Fëmijët

Përrallat që çdo fëmijë duhet t’i dijë

  • Published in Fëmijët

Fëmijët kënaqen kur të rriturit u lexojnë histori, tregime apo përralla. Ata mund të mësojnë shumë prej tyre. A e dini se për t’i shpjeguar një temë të nxehtë ose një çështje delikate, përrallat janë një mënyrë fantastike për t’ia dalë mbanë? Gjithashtu, përmes përrallave fëmijëve mund t’u mësohen zakone të mira, mënyra sjelljeje pozitive, të cilat ata mund t’i përdorin në jetën e përditshme.

Ç’është e vërteta në ditët e sotme ka debate në Shqipëri se cila është forma më e mirë e edukimit, nisur nga role-modelet që media prezanton vazhdimisht. Megjithatë, duke mos humbur shpresën tek triumfi i vlerave, Flasshqip i qëndron linjës së shëndetshme të edukimit të fëmijëve, e cila përmban edhe të lexuarin dhe dhënien e shembujve pozitivë për të edukuar karakterin.

Ka disa përralla të njohura që çdo familje duhet t’i dijë për t’ua treguar fëmijëve të tyre, sigurisht nëse duan të rrisin fëmijë të mbarë e të mençur. Këto përralla kanë moralin në fund pjesën më të rëndësishme, atë që çdo prind do duhet ta theksojë në fund të tregimit. Fëmija e merr mesazhin ëmbëlsisht dhe të jeni të bindur se në këtë mënyrë do të shtroni një rrugë të drejtë edukimi për vogëlushin tuaj.

Milingona dhe Gjinkalla-kjo përrallë bazohet në konceptin e punës së palodhur në të tashmen për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Përmes kësaj përralle fëmijët mësojnë nevojën, rëndësinë dhe përfitimet e punës.

Druvari i ndershëm-Ndershmëria është rruga më e mirë-ky është morali i përrallës së druvarit që humbi sopatën në lumë. Fëmijët mësojnë se do të vlerësohen një ditë nëse tregohen të ndershëm.

Pata e artë- kjo është përralla e fshatarit që kishte një patë, e cila bënte çdo mëngjes një vezë të artë. Lakmia, kjo ndjenjë negative njerëzore është helmuese për lumturinë dhe jetën. Prandaj edukoni fëmijë jolakmitar.

Rosaku i shëmtuar-është një përrallë që i mëson fëmijëve se pamja e jashtme nuk është gjithçka.

Bariu që thërriste ujku, ujku- kjo përrallë mëson se askush nuk e beson një gënjeshtar edhe kur ai thotë një të vërtetë.   

Sigurisht, këto nuk janë shteruese. Ka edhe mjaft të tjera qofshin ato përralla klasike apo të sjella edhe në formën e romaneve për fëmijë me personazhe të skalitur mjaft bukur si “E bukura dhe Bisha”, “Tre derrkucët”, “Lepuri dhe Breshka”, “Piter Pani”, “Pinoku”, etj. Shumica e përrallave nëse lexohen me vëmendje kanë mesazhe mjaft të mira dhe mund të shërbejnë si një guidë e përditshme në edukimin e fëmijëve tuaj.

©Flasshqip