Fëmijët

Rrotullimet e tokës dhe... të babit*

  • Published in Fëmijët
Nga: Vangjush Saro

Babi asnjëherë nuk qe zënë ngushtë si atë ditë. Ishte diçka përpara darkës. Mami si gjithnjë, gatuante. Babi po fliste në celular me një shok. Moza bënte mësimet në dhomën e saj; duke dëgjuar muzikë, merret vesh. Vetëm Agroni i vogël rrinte me sytë në televizor, përpara një filmi vizatimor me udhëtime kozmike, a thua ishte bërë për shkencëtarë e jo për fëmijë. Papritur, ashtu si kot, ai u kthye nga babi:

-Është e vërtetë që Toka rotullohet?
-Si? Toka? A rrotullohet Toka? Patjetër... Patjetër që rrotullohet. Rrotullohet që çke me të... - ia dha përgjigjen babi shpejt e shpejt.
Dhe vazhdoi atë telefonatën. Fliste për boçe me rroba, enë kuzhine, sepete... Mirëpo, me sa dukej, kishte folur mjaft.
-O ba, - pyeti përsëri Agroni - Po si kështu... rrotullohet dhe ne nuk përmbysemi?
-E? Përmbysemi? E pse duhet të përmbysemi?
-Sepse ajo rrotullohet, - nguli këmbë djali.
Babi filloi të hutohej nga pak. Këtej bënte sikur përgjigjej në celular, për kusira e më the të thashë, andej mendohej se si t’i përgjigjej Agronit. Rrotullohet... E qartë fare. Po pse nuk përmbysemi? Dikur, edhe ai kishte mësuar në shkollë ca gjëra këso, të habitshme dhe të ngatërruara, por ohu... shumë e shumë vite më parë. Ky mistreci e donte përgjigjen tani. Por ai po fliste me dikë për Tezgat, se atje shet gjithë ditën... 
Eh, eh! Babi i shkretë vendosi të rëmonte në kujtesë.
-Atëherë, - ia filloi ai - ti pyet përse nuk përmbysemi. Ta shpjegon babi ty. Këto gjëra unë i di si buka që hahet... Nuk përmbysemi, sepse rrotullimi është kaq i shpejtë, kaq i shpejtë… po kështu hë, rrufe. Edhe pastaj… pastaj...
Në kohën që babi mbahej pas fjalës ‘pastaj’, Goni u hodh përsëri në sulm:
-Jo, o ba, jo! Po të rrotullohet shpejt, duhet ta kuptojmë ne.
-Ehe, jo! Ke të drejtë, - ia priti babi menjëherë. - U ngatërrova pak. Nuk rrotullohet shpejt. Dëgjo dëgjo, se këto gjëra i di si buka që hahet unë. Toka rrotullohet ngadalë, po kaq ngadalë, kaq ngadalë... si të ta them unë... sikur të ishte breshkë. Kjo është Goni, prandaj nuk përmbysemi. O Zot! Ç’budallallëqe thuhen nëpër filma, shtoi pastaj, gati duke e përplasur celularin. (Ec e gjeje kush thotë budallallëqe, filmat apo babi.)
Një copë herë, u duk sikur ishte sqaruar gjithçka, rrotullimet e Tokës dhe të babit përfunduan me kaq. Por jo. Nuk ndalet Toka. Nuk ndalet as Agroni.
-Po mirë, o ba, - tha ai - ku rrotullohet Toka?
Opala! Ia filloi nga e para ky. Duke menduar këtë, babi ia nguli sytë djalit të tij kureshtar sikur ja, tani do t’i jepte një përgjigje përfundimtare dhe do të shpëtonte njëherë e mirë nga pyetjet e tij. Babi s'donte ta bënte veten se nuk dinte kurrfarë gjëje. Jo, ai gjithmonë thotë se i di të gjitha. Dëgjo dëgjo, i pret drutë shkurt ai, këto gjëra unë i di si buka që hahet. Eh, si mund të shfaqet ndryshe përpara djalit, sepse në të vërtetë më mirë di çmimet e çerteve që shet....
-Atëherë, - ia filloi sërish - ta qepim këtë punë. Ti pyet ku rrotullohet Toka... Toka rrotullohet në vend. Më kuptove? Si të ta them unë ty… ja kështu, opaaa(!) si rodhani, ehe, tamam si rodhani. Ti ke qenë tek lojërat. Se këto gjëra unë i di si buka që hahet. Ore, ajo rrotullohet dy herë. Rrotullohet edhe... - babi po vriste mendjen të gjente cili ishte rrotullimi i dytë - Hë, rrotullohet rreth Hënës - ia mbyti më në fund.
-Ashtu? Po ku është Hëna? Përse nuk e shikojmë ne kur rrotullohemi? - nuk ndahej Agroni.
Tani babi filloi të mërzitej. Për fat të keq, ai i dinte kaq mirë këto gjëra, sa që nga astronomia u hodh tek meteorologjia.
-Dëgjo dëgjo, - tha - se këto gjëra unë i di si buka që hahet. Ne s’mund ta shikojmë gjithnjë Hënën, sepse qielli është me re... Shiko ti, kur retë janë afër... Dale prit! Thamë që Toka rrotullohet. Tani Hëna është këtu. Jo, Hëna është atje… Rrotullohet Hëna?
-Si? Edhe Hëna rrotullohet? - e ngatërroi edhe më keq i biri.
-Jo! Prit! Hëna nuk rrotullohet. Jo. Dale. Hëna rrotullohet. Ani... Oh, ç’po më vjen mendja anës! Shiko... se ta shpjegon babi ty. Fillon Toka njëherë. Vu e vu e vuuu, rrotullohet kjo. Pastaj vjen përqark këtej... Kur bie shi, sidomos natën... Se shiu nuk e lë të duket. Furtunat, për shembull… Dale prit! E shikojmë ne Hënën? Po Diellin? Hë Gone, ja tani të sqaroj mirë e mirë unë ty... Fillon Hëna. Vu e vu e vuuu ajo. Eh, se këto gjëra unë... Toka thamë, si ai rodhani. Mirëpo ja, u prish moti… Ç’ndodh në këtë kohë? Në këtë kohë…
Në këtë kohë që babit po i vinte festja rrotull dhe e kishte humbur toruan fare, erdhi në kuzhinë Moza. Ajo i kishte dëgjuar disa nga sqarimet e bukura të babit. Dhe foli me gjysmë zëri:
-Pse ia mëson gabim, o ba? Toka rrotullohet rreth vetes dhe kjo ndodh gjatë 24 orëve. Kurse rrotullimin e madh e bën rreth Diellit, për një vit. E si mund shikohen lëvizjet, kur Toka është e pamatë?...
-Ja, kjo është e gjitha, - iu kthye babi Agronit. - Të thashë unë, këto gjëra i di si buka që hahet...
Ishte vërtet koha për të ngrënë bukën dhe darkën; kështu që u larguan sakaq edhe hutimet, edhe keqkuptimet. Por duke u ulur në tryezë, babit s’iu durua pa i thënë Mozës:
-Ti e pe vetë sa shumë u mundova për ta sqaruar... Hajde, na bëftë mirë!

 *Nga libri “Një ditë pa mamin”