Fëmijët

Aventurat e Don Kishotit në Shqipëri – Novelë nga Vangjush Saro (Kreu II)

  • Published in Fëmijët

Po vijojmë me publikimin e novelës “Aventurat e Don Kishotit në Shqipëri” të shkrimtarit Vangjush Saro*, kreu II. Novela është njëlloj parodie; personazhi i njohur dhe shqytari i tij bëjnë një vizitë të gjatë në Shqipëri, duke u përpjekur të kuptojnë dhe të ndihin diçka në realitetin e vështirë shqiptar të tranzicionit. Novela i drejtohet një spektri të gjerë lexuesish; ajo përshkohet nga nota humori, që shpesh i lënë vendin groteskut. U botua nga ASD Studio në vitin 2002 dhe është ilustruar nga piktori Kosta Raka. Lexim të mbarë.

II. DON KISHOTI NË AKSION KUNDËR DHUNËS

Në këtë episod, rrëfehet se si kalorësi madhështor ftillohet në lidhje më kullotjen e lopëve, bingo-t, kallashë-t dhe hollësi të tjera të jetës në Shqipëri

Udhëtarët kishin hyrë ndërkaq në një katund të madh, me rrugica të baltosura, por edhe me shumë gjelbërim. Binte një erë e mirë trëndelinash. Zogjtë cicëronin punë e madhe. Dielli atje lart lozte me ca re të vockla e të buta si shpendë të harruar.

Don Kishoti dukej fort i gëzuar. Por ndërsa kalonin rrëzë gardhit të një shtëpie, na vështrojnë një katundar që kishte vënë ndër thonj një kalama dhe bamp e bamp, po i binte sa i hante dora. Fëmija qante me të madhe, duke i mbajtur të dyja krahët përmbi kokë, që të mbrohej. Mirë që katundari po e bënte atë punë me pëllëmbë e nuk kishte marrë ndonjë hu…

Don Kishoti i Mançës, një të tërhequr frerët Rosinantit të tij besnik. Edhe i thirri shqytarit:

-Prit, Sanço! Më parë duhet të çlirojmë këtë fëmijë të shkretë nga kthetrat e atij të pashpirti.

-Imzot - deshi ta kujtonte shqytari - Ecim më mirë në rrugën tonë, se mjaft kemi vuajtur duke futur hundët në punë të të tjerëve.

Por Don Kishoti s’kishte ndër mend të hiqej mënjanë e të bënte sehir. Kësodore, një të lëshuar kushtrim dhe e drejtoi Rosinantin fill e te shtëpia e katundarit. Kalëroi ashtu vringthi, drejt e nëpër oborr; dhe u ndal te pusi, ku po kërciste druri.

-Mjaft, more katil, se për atë zot, të shpova me hushtë tejpërtej! - bërtiti me të madhe Don Kishoti.    

-Kush je tina, që më ndal dorën? - iu përgjigj një zë i çuditshëm, sikur dikush po fliste me kokën në thes.

-Si kush jam unë, more sojsëz?! Nuk e njeh ti kalorësin e arratisur, që shpartalloi me krahun e tij të fuqishëm të gjithë armiqtë dhe të poshtrit e kësaj bote? E si guxon të ngresh dorën mbi një të pambrojtur? Rrëmbe një armë ç’të kesh dhe dil këtu në shesh të burrave! Po s’të bëra përshesh, mos më thënçin Don Kishoti i Mançës…

Katundarja - se në të vërtetë ishte një katundare, por nga veshja dukej tamam si ndonjë burrë - u hutua nga e gjithë kjo ligjëratë. Edhe në se kishte ndër mend të vazhdonte të ndëshkonte të birin, hoqi dorë në çast dhe po e kqyrrte të panjohurin me sytë naaa, sa një filxhan. 

-A e din zotnia jote se ça ka bo kyna? - mezi e gjeti ajo gojën pas një copë here.

-Nga ta di?

-Epo msoje, pra! Unë i thom t’kullosë lopën, kurse ky nuk do. Nuk do që nuk do. Ene druri i tako...

-Po pse u dashka kullotur lopa? - pyeti tamam si ndonjë budalla Don Kishoti.

Sançoja, shqytari i tij i urtë, që deri tani po rrinte disi tërhequr, ia bëri nja dy herë hm hm. Pastaj ndërhyri me takt, që të mos dukej sikur i zoti ishte ndonjë tutkun dhe aq:

-Epo, kalorës i nderuar - tha ai - duhet të hajë lopa, që të hajë edhe njeriu…

-Të hajë sa të pëlcasë! - bërtiti Don Kishoti trim. - Le ta kullosë i ati!

