Fëmijët

Vangjush Saro-Një 'duel' i dështuar me 'Presorin' e kurseve private (Kreu IV)

  • Published in Fëmijët

Vijon publikimi i fragmenteve kryesore të novelës “Aventurat e Don Kishotit në Shqipëri” (ASD Studio, Tiranë 2003)

‘Hoteli’ ishte mjaft larg. Deri sa shkuan atje, Rosinanti i urtë dhe gomari i Sanços e çanë baltën mirë. Pa ua vënë veshin salltaneteve, mysafirët fjetën si të vdekur. Por nga mbrëmja, nipi i Muj Kreshnikut zu të bërtiste me të madhe për punë lekësh. Ë? Kalorësi trim brofi menjëherë dhe vuri veshin të dëgjonte, pa le ç’kishte ngjarë. “Na plasën shpirtin me këto kurset private! Na lemerisën! Nuk kam asnjë qindarkë! Nuk kam!” bërtiste me të madhe një grua. E reja e Mujit duhej të ishte ajo. “Mos u mërzit, se kena për të marrë paret e hotelit,” e qetësonte plaku. Kurse çuni nga ana e tij, ngulte këmbë e çirrej papushuar: “O xhixhat e presor Llaqit, o s’ka!”

E gjithë kjo rrëmujë, iu dha shkas Don Kishotit dhe Sanço Panços të kuptonin se i priste një aventurë e re… Mysafiri i lavdishëm kërkoi të dinte, menjëherë, se kush ishte ky presor Llaqi. Dhe... ç’na ishin këto kurset private?! Nusja e zemëruar e Mujit, e sqaroi mirë e mirë… Që kurset ishin me lekë; që për të marrë ndonjë notë të mirë, duhej ‘të faleshe’ tek presori; që nëpër provime, ai u jepte nxënësve vetëm ato ushtrime e problema që bënte në atë të flamosur kurs. E kështu me radhë.

Kalorësit me flatra i hipën kacabujtë keq. Ai po bëhej gati të vishej e të ngjishte armët për t’ia treguar vendin këtij presorit, por Sançoja e hoqi mënjanë me lezet. Ai i kujtoi se po errej, s’kishin ku ta gjenin; iu lut të çlodheshin edhe ca e të merrnin veten nga rruga e gjatë. Kështu pra, kishte mjaft kohë për të luftuar dhe për të fituar.

Këshilla e mençur e Sanços u pëlqye fort.   

Në mëngjes, luftëtarët u gjendën fill e në oborrin e shkollës ku mësonte nipi i Muj Kreshnikut. Aty, përpara një kukumaleje me dhe, kalorësi i shquar ndali gërdallën e tij besnike dhe i tregoi Sanços turmën e kalamajve që lozte e ushqehej me gjithë llojet e kikirikëve e patatinave që gjendeshin nëpër dyqanet përreth e në tezgat e shitësve privatë:

-Ja tek arritëm, miku im! Tani, puna na e do t’i çlirojmë këta të shkretë nga vargonjtë e kurseve private, që bën presor Llaqi…

-Zotëri, këta janë kalamaj shkolle, - guxoi e foli Sanço Pançoja.

-E di, i dashur Sanço, e di. Bash për këtë, nuk mund të bëjmë sehir se qysh ua nxin jetën një birbo, me kurse private, e me ku di unë çfarë tjetër… Përpara Sanço, për aventura të reja!

Përpara, përpara, mirëpo aty na doli roja i shkollës. Ky e pa kalorësin që po vërshonte brenda me gjithë kalin e tij kockë e lëkurë, i ndjekur nga një trashaluq, hipur mbi gomar, Sançoja vetë… dhe një ta shtyrë derën e kangjelltë menjëherë. Don Kishoti u bllokua aty, përpara hekurave.

-Kush je ti, more kopuk e bir kopuku, që guxon t’i mbyllësh portat kalorësit të arratisur, fama e të cilit… Tregoji more Sanço, tregoji!

