Fëmijët

Rrëfimet e zbulimeve në Kalisto!

  • Published in Fëmijët

Kreu 13

Romani për fëmijë “Presidenti i Planetit të kuq”

nga Bedri Dedja

-Ne ishim katër…Ne nuk u ndamë nga njëri-tjetri për asnjë çast. Patinat i drejtonim me telekomandë që të mos rrëzoheshim në akullin me ngjyrë të florinjtë. Kështu ecëm disa dhjetra kilomentra. Rrëshqit e rrëshqit me patina, ngadalë e me kujdes. Pas nja tri orësh marsiane, që ishin baraz me tri orë e tri minuta e dyzet e ca sekonda të Tokës, para nesh u shfaq një gropë e madhe. Ajo dukej si një fushë futbolli me një cipë të hollë akulli përsipër. Shtesa e saj e sipërme nuk i ngjante fare për nga trashësia gjithë pjesës tjetër të sipërfaqes së Kalistos. Nën cipën e hollë të akullit nuk dukej asnjë pëllëmbë me ngjyrë të florinjtë.

Unë fillova të vëzhgoja me shumë kujdes cipën e gropës. Tek-tuk ajo kishte njolla të errëta me nuanca të ndryshme të ngjyrës së zezë. Menjëherë u thashë shokëve të ekspeditës të vërenin edhe ata me vëmendje. Ndërkaq u ula dhe mora një copëz akulli me ngjyrë të zezë. E futa në një paketë dhe me kozmopostën time e nisa në planetin Mars, në kryeqytet, në Institutin e Kërkimeve Ndërplanetare.  U dërgova dhe një mesazh atyre të institutit:

Jam unë, presidenti i Planetit të Kuq.

Ndodhem në satelitin Kalisto të Jupiterit.

Po ju dërgoj një masë të zesë akulli.

Studiojeni! Analizojeni!

Më dërgoni përgjigjen pse kjo copë është e zezë dhe jo me ngjyrë floriri si gjithë sipërfaqja e Kalistosë.

Koordinatat e mia kozmike janë: DKS dhe SKD.

Pres përgjigje!

Të katërt u ulëm në mes të gropës për të pritur përgjigjen. Futëm në gojë nga një tabletë. Tableta përmbante çaj të ngrohtë të lules së blirit, me reçel të manave të tokës. Pasi pimë çajin, porosita profesor Kriosin dhe Teodor Metalorin  të studionin mineralin me ngjyrë të florinjtë që ndodhej nën shtresën e trashë të akullit jashtë gropës. C’është e vërteta për këtë detyrë nuk kisha shumë besim te Kriosi. Ai nuk ka njohuri shumë të thella në fushën e mineraleve.  Por kisha shpresë se këtë detyrë do ta bënte si duhej Teodor Metalori, i cili vjen nga një familje që denbabaden është marrë dhe specializuar për punën e arit në Zvicër.

***

   Prita më shumë se dy orë derisa mora përgjigje për të dyja analizat: të akullit të kulluar me ngjyrë të florinjtë dhe akullit të errët me ngjyrë të zezë. I pari tek unë erdhi Teodor Metalori i shoqëruar nga profesor Kriosi. Ai më tha: “President! Sateliti Kalisto është trupi qiellor me rezervat më të mëdha të arit që njihet gjer më sot. Një minierë të tillë të hapur njerëzimi nuk e ka parë kurrë. Ky ar është thuajse krejt i kulluar, ka vetëm një përqindje të vogël të pluhurit kozmik. President, kjo është një pasuri shumë e madhe! Me këtë pasuri ne mund të shpëtojmë jo vetëm galaktikën tonë por edhe tri a katër galaktika fqinje. Me këtë pasuri mund t’ua presim këmbët dhe kokën të gjithë oktapodëve të mafies kozmike”.

-“Të lumtë Teodor! Të lumtë Krios!” -u thashë unë. I lavdërova të dy, megjithëse Kriosi në këtë zbulim kishte qenë vetëm një ndihmës i Teodorit. Nuk vonoi shumë dhe unë dëgjova sinjalin e kozmofonit tim. “Me siguri, -mendova, -do të kem ndonjë mesazh nga Marsi.”