-Po i ati o n’ Itali, o trangull. - ia ktheu katundarja, duke hapur krahët sikur të thoshte më tej: “Me çil fol edhe una…”

-Në Itali, po. E çfarë bën atje qafiri?

-Si ç’bo? Vjel damote, mor zotni. Osht emigrant.

-Po mirë, ky djalë nuk duhet të ulet e të lëçitë librat, a si i thonë? - u nxeh Don Kishoti. - Folë, more Sanço, se m’i nxorri trutë kjo e paditur.

Por na doli se e paditura dinte që ç’ke me të. Ajo tha, pa iu dridhur fare qerpiku, se po të ishte për mësimet, bujrum… le t’ia fillonte ai kokëqypi, i biri. Por jo, ai na dashkej para, edhe të shkonte atje, si i thoshin në… bingo.

-Video game, ma! - e korrigjoi djali, duke shpresuar se do të përfitonte nga ndërhyrja e mysafirëve të çuditshëm.

-Ç’janë këto, mo Sanço? - pyeti Don Kishoti.

-Lojëra, imzot, aventura - ia priti me gojën plot Sanço Pançoja.

-Ashtu vërtet?! Po shumë mirë! - përplasi duart kalorësi, i lumtur.

-Hë, more xhaxhi, thuaji edhe ti, se vdiqa - s’duroi më edhe djali i vogël.

Mirëpo në këtë çast, e ëma e mbërtheu për zverku dhe zuri ta tërhiqte zvarrë nëpër oborr, duke klithur me të madhe se do t’ia tregonte qejfin, se do t’ia bënte kurrizin më të butë se barkun. Don Kishoti shkrofëtiu gjithë tërbim. Ai u hodh ta ndalonte dhe do ta kishte ndaluar, por gruaja hyri vetëtimthi në shtëpi dhe pastaj doli me një, me një…

-Ç’e ka atë gjë në dorë, more Sanço? - pyeti i ziu kalorës me sy të çmeritur.

-E ka... Këta i thonë kallash, imzot. Tamam-tamam, kallashnikov.

-Për çfarë duhet edhe përse po na shikon me kaq inat? - nuk kuptonte fare i mjeri kalorës.

-Ajo gjëja bën bam(!) edhe të lë të vdekur në vend imzot, po hajde të ikim, sa pa na shtrirë të dyve këtu në oborr…

Don Kishoti s’dëgjonte të ikte. Ai vringëlliu njëherë ushtën siç dinte vetë dhe u përpoq t’i tregonte katundares epërsinë e tij. Mirëpo gruaja pram(!)e shkrehu në ajër atë gjënë e çuditshme dhe më t’u bë një potere, sa që Don Kishoti u hodh përpjetë me gjithë kalë. Sançoja përmbi gomarin e trembur, ia kishte dhënë vrapit me kohë e me vakt. Duke e ndjekur pas si i shkëmbyer, Don Kishoti i thoshte shqytarit të tij zëngjirur:

-Ç’është kështu, Sanço. Më thuaj. Ku vate trimëria ime?

-Të shpëtojmë kokën, imzot. Thashë, s’ia përtojnë për luftë këta... Të shpëtojmë kokën, se të rrëfej më vonë...

Udhëtarët e shkretë morën tatëpjetë fshatit, ndërsa atje lart te gardhi i vet, katundarja tundte kryet, sikur të thoshte: “Ja edhe njëherë, ja...”

 vijon

 .................................................................................

*Vangjush SARO lindi më 1952 në Korçë. Më 1971, përfundoi gjimnazin “Raqi Qirinxhi”. Më pas, kreu Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori-Filologji. Punoi për disa vjet arsimtar në rrethin e Gramshit. Më 1985, ndoqi Kursin Pasuniversitar njëvjeçar për redaktor e skenarist pranë ish-Institutit të Lartë të Arteve dhe ish-Kinostudio “Shqipëria e re”. Pas vitit 1985, punoi redaktor-skenarist në ish-Kinostudio “Shqipëria e re”, mandej në gazetat “Alternativa SD” e “Sindikalisti” dhe më pas, gazetar e zëdhënës pranë Bashkimit të Dhomave të Tregtisë.