-Or dajë, nuk di unë, - ia preu roja. - Unë kam këtuna rregullin. Më thonë hape derën, e hap unë. Më thonë mbylle, e mbyll unë.

-Foli, more Sanço, këtij sojsëzi, se ti e di, po më hipi gjaku në kokë, e bëra përshesh…

Doli Sançoja i shkretë këtej, të merrej vesh me rojen e shkollës. Po pse dëgjonte ai!

-Ikë o katunaro, se s’ta kom qejfin - e shtyu ai Sançon. - Këtuna kam rregullin unë. Më thonë hape derën, e hap unë. Më thonë mbylle, e mbyll unë.

Lart në korridor, drejtori i shkollës, po e ndiqte skenën me shumë kureshtje. Ai thirri menjëherë dezhurnin. Ky ishte një nxënës i klasës së shtatëB, një fëmijë i hutuar dhe tani, edhe i alarmuar si mos më keq.

-Drejtor - tha me nxitim - ka ardhur një kalë me një burrë dhe një tjetër me një gomar…

-Ç’thua, more, të kripça trutë, - iu hakërrye drejtori, që ishte njeri mjaft i kënduar dhe e njohu menjëherë kalorësin sojli e zulmëmadh. - Po ai është Don Kishoti i Mançës, dora vetë. Zbrit të marrim vesh ç’është kjo vizitë, pa le…

Te dera vazhdonte sherri. Roja, të cilit Don Kishoti po matej t’i këpuste ndonjë me të prapmen e shpatës - se atë kishte marrë me vete - me të parë drejtorin, mori kurajo.

-Mirë, mirë, po çfarë kërkon zotnia jote? - i bërtiti ai kalorësit krenar.

-Unë? - çirrej Don Kishoti duke vringëllirë shpatën. - Unë, more sojsëz, kërkoj presor Llaqin. Dhe ja ku po të them… po nuk zbriti poshtë, po nuk doli në duel, bash këtu në oborrin e shkollës, do të bëhet nami…

Në këto e sipër, hyri në mes drejtori i shkollës.

-Imzot, do të na trembësh fëmijët - u qas ai me të butë. - Ne këtu jetojmë në paqe dhe në mirëkuptim.

-O më nxirrni në duel atë të kurseve private, o s’ka! - ngulte këmbë kalorësi i arratisur.

Drejtori, folë e sqaro, e ftoi Don Kishotin në zyrën e tij, në katin e dytë. Andej nga oborri, Sançoja i shkretë shkoi të rehatonte diku kafshët, i ndjekur nga britmat dhe kërshëria e kalamajve.

Pa hyrë mirë brenda, drejtori filloi të rrëmonte ndër sirtare. Pas pak, ai i ofroi kalorësit të lodhur një faqore me raki, që e mbante vetëm për mysafirë të rrallë. Një gotë. Dy. E ndërkaq, bënte çmos t’i mbushte mendjen të krisurit se mësues Llaqi nuk ndodhej aty. Se ai kishte ikur nga shkolla. Se nuk ia thoshte fare për duele. Por ne… betohej drejtori, ne do të marrim masa… Më beso, imzot, ky Llaqi që thua ti, nuk ndodhet këtu… përndryshe ne do të kishim marrë masa…

Fjalët e drejtorit dhe, ca më fort, rakia, filluan ta zbusnin Don Kishotin. Siç do të flitej më pas, ai, bashkë me shqytarin besnik, ia thau faqoren drejtorit, ndërkohë që biseda vërtitej te mësimet, lodrat, librat; Don Kishoti kishte dhënë një sërë sugjerime, por edhe urdhëra të prera. Dikur, prapë i kishin kërcyer ato të vetat dhe po plaste që ta bënte atë duelin me presorin... Thuhej se pas njëqind gënjeshtrash e të luturash, ishte nisur te një shkollë tjetër; pastaj te një e tretë...

 vijon