Fëmijë diaspore

Alba Fashionista!

Alba fashionista është profili i Alba Halit, 10-vjeçares shqiptaro-kanadeze të apasionuar jo vetëm pas modës. Ajo ishte 5 vjeç kur mësoi vallen shqiptare me grupin e Shqiponjave të Vogla, dhe prej aty mori pjesë në 101-vjetorin e Festës së Pavarësisë së Shqipërisë të organizuar në Toronto. Skena i pëlqeu aq shumë, saqë është bërë pjesë e përhershme e korit të fëmijëve të shfaqjes së përvitshme “Marlee's Got Talent”.

Alba është e gjithanshme, di të pikturojë, të aktrojë, të kërcejë por edhe të bëjë modelen para prindërve fotografë. Prindërit e saj artistë Genti dhe Lorida kanë zbuluar se Alba është tejet ekspresive dhe ndjek objektivin e aparatit me përpikmëri.

Prej talenteve, dëshirave dhe vullnetit të Albës për të marrë pjesë në aktivitete, prindërit sigurisht që e kanë mbështetur. Kur ishte 7 vjeç Alba mori pjesë si aktore në filmin që tashmë është kthyer në simbolin e filmave familjarë me temën e Krishtlindjeve, i cili shfaqet çdo vit disa herë në ditë “The Christmas Switch”. Në film roli i Albës ishte pa fjalë, por vetëm me lëvizje e mimikë.

Që atëherë Alba ka marrë pjesë edhe në 2 filma të tjerë Hollywood-janë që nuk kanë dalë akoma në kinema: “Rout 69” në 2016 dhe “Bloodslinger” në 2017.

Në vitin 2016 Alba provoi veten edhe si modele duke marrë pjesë në Kurorëzimin e “Miss Globe” 2016 dhe më pas këtë vit doli në skenë duke mbajtur kurorën për “Miss Globe Canada” 2018.

Ajo vetë me shumë dëshirë hapi faqen e saj në Instagram me emrin: Alba_fashionista1 dhe Facebook nën emrin Alba Fashionista. Ideja e saj ishte që me anë të këtyre platformave të mund të komunikojë me vajza të moshës së saj që pëlqejnë modën dhe në këtë mënyrë të shprehë talentin e saj si modele, por edhe si një vajzë që e ka shumë qejf modën.

Krahas angazhimeve e pasioneve të saj, Alba nuk lë pas dore mësimet. Ajo di të shkëlqejë edhe në shkollë.

Suksese Alba fashionista!