Fëmijët

Kërkimi i sekretit në satelitin 'Kalisto'

  • Published in Fëmijët

Kreu 12. Kërkimi i sekretit në satelitin Kalisto

Romani për fëmijë “Presidenti i Planetit të Kuq”

nga Bedri Dedja

Ekuipazhi flinte dhe katër rojet e natës vëzhgonin në të katër anët rreth anijes për të pikasur çdo rrezik. Profesor Kriosi, me hartën e sistemit diellor përpara, drejtonte anijen. Ajo përshkoi disa miliona kilometra në drejtim të Jupiterit dhe më pas nga Jupiteri te satelitët e grupit të tij të parë edhe dy milionë kilometra të tjerë.

Kriosi i pa me sytë e vet dhe pastaj i krahasoi me hartën tre satelitët që mbanin emrat “Io”, “Europa” dhe “Ganimede”. Nja njëqind mijë kilometra nga e majta dalloi edhe satelitin Kalisto, ku duhej edhe të shkonin. Sa të çuditshëm ishin kata satelitë të rrumbullakët me ngjyrë si të floririt! Thua se ishin kokë e këmbë të kulluar në ar!

Kriosi e frenoi anijen përballë satelitit Kalisto, e futi në orbitën e tij, duke e bërë satelit të satelitit dhe pastaj ndenji duke vështruar. Në fillim po i dukej sikur cipa e florinjtë e satelitit ishte e mbuluar me një shtresë akulli transparente pastaj u duk se vetë akulli ishte ngjyrë ari. Hodhi sytë te teletermometri për të parë sa ishte temperatura jashtë anijes. Ishte më e ulët sesa në sipërfaqen e Jupiterit: minus 210 gradë celcius. I erdhi ndër mend se për të zbritur në Kalisto e për të gjetur dokumentin sekret që kërkonte presidenti i Planetit të Kuq nevojiteshin veshje dhe skafandra speciale.

Ai vazhdoi vëzhgimet e veta mbi të gjijthë sipërfaqen e satelitit që rrotullohej ngadalë para syve të tij. Për një çast përmes cipës së trashë të akullit të florinjtë ai dalloi një pikë të errët. U afrua tek teleskopi dhe përqëndroi vështrimin. Iu duk se pika e errët i ngjante një porte të hekurt. Nisi të dyshonte. “Të jetë e vërtetë vallë?! Si mund të vinte njeri gjer këtu në kohët e mëparshme, kur përveç qilimit fluturues nuk kishte asnjë mjet tjetër për të përshkuar hapësirat qiellore?”

Kokën e profesor Kriosit e pushtuan qindra mendime të ngatërruara, si ato mizat që i turren mjaltit. Ndërsa kishte rënë i gjithi në mendime ai ndjeu se në sup iu mbështet një dorë e butë. Ktheu koën të shihte: ishte presidenti i Planetit të Kuq. Si u përshëndetën, ai e pyeti:

- Çfarë po mendon, biri im?

Profesor Kriosi ia shkoqi një e nga një mendimet e veta presidentit, si të ishin gurë shahu në fushën e tyre mbi një tryezë. Ai e dëgjoi me shumë vëmendje dhe pastaj u afrua tek teleskopi. Vërejti gjatë dhe i dha të drejtë për dyshimet e veta Kriosit.

-Do ta provojmë! –tha. –Veshjet dhe skafandrat speciale i kemi. Unë i kisha përgatitur ato me kohë në planetin tonë. Ato mjaftojnë vetëm për një ekspeditë prej katër vetash. Kalamajtë e tjerë do të rrinë në anije, do të vëzhgojnë lëvizjet tona dhe në rast rreziku do të organizojnë tërheqjen tonë këtu.

 

Po atë ditë u bënë provat e përgjithshme për zbritjen e ekspeditës në satelitin Kalisto me veshje dhe skafandra speciale. Veç presidentit në ekspeditë u caktuan një kalama-shkencëtar nga Marsi me emrin e vjetër Marsian Tekanjozi dhe dy nga Toka: profesor Kriosi dhe Teodor Metalori.

Të nesërmen ekspedita ishte gati për zbritje në Kalisto. Anija u afrua rreth një kilometër mbi sipërfaqen e tij. Një dhomëz e vogël me katër njerëz brenda rrëshqiti poshtë me anë të një teli të fortë prej çeliku dhe u ul në sipërfaqen e akullit të florinjtë. Dhomëza u hap dhe të katër njerëzit dolën jashtë. Ata filluan të rrëshqasin me kujdes mbi patina, të cilat drejtoheshin me telekomandë, që secili e mbante në dorën e djathtë.

Sytë e të gjithë kalamajve-shkencëtarë ishin mbërthyer në dritaren e anijes, duke ndjekur me ankth lëvizjet e ekspeditës. Altoparlantët e vendosur në të gjitha anët e anijes “X=Jupiter-2”. Transmetonin vazhdimisht mesazhe nga presidenti i Planetit të Kuq: “Jemi mirë. Mos u bëni merak. Gjer tani kemi bërë një zbulim shumë interesant. Së shpejti do të nisemi për te pika e errët ose te porta e hekurt, siç na e përshkroi Kriosi…”

Kaluan disa orë. Në anije, në pritje të zbulimeve të ekspeditës kalamajtë-shkencëtarë harruan madje të pinin tabletat e ushqimit. Dreka atë ditë, sipas menysë, kishte qenë shumë e pasur dhe shumë e shijshme. Ajo përbëhej nga tri tableta: njëra me mish kaprolli, me patate të skuqura si dhe supë me lëngun e peshkut salmon. E dyta me bakllava allaturka, ndërsa e treta me akullore “Banana-split”.

Ta kishin ditur kalamajtë-shkecëtarë se ç’drekë i priste ndofta disa prej tyre do ta kishin harruar fare ekspeditën.

Kaluan disa orë të tjera.

Më në fund, pas më shumë se nëntë orësh kur Jupiterin dhe satelitin  e tij Kalisto i pushtoi errësira e natës, ekspedita u kthye në anije.

Darka kaloi me dy tableta, njëra me sallatë frutash deti tjetra më tortë e me çaj.

Në orën dhjetë, në mbledhjen e përgjithshme të kalamajve-shkencëtarë të anijes kozmike, presidenti i Plantetit të Kuq rapotoi për kërkimet e ekspeditës në satelitin Kalisto të Jupiterit.  Po çfarë raportoi ai?

 (zbulojeni në postimin e ardhshëm të kreut 13)