Krijimtaria letrare e shkrimtarit është e gjerë dhe e larmishme. Në të, krahas groteskut dhe rrëfimit gazmor, vihen re nota lirike, ndërkohë që thurrja e krijimeve të tij, karakterizohet nga struktura të kohës dhe një koncizitet bindës. Vangjush Saro ka botuar disa libra me tregime për të rritur, ku mund të veçohen “Dy orë dramaturg” dhe “Biri i ambasadorit”, si dhe romanet “Kurora e Ballkanit” dhe “Misioni”. Ai është autor i kinokomedisë “Shkëlqim i përkohshëm”; ka shkruar gjithashtu skenarë për filma dokumentarë dhe vizatimorë, pjesë teatrale, etj.

Aspekt i veçantë i krijimtarisë së tij, janë fabulat, zhanër në të cilën autori performon në një mënyrë origjinale, duke i shtuar - kësaj vjershe të një lloji të veçantë - peizazhin dhe qasjen lirike; për këtë, por edhe falë gjetjeve interesante dhe gjuhës së pasur e prirjes për vizione filmi, autori afrohet bindshëm te lexuesit e çdo moshe.

Pjesë e rëndësishme e krijimtarisë së tij artistike, është gjithashtu proza për të vegjëlit, tregimet dhe novelat gazmore. Në këtë fushë, janë të njohur sidomos librat “Një ditë pa mamin”, “Polic Këmbëvogli”, “Dy fëmijë në Kampionatin Botëror të Futbollit”, “Aventurat e Don Kishotit në Shqipëri” dhe “Rrëfime nga shkolla ime”.

Krahas krijimtarisë letrare, Vangjush Saro është marrë edhe me gazetari, duke bashkëpunuar me disa gazeta kombëtare, si “Republika”, “Alternativa SD”, “Sindikalisti”, “AlbBiznes”, “Metropol”, “Telegraf”, “Gazeta Shqiptare”, “Shekulli”, “Shqip”, etj. dhe me portale e forume si “Fjala e lirë”, “Zemra Shqiptare”, “Flasshqip.ca”, etj.

Vangjush Saro ka marrë çmime kombëtare për vëllimin me tregime satiro-humoristike “Biri i ambasadorit” dhe për novelën për fëmijë “Polic Këmbëvogli”. Pjesë nga krijimtaria e tij letrare dhe publicistike janë përkthyer e publikuar edhe në gjuhë të huaja.

Prej disa kohësh, jeton në Vankuver (Kanada).

..............................................................................

 Nga krijimtaria e autorit

-Prolog satirik /Skica/ Sht. Botuese “Naim Frashëri”, 1974

-Dy orë dramaturg/ Tregime satiro-humoristike/ “Naim Frashëri”, 1975

-Në kërkim të studentit Mete/ Tregime satiro-humoristike/ “Naim Frashëri”, 1979

-Ora nuk ha çokollata / Poemë për fëmijë/ “Naim Frashëri”, 1980

-Një copëz jetë/ Pjesë teatrale, 1983

-Miku i vogël / Poemë për fëmijë/ “Naim Frashëri”, 1983

-Autogol/ Komedi, 1984

-Biri i ambasadorit/ Tregime satiro-humoristike/ “Naim Frashëri”,  1988

-Shkëlqim i përkohshëm/ Kinokomedi, 1988

-Ervini dhe miqtë/ Novelë gazmore/ “Toena”, 1993

-Një ditë pa mamin / Novelë gazmore/ “Toena”, 1994

-Polic Këmbëvogli/ Novelë gazmore/ “Reklama”, 1995

-Dy fëmijë në Kampionatin Botëror / Novelë/ ASD, 2001

-Aventurat e Don Kishotit në Shqipëri / Novelë/ ASD, 2003

-Aventurat e Bubit Çamarok/ Përrallë/ “Mësonjëtorja”, 2003

-Rrëfime nga shkolla ime/ Tregime për fëmijë/ ASD, 2004

-Një ditë pa mamin /Botim 2/ ASD, 2005

-Shqipëria, Porta e Ballkanit/ Film dokumentar, 2006

-Dhelpra shpërblen Lepurin/ Fabula/ ERIK Botime, 2012

-Trumcaku ftillon Ferrën/ Fabula / ERIK Botime, 2014

-“Kurora e Ballkanit”/ Roman / Amazon, 2016

-Gomar apo Kaproll?/ Fabula/ ERIK Botime, 2017

-Misioni/ Roman/ Amazon, 2017

 @Flasshqip