Fëmijët

DON KISHOTI SHPALLET ‘NON GRATA’ - Nga Vangjush Saro

  • Published in Fëmijët

Nga biseda e fundit me Shefin e Komisariatit Special*

Z. Dane Kishoti, po të komunikoj që je shpallur ‘non granata’; si i thonë. Hesht! Nuk di ç’ke katranosur që kanë vërshuar gjithë këto ankesa. Bie fjala, ç’të hyn në qese ty sa maune hyjnë e dalin dhe si hyjnë e si dalin? Hë, nga një katund afër Tiranës, thonë se ke kërkuar të ndalohet dhënia e hurit… Ku është parë, more zotëri, që të mos kërcasë huri! Këtu jemi në Ballkan, në Shqipëri tamam tamam. Vazhdojmë më tutje. Ai i lajthituri Sançoja, me porosinë tënde, z. Dine Kishoti, na bëka letra dhe kërkoka shkolla në fshat. Bile edhe ura. Kaq ta bëni dhëmbin, s’ka. Paratë janë harxhuar gjetkë. Pastaj, si ia kishe bërë magazinën gjol atij që prodhon pije freskuese... Njëherë thua se t’u bë që ishte Vigani Syvëngër. Njëherë tjetër që po luftoje me të dërguarit e Alifanfaron-it** dhe shpurën e tij famëkeqe. Pastaj na del që ky i pijeve nuk paska licensë...

Mos më ndërprit! Nga SHKP, Shoqata e Kurseve Private nëpër shkolla, jeni cilësuar… armik i shkencës. Po po. SHSHSHLB, domethënë Shoqata e Shkruesve dhe e Shitësve të Librave e Broshurave (që tregtohen nëpër shkolla) gjithashtu ka lëshuar alarmin. Anëtarët e saj ankohen se ti, z. Dun Kishot, ke ligjëruar e ke dhënë porosi për soj-soj lodra e libra, por ‘veprat’ e tyre nuk i ke zënë fare në gojë. (Më të ligështuarit ishin autorët e librave “7 teste për të marrë notën dhjetë” dhe “Krasitja e rrushit”. Kurse autori i romaneve “Dashuri e përçudnuar” dhe “Vjeshta e afsheve”, do të të hedhë në gjyq. Por ka edhe më keq. Ata që kanë shkruar librat, dale, hë, “Kush ha frute, i ka faqet e kuqe” dhe “Tra la la zura, një galë…”, do të zënë pritë dhe mjerë ti ku do përfundosh...

Vazhdojmë, Dyn Kishot. I ke bërë thirrje Kreshnikut Muj dhe farefisit të ngrihen e të kërkojnë…punë. Epo, dëgjo. Parë nuk është askund një gjë e tillë. Hë! Edhe BTP, Bashkësia e Televizioneve Private, ka hesape për të larë me ty. Ke kërkuar të përzgjidhen emisionet sipas orareve, për shkak se fëmijët ndjekin filma dhe emisione me dhunë, bile edhe me gjëra turpi? E vërtetë? Nuk e di, mund të jenë ashtu siç thua ti, përçartje në gjumë të atij budallait, Sanços. Përçartje, por këtu shtëpitë janë ngjitur e shtrënguar si kallamat e misrit. Ja që u dëgjuan llafet. Ja që u vanë në vesh edhe gazetarëve. Dhe kështu, e merr ferra uratën…

Prandaj, z. Dën Kishot, jam i detyruar të të them që je non granata... Naaa, ku vete tani, o i marrë? S’është mbyllur portokolli; nuk ka për të të ndritur...

.......................................................................................

*Po mbyll publikimin e fragmenteve kryesore të novelës “Aventurat e Don Kishotit në Shqipëri” (ASD Studio/ Tiranë 2003). Mirënjohje për lexuesit, kolegët që treguan vëmendje, si dhe për Forumin Flasshqip.ca, që gjithashtu u përkujdes - Autori

**Vigani Syvëngër dhe Alifanfaroni - personazhe librash kalorsiakë.