Fëmijët

Vangjush Saro-Dy episode të tjera nga novela ‘Aventurat e Don Kishotit në Shqipëri’

  • Published in Fëmijët

BETEJA ME 8 VIGANËT E... NDËRTIMEVE PA LEJË

-Zot! - ligjëroi kalorësi i madh. - Më jep fuqinë dhe kurajon të përballoj këtë betejë të lavdishme e të pabarabartë dhe të dal fitimtar mbi të paudhët e të pafetë! Le të bien boritë e fitores dhe të ngadhnjimit, se krahu i pathyeshëm i kalorësit famëshumë do t’i lajë njëherë e mirë hesapet me këtë tufë maskarenjsh! Përpara!

Por ndërsa u mat të bënte përpara, Sançoja i urtë i tërhoqi frerin:

-Dale imzot, dale! Ç’është kjo betejë që më thua? Këtu po ndërtohet pallati pa lejë i atij Ramadanit. A nuk ta shpjegoi edhe z. Muj Kreshniku?

-Sanço! Frika t’i ka trazuar mendimet. Përpara nesh, or mik, janë as më shumë e as më pak, por tetë viganët që kanë bërë aq mëkate, sa që meritojnë ndëshkimin më të egër. Pas meje, Sanço!

Dhe u turr i shkreti luftëtar drejt edhe mbi... tetë shtyllat e betonit. U përplas tek ajo më e para dhe ushta iu kthye mbrapsht për faqe të zezë. Por nuk jepej. E ktheu Rosinantin besnik sërish dhe sërish u sul përpara me guxim. Dhe veç jepte kushtrim:

-Fundi juaj është i sigurt, kopukë e bij kopukësh! Menduat se do të thyenit vrullin e kalorësit të pamposhtur, por gabuat rëndë. Dale pa do ta shikoni…

Por ishte kalorësi që po gabonte sërish. Përplasja e dytë me shtyllat e betonit, e hodhi përdhe. Kokorja i fluturoi në njërën anë. Ushta e thyer, në anën tjetër. Vetë, t’u ngjesh në një gropë gëlqereje dhe u zbardh e u bë i frikshëm, a thua kaq e pati. Po vdiste.

Këtej sheshit, kalamajtë ngrinin parrullat lart e më lart dhe bërtisnin me të madhe: “Bjeri, xhaxhi! Shëmbi, xhaxhi!” Andej, ca punëtorë lanë veglat edhe po vështronin plot shasti sulmin e tmerrshëm të njeriut të tmerrshëm. Dhe nuk dinin në se duhej të qeshnin apo ta ndalonin këtë betejë të lemerishme.

-Ç’na bëre, imzot, ç’na bëre? - i shkoi pranë Sançoja dhe zu ta ngrinte.

-Por ata nuk e dinë… - vazhdonte të bërtiste Don Kishoti, duke fshirë me mëngë fytyrën e gëlqerosur. - Nuk e dinë me kë kanë të bëjnë. Ua tregoj qejfin unë… Prisni aty!...

Por nuk mundi t’u tregonte asgjë, sepse e dërguan me urgjencë në spital.

NË SPITAL, ATJE KU DERGJET KALORËSI I CFILITUR

Për gati një orë, të plagosurin nuk e zuri njeri me dorë. Askush nuk erdhi ta vizitonte apo t’i sillte ca fasho e ndonjë ilaç. Sançoja i shkretë, fill pas betejës, kishte mbledhur armët dhe i kishte çuar në ‘hotel’, së bashku me kafshët. Pastaj erdhi në klinikë me një frymë. Tani ai po rrinte te koka e Don Kishotit dhe ndërsa priste ndonjë ndihmë, i thoshte:

-Eh, more imzot, kaq herë të paralajmërova. Po nuk dëgjon ti. Më ra goja duke të thënë: mos edhe mos! Sikur fola me fantazma. Ja, tani dergjesh këtu si mos më keq, edhe nuk të zë njeri me dorë. Kam të drejtë apo jo?

