Fëmijët

Aventurat e Don Kishotit në Shqipëri – Novelë nga Vangjush Saro (Kreu I)

  • Published in Fëmijët
Nga: Vangjush Saro

I. DON KISHOTI SHPJEGON PSE KANË ARDHUR NË SHQIPËRI DHE MBAN LEKSION PËR HISTORINË, MADJE MË SHUMË SE KAQ...

Ai bëri këmbë në pragmuzgun e një dite të shkurtër dimri, diku përmbi kodrat që hedhin valle rreth e qark Tiranës. Figura legjendare u pa për së pari në sfondin e një peizazhi të sakatuar të një pyllishteje që dukej sikur po vajtonte.

-Ja, Sanço i dashur, kjo është Shqipëria. Vështroje o mik, ç’vend i bukur! Vetë Perëndia e ka bekuar… Drurët shikojnë përpjetë, të kapin qiellin e kthjellët. Poshtë ka bregore, kullota të pasura. Pa do rrush, do fiq, portokalle?… Lumenjtë punë e madhe, more Sanço. Liqenet, nga më të bukurit e botës. Aty më tej, është deti. Po ç’det e ç’bregdet, or mik; ka qenë i virgjër fare. Bukuri e Zotit!

-A nuk më thua, o mendjelartë, çfarë do të bëjmë në këtë vend? - foli Sançoja pak i merakosur.

-Si çfarë? Të kam premtuar se do të të caktoj të qeverisësh një nisi*? Kalorësit e ndershëm i mbajnë premtimet, i dashur Sanço. Ja tek po vijmë pra, që të ndihmojmë të qeveriset ky vend.

-Kalorës i nderuar - pyeti prapë i urti Sanço, duke kruajtur kokën e zbuluar - këta shqiptarët… italianë janë?

-Jooo! Ç’thua kështu, Sanço! Këta vërtet e dinë italishten, sepse janë të zgjuar, por ja, kaq. Këtu, lum miku, edhe anglishten e dinë shumë. Edhe spanjishten. Janë finokë nga natyra, Sanço.

Shqytari sërish e mbajti veshgjatin:

-Atëherë - tha ai, dhe dukej shumë i interesuar për vendin që do qeveriste - këta janë grekë?

-Ohoho, i mjeri ti, sa i pamësuar që je! - e qortoi Don Kishoti, duke rrëfyer durim, po çfarë durimi, për të ndriçuar mendjen e paditur të shqytarit të tij. - Po si qenkërkan grekë, more i uruar! Ata po, janë të vjetër sa grekët, ca thonë edhe më të vjetër… dhe kanë luftuar me romakët shumë e shumë kohë përpara. Pastaj me serbët, me turqit, me gjermanët… Luftëtarë të mëdhenj, Sanço. Edhe në kohërat moderne kanë luftuar.

-Ç’thua imzot?!

-Eh, posi… Këta, more Sanço, edhe para ca vjetësh, ja, më ‘97-tën, kanë bërë luftë. Dhe prapë... Hë? Për luftë, s’ta përtojnë këta. Bam - bam!…

-Epo imzot, kjo nuk shkon. Jetë e mot, luftë! Zotrote sikur më the se janë njerëz të zgjuar…

Don Kishoti u mendua një hop e s’dinte ç’të thoshte. Vështroi teposhtë luginën e bukur e të jeshiluar të Erzenit dhe përfundoi këtë herë pa shumë frymëzim:

-Eh, more Sanço! Gjëra të ngatërruara këto! Më mirë të shpejtojmë hapin, se do të na zërë nata përjashta duke llomotitur…