Fëmijët

Zbërthimi i dokumentit sekret që u gjend në satelitin Kalisto të Jupiterit

  • Published in Fëmijët

Kreu 14

Romani "Presidenti i Planetit të Kuq" nga Bedri Dedja

Historia e zbërthimit të dokumentit sekret të gjendur në satelitin Kalisto të Jupiterit nuk qe edhe aq e thjeshtë. Për këtë punë presidentin e Planetit të Kuq nuk e ndihmoi as fjalori i tij dygjuhësh njerëzisht-mafiozisht, të cilin e kishte përdorur në ekspeditat e tij ndërplanetare. U mblodhën të gjithë gjuhëtarët e përkthyesit e planetit Mars. Hapën të gjithë fjalorët dhe enciklopeditë që gjendeshin në Bibliotekën Planetare Marsiane. U kërkua ndihmë në bibliotekat dhe te dijetarët e Tokës. Kaloi gati një muaj dhe enigma e dokumentit nuk u zbërthye. Presidenti ndenji tri netë pa gjumë duke u menduar dhe duke lexuar libra. Në fillim ai e humbi shpresën dhe i erdhi keq për planetin e tij. I erdhi keq për Tokën dhe sistemin tonë diellor. Të gjithë mund ta pësonin nga mafia kozmike dhe paudhësitë e shëmtuara të saj e të ndonjë galaktike tjetër pushtuese.

Si ndenji tri netë e tri ditë pa gjumë, presidenti vendosi të pushonte pak. Mbylli sytë e humbi në një gjumë të ëmbël. Sapo e kishte zënë gjumi, ndodhi çudia. Kjo çudi është me të vërtetë interesante!

Çfarë rrëfente imagjinata e presidentit të Planetit të Kuq?

Ti, o njeri i mirë, që e lodh kokën me vite e me muaj për të zbuluar një të vërtetë. Kur i afrohesh pranë asaj pas shumë mundimesh, rri dhe tri netë e tri ditë pa gjumë dhe përsëri nuk e zbulon. Kur të zë gjumi pas tri ditësh e tri netësh, ndodh mrekullia. E vërteta që kërkove të shfaqet në ëndërr si një llokum i ëmbël, që mund ta gëlltitësh fare lehtë.

Ky truri ynë çudibërës t’i shpërblen mendimet e viteve, muajve, ditëve e netëve në kërkim të së vërtetës.

Kështu ndodhi edhe me presidentin e Planetit të Kuq.

Sapo ra në gjumë atij i doli në ëndërr kutia e vogël e presidentit paraardhës të Marsit dhe një letër brenda saj që i ngjante tabelës së një alfabeti të panjohur krahasuar me alfabetin e marsianëve.

Presidenti u zgjua si i llahtarisur, por shumë i gëzuar. U ngrit menjëherë nga shtrati. Mori kutinë e vogël, nxori letrën e dy alfabeteve dhe nisi ta krahasojë me dokumentin sekret të satelitit Kalisto. Punoi tërë natën e gjer në mëngjes për ta zbërthyer e për të marrë vesh se ç’ishte shkruar në të.

O njerëz! A keni dëgjuar ndonjëherë për zbulime?  A ka zbulim më të madh se zbulimi i Amerikës? Se Toka nuk është tepsi byreku, por planet i rrumbullakët? Se Toka lëviz në orbitën e vet? Se Toka ka edhe tetë vëllezër që rrotullohen rreth Diellit?

Të lumtë, o president i Planetit të Kuq!

Unë them se edhe ti ke bërë një zbulim shumë të madh sot!

Me këtë zbulim ti ke shpëtuar Amerikën. Ke shpëtuar Tokën, jo si tepsi byreku, por si planet i rrumbullakët. Ke shpëtuar dhe tetë vëllezërit e Tokës, që rrotullohen rreth Diellit.

Pasi e zbërtheu dokumentin sekret të gjetur në satelitin Kalisto të Jupiterit, presidenti nisi ta shkruante tekstin në dy gjuhë: në gjuhën e marsianëve dhe në gjuhën esperanto të Tokës, që është gjuha e përbashkët e të gjithë banorëve të planetit tonë.

Çfarë ishte shkruar aty?

Lexojeni!

Një mijë e një herë sekret!

Sekret! Sekret! Sekret!

Ai që do ta nxjerrë këtë sekret në shesh do të ekzekutohet dhe do të kthehet në satelit të planetit Pluton në shekuj të shekujve.

Studiojeni planetin e sulmit!

Operacioni “Mjekra e zezë”

Pas pushtimit të dy sistemeve të kësaj galaktike, sulmi në vitin XYZ-X do të drejtohet kundër sistemit diellor-planetëve T.M (Tokë e Mars).

Baza ushtarake kozmike e sulmit: Kryqëzata ndërplanetare “Vajza e Mjekrës së zezë”, midis Jupiterit dhe Marsit.

Shtabi i operacionit: Qendra në Satelitin Kalisto të Jupiterit.

Rradha e sulmeve:

Skalioni i parë: Droga e galaktikës Korbi i Zi dhe agjentët diversionistë të veshur si priftërinj.

Skalioni i dytë: Gjarpërinjtë e zjarrtë që rrethojnë Tokën dhe Marsin.

Skalioni i tretë: Agjentët që pastrojnë helmet e atmosferës nga tymi i drogës së djegur.

Dërgimi i robërve të zënë në Tokë dhe Mars për punë të detyruar në galaktikën Korbi i Zi.

Festa e fitores në Uashington dhe në kryeqytetin nëntokësor të Marsit.

Komandanti i operacionit “Mjekra e Zezë”

Gjeneralisimus Ben-Ban Ladon-Ladan.

Presidenti i Planetit të Kuq lexoi edhe njëherë vitin e sulmit: XYZ-X

I krahasoi gërmat me numrat sipas dokumentit të kutisë së vogël. Pra, ishte e qartë: Nga muaji i sulmit kishte mbetur edhe një vit marsian. (vijon..)

 

 ©FlasShqip