-Ëh, kokaaa! Por ata, ah krahu!… Ata nuk e dinë…iiih, këmba… se me cilin po ndeshen. Ushta ime do t’i… ooh brinjët… do t’i copëtojë!

Në pavion mbretëronte rrëmuja. Nja dy të sëmurë ndiqnin në televizor një ndeshje futbolli dhe ziheshin apo nuk ziheshin me njëri-tjetrin. Në krah të Sanços, njëri kishte shtruar përmbi batanije nje pecetë dhe kishte aty bukë, raki, një tas me fasule… Ai mbllaçitej dhe herë pas here thoshte me vete: “Ohoho, ja kështuna!” Më tutje, një tjetër pinte cigare dhe pështynte ku të mundej. Pastaj një birbo hyri në sallë duke bërtitur sikur të ishte në pazar: “Hajde gazeta! Gazeta!” Kurse një tjetër te dera: “Peshku! Urdhëroni peshk e ngjala!” 

Kur pa se punët po shkonin keq e më keq, Sançoja ndali një burrë me kokë të lidhur dhe e pyeti:

-Me lejë, o njeri! Këtu afër, dergjet e vuan zotëria im, Don Kishoti i Mançës, i cili ka bërë qindra beteja të famshme. Mirëpo tani, të dalë ndonjë e ta vizitojë a, ta mjekojë a… Çfarë dreqin bëhet kështu?

Burri me kokë të lidhur nuk mori vesh asgjë nga ligjërata e shqytarit. Por duke e marrë me mend se për çfarë bëhej fjalë, iu afrua Sanços tek veshi dhe i tha shkoqur:

-Po ke hall, nxirr xhixhat…

-Urdhëro? - hapi gojën si ndonjë budalla Sançoja.

-Paratë, more hajvan. Pa para, nuk të zë njeri me dorë.

-Ju vraftë Zoti, ju vraftë! Po atje është duke vdekur lulja e kalorësve, o zemërkatila! - vendosi ta ngrinte zërin Sançoja. - Epo tani po më detyroni të dal vetë në shesh të betejës. Dhe ja tek po ju them, se jeta pranë kalorësit me famë, më ka mësuar të luftoj e të fitoj, të copëtoj dhe të shkatërroj… Ka njeri këtu, apo joooo?

Nga dhoma e infermierëve, mbërriti me vrap një nuse e re, me një fytyrë të lyer e të zhgryer si mos më keq, ku nuk mungonte asnjë bojë, nga e kuqja tek e gjelbra. Ajo u afrua gjithë tërsëllëmë dhe po bëhej gati t’i jepte ca dacka të mira Sanços. Mirëpo ndërkaq, ky kishte rrëmbyer një nga ato mbajtëset e serumit dhe po e ngrinte hopa! Don Kishoti gjithashtu po përpiqej të hidhte tutje batanijen dhe ofshante e kërcënohej si asnjëherë tjetër:

-Prit, Sanço, se po të jap një dorë edhe unë… megjithëse aah, më paskan shtrembëruar krahun! Por… ooh, do t’jua tregoj unë se ç’do të thotë të marrësh nëpër këmbë kalorësin që… eeh… ka shtrirë me pallën e tij të gjithë horrat e kësaj bote.

-Na more i luajtur, mos luaj me serumin! - brriti infermierja, duke ia hequr Sanços nga duart veglën e rrezikshme që do të kishte bërë namin. - Shtrihu ti, xhaxha! - iu kthye pastaj Don Kishotit. - Edhe mos na bëj dër dër dër! Po s’ke para për fashot, prit se po këput një copë nga benevreket e tua, se qenkan mjaft të bollshme…

Por nuk bëri ashtu siç tha. Sapo kishte hyrë në repart mjeku-roje dhe për fatin e mirë të kordhëtarëve trima, ai qëlloi një njeri i butë e mirëdashës. Urdhëroi sakaq të merreshin të gjitha masat e t’i shërbehej kalorësit trim, ashtu siç e donte nderi i atij spitali.

Vijon (në publikimin e ardhshëm - episodi i fundit)