Fëmijët

Lili pushon te Hotel ‘Palma’ - Tregim nga Vangjush Saro

  • Published in Fëmijët

Kjo mbasdite vere gjithë zagushi, kur e ndjeva veten keq, si asnjëherë keq, e ka zanafillën në ditën e fundit të vitit të kaluar shkollor... Pushimet e verës ia kishin behur. Ç’lumturi! Mësimi ishte shkrehur me kohë, por kur ra zilja për orën e fundit, atëherë u bë ç’u bë në klasë. Britmat dhe të përplasurat e librave e të çantave nuk mund të përshkruhen.

Ne e kishim orën e fundit me mësuese Adelinën. Ajo është e bukur, e urtë dhe shumë e sjellshme. Kur na gjeti ashtu të çoroditur, zuri kokën me duar.

-Fëmijë! Ju s’duhet ta bëni këtë… Ju lutem, fëmijë të mbarë!

Eh, ku kishte më fëmijë të mbarë! Ca hidheshin andej, ca këtej. Njëri griste fletoren. Tjetri ngacmonte shoqen e bankës. Nga klasa përballë, vinin herë pas here ata më ‘trimat’ dhe hapnin e mbyllnin derën, duke e përplasur gjithë zhurmë e duke sokëllitur lëre mos pyet. Mirë që mësuese Adelinës i shkoi mendja të flisnim për pushimet verore, se nuk qetësohej ndryshe klasa jonë. Tani po. Do t’ia kalonim për bukuri.

Tema e pushimeve verore ishte më e dashura për ne. Këtu pothuaj të gjithë shkëlqyem. Miranda me familjen e vet do të shkonin për pushime gjer në Korfuz. Kishte nga ata që do të shkonin edhe ca më larg, në Itali. Genci tha se do ta kalonte një kohë në fshat, tek njerëzit e së ëmës. Familja e Lules e kishte syrin për në Sarandë. Landi tregoi se shkonin në Durrës së paku dy herë në javë. Sot gjeografia u bë ujë fare.

Pati edhe nga ata që s’u ndjenë fare, as bardh as zi. Por më indiferent nga të gjithë u duk Lili. Jo vetëm që nuk fliste, por na hidhte ca vështrime që nuk dije si t’i komentoje. Lili rri gjithmonë aty diku nga fundi i klasës. Mungon shpesh herë në mësim dhe po kaq shpesh duket i trishtuar, i lodhur, sikur kushedi ç’halle e kanë zënë. Edhe për të mësuar, shkel e shko. Disa thonë se në familjen e tij heqin keq. Thonë se… Tani Lili dëgjonte të tjerët, me sytë tek ca të shkaravitura në cepin e bankës. Dhe ia shkonte dorën sa para prapa çantës së tij të shkalafitur. Kot. Mbase ngaqë s’dinte çfarë të bënte e çfarë të thoshte.

Mësuese Adelina iu afrua edhe atij dhe e pyeti:

-Pa hë, Lili! Na thuaj edhe ti, ku do t’i kalosh pushimet verore?

Lili as që e ngriti kokën fare. Vazhdonte të lëmonte çantën dhe sytë nuk i hiqte nga ato të shkarraviturat tek cepi i bankës. Pushimet. Pushimet verore…

-Lili! Nuk do t’i tregosh mësueses ku do t’i kalosh pushimet verore?

Tani e gjithë klasa ishte kthyer nga shoku ynë gojëkyçur. Ai u skuq krejt dhe zuri të vështronte andej këtej, si i zënë në faj. Dhe seç mërmëriste. Vetëm kur ra zilja dhe ishte gati të shpërthente zhurma nga e para, shpërtheu edhe ai:

-Pushimet verore? Ku do t’i kaloj pushimet verore? Te ‘Palma’ do t’i kaloj!

Fjalët e Lilit u përpinë sakaq nga britmat dhe fërshëllimat. Tani po që kishte mbaruar shkolla vërtet. Korridoret u mbushën plot. Zhurmat u përzien dhe gëzimi flatroi gjer jashtë, në oborr. Megjithatë, mua më mbeti mendja te përgjigjia e çuditshme e Lilit. Te ‘Palma’… Po pse pikërisht atje? ‘Palma’ është ai hoteli i madh dhe i shtrenjtë, që... që Lili mund ta shohë vetëm me dylbi (!)

Kjo kishte qenë pak a shumë ulja e perdes në atë ditë me shumë diskutime për sezonin e pushimeve. Nëc, jo. Nuk ishte ulur perdja ende.

***

Në një nga këto ditët e pushimeve verore, ne po ktheheshim nga Plazhi i Shëngjinit. Ishte aty në të kapërcyer mesdita; dielli përvëlonte. Babi ishte në timon; mami në krah të tij, si gjithmonë. Unë me motrën rrinim në sediljet e pasme. Pinim lëng qershie të ftohtë dhe shikonim rrugën. Vetura jonë po kalonte në krah të hotelit ‘Palma’. Përpara semaforëve, babi ndaloi. Në këtë kohë, krejt papritur, një zë tepër i njohur përcëlloi aty pranë më keq se dielli:

-Cigare, zotëri! A doni cigare? Çakmakë, zotëri! Ujë të ftohtë. Kikirikë…

Në dritaren e babit, u shfaq një kuti me gjithfarë çikërimash dhe pastaj fytyra e hirnosur e Lilit… Dhe mua m’u kujtua menjëherë biseda në klasë për pushimet e verës. Kikirikë, zotëri! Cigare! Xhamin, xhamin, zotëri... Ai kishte lënë kutinë në trotuar dhe po tentonte të fërkonte xhamin e përparëm të makinës me një furçë të sapunisur. Bënte grimasa dhe i lutej mamit të ‘ndërhynte’ për të pastruar xhamin.

U ula poshtë sa munda dhe u fsheha prapa sediles së babit. Nuk e di pse. Nuk mbaj mend për sa kohë. Me ç’dukej, ai e kishte fituar ‘punën’ dhe po e mbaronte xhamin. E dëgjova të lutej sërish:

-Po çakmakë, zotëri? Një mijë lekë, tre copë! Cigare!

Babi nuk kishte ndër mend të blinte gjë. Ai i hodhi djalit një pesëlekëshe, për xhamin, dhe çau tutje me nxitim. Ndërsa kondicioneri i makinës hahej me vapën e padurueshme, ktheva kokën pas, pashë edhe njëherë, nëpër rrezet e diellit përvëlues, shokun tim, që po i kalonte pushimet te ‘Palma’. Dhe s’di pse, më erdhi të qaja…

Nga libri “Rrëfime nga shkolla ime” – Tregime (ASD, Tiranë - 2004)