Fëmijë diaspore

Fundi i aventurës dhe i historisë së Enos

Kallëzimet e Gjyshe Pastërtores - nga Bedri Dedja 

-pjesa e fundit -

Të nesërmen në mëngjes dita agoi shumë e bukur. Dielli ndriçonte me rreze të arta. Këto rreze plot ngrohtësi kalonin përmes xhameve dhe vraponin për të përkëdhelur fytyrën dhe flokët e djalit të vogël. 
Enua u zgjua nga gjumi duke fërkuar sytë. Pranë shtratit pa nënën e tij që po e priste me buzën në gaz. 
- Eno, a të dhëmbin dhëmballët ? - e pyeti ajo.
- Më dhëmbin pak, mami.
- Eno, a të djegin sytë ? – e pyeti sërish.
- Më djegin pak, mami.
- Eno, a do të shkojmë te dentisti ? – e pyeti për herë të tretë.
Enua ktheu kokën me turp. Atij ju kujtua ëndrra që kishte parë natën e kaluar. Pastaj, duke u kthyer nga e ëma, i foli me zë të sigurt :
- Mami, a e di ku janë Furça e dhëmbëve, Pasta dhe Sapuni ? Dua të di ku ndodhen miqtë e mij të dashur që ti mi dhurove ditë më parë…
Mamaja hodhi sytë nga sirtari i komodinës, të cilin Enua e hapi me nxitim, duke i lejuar më në fund rrezet e diellit të depërtonin brenda tij.