Dhe kështu ndodhi. Ja ç’më shkruanin:

Sipas analizave të Institutit të Kërkimeve Ndërplanetare, kuptuam se copa e akullit ngjyrë të errët përmban mbeturina të karburantit të anijeve kozmike. Mendojmë se në vendin ku është marrë ajo copë akulli ka një mikrokozmodrom, ku ulen dhe ngrihen anije kozmike.

Nuk kaluan as pesë minuta dhe përsëri cëriti sinjali i kozmofonit. Erdhi mesazhi i dytë:

Mendojmë se duhet të kontrolloni rreth vendit ku keni marrë copën e akullit me ngjyrë të errët. Duhet të gjeni shenja të lëvizjeve të udhëtarëve misteriozë të anijeve kozmike që kanë zbritur aty.

I.K.N.

***

Në këto çaste mua m’u kujtua porosia që më kishte lënë me shkrim në kutinë e vogël presidenti paraardhës i planetit Mars. Pra, ishte e vërtetë: Në satelitin Kalisto fshihej një sekret që kishte të bënte me fatin e sistemit tonë diellor.

“Djema, pas meje!” –u thashë tre shkencëtarëve të vegjël që më shoqëronin në ekspeditë. Dolëm në anën e kundërt të mikrokozmodromit dhe nisëm të rrëshqisnim përsëri ngadalë të katërt, në një rresht horizontal dhjetë-pesëmbëdhjetë hapa larg njëri-tjetrit. Nuk kaloi as gjysëm ore, kur dalluam një shenjë në krahun e djathtë. Shenja ishte paksa misterioze. Unë e kam kopjuar në ditarin tim dhe pas pak do t’jua tregoj në ekran. A mund të më thoni ju se ç’tregon ajo?

Ekrani u ndez dhe të gjithë vërejtën këtë shenjë:

 

-Ta them unë, President? Foli shkencëtari kalama më i vogël në moshë i ekuipazhit të anijes kozmike “X=Jupiter-2”

Thuaje!- i dha leje presidenti.

-Bishti i gjarprit që duket lart tregon drejtimin për të gjetur sekretin e Kalistosë. –Më duket se ke shumë të drejtë. A bëjmë pak pushim? Njomni gojën me çaj dhe me fruta!

Pasi të gjithë u rehatuan nga stomaku, presidenti vazhdoi:

-Duke rrëshqitur nëpër akull ne zbuluam 100 shenja të tilla në vijë të drejtë gjersa arritëm te porta magjike. Aty mundëm të hyjmë brenda e të gjenim dokumentin sekret, i cili ishte shkruar me shenja e gërma që nuk i deshifronim dot. Ja, shiheni në ekran dokumentin sekret që zbuluam!

Ekrani u ndez. Të gjithë picërruan sytë me vëmendje.

-A mund të më thoni se çfarë është shkruar në këtë dokument?

Kalamajtë-shkencëtarë kapsallitën sytë.

∞x∞y∞z-xxxx

∞yx∞z-yyyy

∞zy∞x-zzzz

Asnjëri nuk e mori fjalën. Kjo dukej një punë shumë e ngatërruar.

 –O kalamaj-shkencëtarë!- i qetësoi presidenti. Sekretin e këtij dokumenti do ta zbërthejmë në Mars. Qëllimi i ekspeditës sonë u arrit. Tani duhet të kthehemi në Planetin e Kuq. Jeni të lirë të pushoni e të flini!

Dikur më vonë, kalamajtë ranë për të fjetur. Syhapur mbetën vetëm rojet në të katër anët e anijes.

Eh, çfarë çudirash ishin këto! Të zinte gjumi në shtrat, mbi sipërfaqen e satelitit Kalisto të Jupiterit dhe të zgjoheshe në shtratin e hotelit të mysafirëve në kryeqytetin nëntokësor të planetit Mars teksa lindtte dielli artificial elektrik.

Kur kalamajtë-shkencëtarë të ekspeditës u zgjuan nga gjumi, të gjithëve pa përjashtim i shkoi mendja te dokumenti sekret i zbuluar në satelitin Kalisto. Çfarë shkruhej aty?  

(zbulojeni në postimin e ardhshëm të kreut 14)