Fëmijë diaspore

Një javë në errësirën e burgut

Kallzimet e Gjyshe Pastërtores - Nga Bedri Dedja

Kallzimi i dytë  

 

Kaluan pastaj gjithë ato ditë …
Një herë, Furça e dhëmbëve u zgjua në mes të natës. Fërkoi sytë, vështroi andej e këtej, por nuk pa asgjë. Ishte errësirë e madhe.
- Më paskan futur në burg, - tha ajo me vete. – Sa keq ! Unë u gëzova shumë kur më bleu ajo gruaja me çantë në dorë… Më mirë të kisha ndënjur në parfumeri ! Atje shikoja shumë gjëra të bukura : njerëz me kapele, njerëz pa kapele, njerëz me syze e njerëz pa syze, njerëz me çorape, njerëz pa çorape… Dhe sa shumë më pelqente të rrija e të shikoja gjithë ato shishe parfumi që ndodheshin pranë meje. Kënaqesha me erë të mirë !
Furça e dhëmbëve heshti për një çast. Pastaj u mendua pakëz dhe thirri me zë të lartë :
- Eeeeeeeeej… a ka njeri këtu ?
- Kush çirret kështu dhe s’na le të flemë ?
- Unë jam…unë, Furça e dhëmbëve.
- Mirmëngjes mikja ime Furçë ! Unë jam Sapuni. Ne erdhëm bashkë nga parfumeria…
Furça u kujtua menjëherë sepse, sipas gjyshe Pastërtores, kishte qëlluar shumë e zgjuar. 
- Po emrin, si e ke ? Sapun ? – pyeti ajo.
- Jo, - i tha sapuni. – Mua më quajnë Zhulfshirës. Unë heq zhulin nga faqet, nga qafa, nga trupi, nga duart dhe nga këmbët ; por njerëzit më thërrasin Sapun…Po a e di ti që këtu kemi edhe një shok tjetër ? Atë e thërrasin Thërmifshirës. 
- Mirmëngjes Thërmifshirës ! – tha Furça e dhëmbëve duke kërkuar me sy nëpër errësirë.
- Po pse, mëngjes të duket ty tani ? – pyeti Pasta e dhëmbëve pa lëvizur nga vëndi ku qëndronte shtrirë për shtatë palë qejfe. – Unë nuk shoh dritë, - vazhdoi ajo. – Sa netë kemi që qëndrojmë në këtë burg ?
- Një javë, - u përgjigj Sapuni. – Por ti mos u çudit që këtu nuk sheh dritë ! Në sirtarin e komodinës nuk ka nga të hyjë drita…
Pas këtyre fjalëve, Furça e dhëmbëve, Pasta e dhëmbëve dhe Sapuni vendosën të flinin përsëri.(vazhdon)