekonominë  tonë  kombëtare. Kjo është edhe arsyeja kryesore se përse FMN këshilloi së fundi qeverinë  edhe publikisht për të  hequr dorë nga politika ekonomike që  “de facto” dhe "de jure" legjitimojnë  këto burime. Kësisoj, vazhdimi i zhvlerësimit të monedhës Evropiane tregon se sa të  mëdha janë  sasitë  e parave informale dhe kriminale që  qarkullojnë vitet e fundit në ekonominë shqiptare dhe se ende mungojnë politikat ekonomike, fiskale, financiare dhe bankare që  mund ta futin këtë  ekonomi në binarët e formalizimit dhe zhvillimit ekonomik të  qëndrueshëm.